Historia, personazhet dhe temat e kryeveprave homerike mbeten një pikë referimi dhe frymëzimi për shkrimtarët dhe artistët. Kadare: “Eskili fushatën antitrojane e përshkroi si një fatkeqësi, po aq të madhe për agresorët grekë, sa edhe për trojanët e mundur. Këtë e kish bërë përpara tij Homeri. Këtë e bënë pas tij shkrimtarët e tjerë të Greqisë së lashtë, duke formuluar kështu aktin e parë internacionalist në letërsinë botërore.”
Romancieri, dramaturgu e publicisti i njohur Bashkim Hoxha, gjatë një interviste, është shprehur:”Ndër librat që më kanë formuar, do të veçoja romanin “Zorba” të Nikos Kazanzaqisit. Jo vetëm këndvshtrimi letrar, por edhe ai për jetën, i Aleksis Zorbas, më ka bërë të mendoj thellë, edhe përtej letërsisë. Gjithashtu Sartri, Kamyja, Servantesi, Kadareja…Trilleri e tërheq B.Hoxhën, i cili bën “Një shaka me vdekjen”,ku frymëzohet nga “Iliada”:”Personazhe si Akili dhe Hektori kanë arritur përjetësinë. Në këtë përjetësi hasim dhe një realitet banal. Pikënisja e romanit, ku përdor emrat e heronjve homerikë, është viti 1985, kur vdiq diktatori.
Autori:”Atëherë qarkullonte shprehja se E.Hoxha ka vetëm ditëlindje. Ai nuk ka “vdekje”. Giovanni Verga, në librin “L`uomo che non doveva mai morire” (Njeriu që do të jetonte sa malet), përshkruan 20 vitet e fundit të jetës së diktatorit Hoxha dhe Sigurimin, si shërbimin sekret më të frikshëm të Evropës Lindore. Ndërsa në romanin tjetër “Duartrokitësit” të B.Hoxhës, shtrohet pyetja:”Mos vallë jemi degdisur kaq keq, në honet e marrëzisë, saqë i duartrokasim secilit mashtrim, që na serviret?” Edhe ky roman flet me zërin e kohës e të njeriut të sotëm. Duartrokitësit me regji i shërbejnë Unit autokrat, sistemit të antivlerave.
U promovua së fundmi në pallatin e kulturës “A.Moisiu” romani “Rikthimi” i Bashkim Hoxhës. Në ekspozenë e veprës flitet për shfaqjen e cirkut, në qytetin I, me rastin e 7-vjetorit të çlirimit. Ceremonitë dhe protokolli parashikonin edhe një fjalim për kohën e kalimit nga e djeshmja në të sotmen, ku i pari i qytetit nuk do të përmendte fjalën “luftë”, për arsye të pashprehur dhe si refren të përsëritur do të kishte fjalën “paqe”. Ndërsa të rinjtë do të flitnin për projektet e së ardhmes.
Personazhe kryesorë të romanit janë 4 shokë të ngushtë, të kohës së gjimnazit. Ata, me inisiativën e mësuesit të letërsisë, Valdrinit, i cili në orën e fundit u kish shpjeguar “Odisenë” e Homerit, u nisën për në mal, ku do të thirreshin me pseudonime, me emra të personazheve të “Odisesë”. Përzgjedhja e emrave (Uliksi, Penelopa, Antinoi, Eurimaku), paraqitet si një profeci, për atë që do të vinte më pas. Rrëfimi nis me historinë e një vrasjeje, si nyje e veprimit, si pikë lidhjeje e momenteve të konfliktit dhe e ngjarjeve, që nuk vijojnë në mënyrë lineare,por përdoret edhe digresioni, për të kaluar në retrospektivë. U vra Askushi, i cili, në numrin me thika të shfaqjes së cirkut, qëllonte Kalipsonë. Hasim një trajtim psikologjik të enigmës së vrasjes, në një rrëfim me një stil original e tërheqës, që nxit mendimin dhe imagjinatën e lexuesit. Një hetim analitik, ku misteri tërheq lexuesin.
