Av. Eduard Halimi: Një udhëtim që më ndryshoi përgjithmonë – kujtime nga Sicilia e vitit 1998

Teksa lexova lajmin për lirimin e G. Brusca më erdhi në mëndje kjo histori që doja ta ndaja me ju.
Ishte nëntori i vitit 1998, kur bashkë me një grup magjistratësh të brezit të parë të Shkolla e Magjistratures u nisëm drejt Sicilisë për të mësuar nga përvoja unike e prokurorisë antimafia, dhe ndërtuar më pas në Shqipëri Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda (e ngjashme me atë italiane) në një kohë të veçantë pak vite pas arrestimit dhe fillimit të pendesës së famshme të Giovanni Brusca – krahu i djathtë i Toto Riinës, njeriu që kishte shtypur butonin e bombës që vrau prokurorin legjendar Giovanni Falcone.

Operacionin për arrestimin e Brusca e kishte udhëhequr prokurori i jashtëzakonshëm kombëtar Antimafia Giovanni Tinebra – mik dhe shok zyre i Falcone-s, dhe më vonë pasuesi i tij.

Një mëngjes, teksa udhëtonim me të nga Sirakuza për në Palermo, për të ndjekur në Gjykatën e Asizit dëshmitë rrëqethëse të Brusca-s, në zonën e Caltanissetta-s u qëllua me kallashnikov mbi eskortën që shoqëronte. Për fat nuk pati pasoja, por ishte një sinjal i qartë i mafias për të!

Mbrëmjen e asaj dite, në një darkë të vogël, pothuajse private në një fermë të sigurt pranë Palermos, në një atmosferë të mbushur me tension në telefon mes tij dhe policisë së Caltanisetës që pretendonte për “gabim shenjestre”‘në episodin e mëngjesit, Tinebra foli gjatë. Nuk ishte më prokurori i hekurt, por një njeri që kishte zgjedhur të qëndrojë në vijën e parë të përballjes. Tregoi për veten, për Italinë, për Shqipërinë, për rrjetet kriminale, për drejtësinë lidhjet e tyre me politikën në Shqipëri dhe drejtues të lartë të organeve ligjzbatuese të kohës. Që nga ajo natë, diçka ndryshoi brenda meje. Nga ekipi ynë ishin shumë ata që u bënë gjyqtarë të nderuar dhe luftuan dhe luftojnë edhe sot pa kompromis krimin e organizuar. Dhe nëse disa kolegë më pyesin sot se pse vijoj të flas për grupet kriminale, për kontratën e politikës me krimin, operacionin “Vanilla”, SkyECC, etj burimi është shpesh ajo natë dhe G. Tinebra.

Vite më vonë, kur u bëra ministër drejtësie dhe ai në pension dhe profesor në Sirakuzë, e ftova për ta dekoruar nga Presidenti – së bashku me Prof. Cherif Bassiouni, babain e Gjykatës së Hagës. Ishte një mënyrë për të nderuar figurën e tij. Por Tinebra refuzoi, me modesti, duke zhvilluar me mua një bisedë të gjatë në telefon. I premtova se do shkoja ta takoja por nuk arrita. Pak vite më vonë u nda nga jeta për shkak të një sëmundjeje të rëndë.

Ai ishte njeriu që vuri në pranga G. Brusca dhe, përmes bashkëpunimit të tij, ndihmoi të shkatërroheshin strukturat më të përgjakshme të mafies siciliane.

Falë vizionit, guximit dhe përkushtimit të tij, Sicilia nisi të merrte frymë ndryshe. Për mua, ai mbetet një nga figurat më frymëzuese që kam njohur – jo vetëm si profesionist, por si njeri.

Ai ndikoi thellësisht në drejtimin e jetës sime!
NOA