Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: Thika me gjak…

224
Sigal

 

Kur shoku përballë, me të cilin po pinte raki manaferrash, nisi të vinte buzën në gaz pa ndonjë shkak të dukshëm, Leli Makulla e pyeti: Kujt po ia çon atë buzëqeshje? Atij që këndon në ekran, – iu gjegj tjetri, duke shenjuar me dorë pas kurrizit. E çfarë po thotë ai që këndon? Ai po thotë se, njëherë, iu bë sikur pa gruan e tij me një tjetër. Shenjat të sajat ishin. Por pastaj, si burrë pa këllqe për tradhtinë, i kthehet vetes: Jo, jo, nuk është ajo! Se ime shoqe lë kokën pas meje… e rrena të tjera, e dokrra pa kokrra. Po emrin ia thotë? Françeska ia thotë. Leli Makulla u tkurr dhe kokërdhokët iu zhytën më brenda në gropat e syve. Si kaloi heshtja e gjatë dhe u duk sikur e kishte harruar ekranin, krejt papritur ngriti zërin: Por, ama, Françeska ishte? Ishte që ç’ke me të! – ia vuri damkën bashkëbiseduesi. Dikur edhe Leli Makulla kishte kaluar një provë të hidhur. Vetëm një javë pasi qe kthyer nga Korfuzi, ku kishte punuar gjatë stinës bujqësore, një kushëri i afërt e doganisi keq. Kishte qenë e diel, mbasdite në të errur, kur kishte parkuar para Motel Nevadës. Pas pak, nga xhami i makinës, kushëriri kishte parë gruan e tij me një zotëri burrë, teksa zbrisnin shkallëve të fjetores. Je i sigurt se ishte Magda ime? pyeti Leli. Ishte a s‘ishte i sigurt, kushëriri bëri njëfarë tërheqjeje. Duke ia ndier prafullimat e alarmit, e la disi pezull:

– Ku di unë, ndoshta më kanë bërë sytë! Dy shokët e tavolinës nuk do ta pinin gotën e tretë, po të mos shpërthente jashtë shtrëngata e dimrit. Kështu që, me atë rast, pinë edhe rakinë e katërt. Ndërsa dilnin nga pijetorja, si për ta mbyllur mbrëmjen me humor, tjetri u kujtua: E si e zgjidhi me vete ai babëloku, ishte apo s’ishte Françeska? Ishte, ishte që ç’ke me të! – ia priti i bindur Leli. Pa zbardhur drita, si piu kafen e parë dhe dy cigare me atë filxhan, e zgjoi nga gjumi kushëririn me një zile ngulmuese. Sapo matanë u hap telefoni, foli shkurt: E vrava, pra! I thuaj policisë se nuk jam larguar nga shtëpia. Kishin kaluar tetëmbëdhjetë vjet nga lajmi i kushëririt për Magdën dhe Nevadën. Qysh atëherë e kishte mbajtur dyshimin në zemër si thikë pa gjak. Sa shumë thika të tilla, prej trazimesh të gjithfarshme, mban fshehur njerëzimi në zemrën e vet! Excalibur, Excalibur! Ngulur në shkëmb shpata e mbretit Artur. E kush ka forcë që ta shkulë?!…

Por prova kësaj here ishte thika me gjak.