Ndërsa në fushën e luftës gjëmonin bomba e predha, buzë një kanali, i plagosur, gjysmë i mbuluar nga balta mbeti Uliksi, më shumë i harruar se i vrarë. Ishte rastësia, ishte një e panjohur për të, Kalipsoja që e pa, e përfshiu në krahët e saj dhe me dashuri e ngriti të vdekurin nga varri. Ishte puthja e saj që e ktheu në jetë. U përfshi në trupën e cirkut, ku u quajt Askushi, pasi “ish shterur pusi i tij i kujtesës”. Me afrimin në qytetin I, ku ai kish qenë shumë i njohur, tek ai kish ndodhur një “zgjim i çuditshëm”.
Kish qëndruar gjatë te monumenti, që kish portretin e tij. Në të ish një skenë luftimi me tre ujqër, që kishin rrethuar heroin dhe ai po i nënshtronte. Njësitet speciale, me të cilat ishte ndeshur, kishin emrin e tufës së ujqërve gri. Askushi që qante pa zë dhe alter ego-ja e tij, Uliksi i ngurosur në bronz, ballë pë rballë. Rikthimi në qytetin e tij do të sillte trishtim. Rrëfyesi shprehet: “Vrasja e tij m`u duk më e komplikuar dhe nisa të hetoj. Më duhet patjetër të gjej një vrasës. Kalipsoja ish e tronditur; s`mund të ish ajo vrasësja. E dashura e mëparshme Penelopa nuk kish motiv për ta vrarë; ajo e priste. Ende mbante rrobat e zeza, si e veja e heroit. Antinoi i kish propozuar për martesë Penelopës, që në ditët e para të çlirimit dhe priste ende, por ajo e kish refuzuar me mirësjellje, duke besuar ende rikthimin e Uliksit”.
Antinoi këmbëngulte ta shpallnin martesën në këtë ditë feste. “Ndjenja e dashurisë te shumë njerëz primitivë është shumë e mpleksur me ndjenjën e pronësisë” -thotë autori. Xhelozia e dashurisë shfaqet tek Antinoi, si një ndjenjë e dëshpëruar e pronësisë, e cila degjeneron në një obsesion. Kur dashuria mungon, prona “e humbur” zgjidhet me mjetet më të egra. Mjeti i parë më i egër, që të vjen ndërmend, është vrasja. Antinoi Penelopës:”Gjithmonë na ka shoqëruar hija e tij. S`mund të duroj më. Unë ndihem i tradhtuar prej teje, sa herë që ngjallet kujtimi i tij…Jemi të pasur, të lirë, të pushtetshëm. Nuk mundin këto kujtimet e kohës së vjetër? Por heshtja e saj ishte vrastare. Motivi ishte i qartë. Ajo e tradhton me kujtimet për të. Ai duhet përzënë”.
Figuracioni metaforik shoqëron rrëfimin: Ai thotë se këmbëngulja e tij mund të lodhet e të mpihet, nga kjo pritje e çmendur. Në pamundësi për të vrarë Penelopën që e dashuron, ai vret kujtimin e Uliksit, mikut të dikurshëm. Përmes një prozopopeje të bukur, autori karakterizon përsiatjen psikologjike të rrëfyesit: “Unë jam i bindur se ai me mendjen e tij e ka vrarë Uliksin dhjetëra herë. Sa herë që ai është shfaqur në formë kujtimesh, ato ringrihen si të vdekurit nga varrri e nuk duan të vdesin, por ngrihen ashtu të përbaltur. E ndjekin nga pas e ai duhet ta rivrasë. Nuk ka ligje për të dënuar ata që vrasin një të vdekur”.
Edhe vetëvrasja mund të mendohet. Misioni i tij në jetë ka mbaruar me “vdekjen” si hero. Kur Uliksi ishte larg, Penelopa e dashuronte dhe ëndërronte: “Në bangën e tij dikur ishin gdhendur inicialet e mia. Gjatë një ekskursioni, në pyll, pas shiut, më rrëmbeu puthjen e parë. Ka qenë dashuria ime e parë. Vjersha e tij ishte shprehje e dashurisë”. Edhe një këngë të Jo Dasin e pëlqenin të dy. Ai ruante imazhin e saj, me fustan të bardhë, ngjitur pas trupit, për shkak të shiut. Ishte i mirë në ëndërrime, është banal në rikthim. Kthimi pas është dramatik, patetik, i pamundur. Tani që është përballë, në mos e urrente, bezdisej. Nga ana e saj, Kalipsoja e ndien që Askushi, i dashuri i saj për 7 vjet, shpreson të kthehet te dashuria e parë, prandaj shprehet, përmes një similitude “E ke nxjerrë nga varri, e ke ngjallur me dashuri dhe ai fluturon si zogjtë shtegtarë, që braktisin folenë e re, për t`u kthyer në folenë e vjetër”. Ajo e konsideron mosmirënjohjen, si vesin më të keq të njeriut. Kalipsoja na kujton, në një shkallë tjetër, nimfën Kalipso të poemës “Odisea”. Dashuria e zjarrtë, pallatet, jeta përrallore dhe pavdekësia, që i premtonte nimfa Kalipso, nuk e mposhtën Odiseun në rrugëtimin drejt Itakës. Edhe Uliksi te “Rikthimi” dashuronte Penelopën.
Autori fokusohet më tepër te figura e Antinoit, i cili është portretizuar si një tip që karakterizon një shtresë sociale. Kemi një autoportret, ku shfaqet hapur karakteri i tij i ulët, para Uliksit: “Në krahët e mi u zhduke papritur. Ke qenë frymëzimi ynë. Ishte një lloj lideri. Fati kështu e deshi. Ty të dha përjetësinë, neve na dha jetën e mëtejshme. E shikon këtë qytet? Është nën këmbët e mia. Unë mund të bëj me të ç`të dua. Është i gjithi në portofolin tim. Jeta vazhdon. Ti ke qenë mjeshtër për të projektuar luftën. Aty mbaron historia jote. Tani jemi ne të tjerët, mjeshtërit e paqes, ku ti me siguri ndihesh keq.Ti nuk ke për ta gjetur dashurinë. Pritja është fjalë poetësh. I mbetet ëndrrës. Mos e gënje veten, prandaj ik!” Fjala “ik” tingëlloi si “dëbim”. Një cinizëm I hapur, një shpërfillje e kontributeve heroike të luftës.
Një mizori e zhveshur, që duket sikur e tejkalon veten. Sinqeritet antihuman. Për Antinoin Kujtesa do fshirë. Për pushtetarët e korruptuar e të inkriminuar ekziston vetëm koha e tashme, e cila duhet shfrytëzuar për protagonizëm e privilegje. Antinoi shfaq pandjeshmërinë, prepotencën, arrogancën, megallomaninë; tipare këto që i shfaqin edhe pushtetarë të sotëm, në forma e në kushte të reja. Ai na kujton që revolucionin popullor, luftën për liri e nisin idealistët, ndërsa frytet i përfitojnë materialistët e paskrupullt. Oruell:”Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon të tashmen, kontrollon të kaluarën”. Për këtë arsye Antinoi në fjalimin e tij ceremonial nuk përmendi luftën, por vetëm paqen. Edhe sot, kur korrupsioni ulëret dhe drejtësia zvarrit proceset, politika ua le të kaluarën historianëve që ta shkruajnë në dy variante të kundërta. Lufta kundër pushtetit autokratik, është lufta e Kujtesës kundër Harresës.
Portretin e Antinoit e plotësojnë më tej Eurimaku dhe Penelopa, të cilët kanë bashkëpunuar me të, por tashmë e kanë njohur mirë dhe e gjykojnë drejt e me ashpërsi. Uliksi i pyet:”çfarë ka ndodhur me ju?” Eurimaku përgjigjet:”Ishim të mirë në luftë. Në paqe u prishëm. Në luftë ëndërronim një gjë të përbashkët, lirinë. Në paqe luftojmë njëri-tjetrin, për të tjera qëllime. U ndanë interesat e secilit. Dhe ja ç`bëri Antinou. Iu ngjit pushtetit dhe s`la pronë pa marrë, tendera pa fituar, kundërshtarë pa baltosur. Dhe miqtë i shkeli, i poshtëroi, që të bënin punët e pista për të. Unë, për të mos u bërë pis, u ktheva në fshatin tim”. Sa aktuale tingëllojnë këto fjalë, kur vetëm kryetarë bashkish sa janë para drejtësisë, madje ka dhe me mbathje të shqepura. Edhe Penelopa reflekton pozitivisht, kur Antinoi e pyet, nëse ajo do të kthehet prapë tek Uliksi: “Kemi ecur në rrugë të gabuar gjer tani. Ky rrugëtim na ka vrarë gjithçka të çiltër e të mirë. Na ka vrarë shpirtin. Na ka bërë të këqij, arrogantë, banalë, grykës e të babëzitur. Po kthehem sërish te vetja ime.”
Tashmë, duket sikur është Penelopa që kthehet në rrugëtimin e saj, (në mënyrë figurative), drejt Itakës, shtëpisë. Në dialektin bolonjez, “it a ca” do të thotë “je në shtëpi”. Itaka -simbol i ëndrrës dhe i idealit, i rrugëtimit jetësor, i paqes së brendshme; i lumturisë, lirisë e dashurisë. “Itaca” është një këngë e Lucio Dalla-s, një lloj testamenti shpirtëror, që shpreh shpresën dhe dëshirat njerëzore. Ndërsa poezia “Ithaka”e Kavafisit trajton temën e udhëtimit, takimit me të panjohurën, duke vlerësuar kurajën, urtësinë, maturinë. Ndërsa në origjinën e fjalës “nostalgjia”, shprehet motoja e kërkimit, dëshira, por dhe vuajtja e kthimit. Nostos (kthim në shtëpi). Algos (vuajtje,dhimbje). Rrëfyesi në romanin “Rikthimi” ka shtuar dhe skenën në shtëpinë e Penelopës, e cila i kërkon nënës fustanet me ngjyra. E ka hequr zinë, e ka çjerrë fustanin e zi. Penelopa:”Nënë, s`jam më Penelopa. Dola nga kënga. Jam vetëm. Nënë, a të kujtohet emri im i paraluftës?” -”Emri yt është Ema. Atë kohë pëlqeja “Madam Bovarinë”. -Më gjej një emër të thjeshtë, që s`e ka njeri. Sapo dola nga një libër dhe nuk dua të hyj në një libër tjetër.”
Fillimi i festës për Ditën e Verës në jug, niste me zjarre, ku hidheshin gjërat e vjetra për t`u djegur. Kllounët hodhën në zjarr edhe sëndukun e rrobave të zanave, ku ish kyçur dhe Askushi, trupi i të cilit u gjet te rrapi, me një thikë, ngulur pas shpine.. Asnjë gjurmë nuk mbeti prej njeriut me disa emra. Ish kthyer në hi edhe trupi i një njeriu. Fund i palavdishëm i një heroi, i cili në paqe na u paraqit i dyzuar e me një identitet të dyfishtë. Rrëfyesi:”Me siguri mund të pohoj vetëm një gjë. Në vend që të duhemi, siç na mësojnë librat e shenjtë e të vjetër, ne e vrasim njëri-tjetrin përditë. Në këtë kohë, njerëzit janë egërsuar ca si tepër. Në qiellin e kohës sonë ka vetëm urrejtje”. Konstatimi i një realiteti të tillë, mendoj se na nxit të reflektojmë, secili në mënyrën e tij, për të qenë qytetarë të ndërgjegjshëm e jo duartrokitës pa personalitet dhe të ambientuar me banalitetin e së keqes.