Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: “ Njeriu me top “

59

Nga romani “ Njeriu me top “, botim i vitit 1975, ngjarjet e vendosura në sfondin e Luftës së dytë Botërore …

Sigal

“ Ata zbritën tatëpjetë kodrës me bela në supe . Mato Gruda shkonte përpara, Augustoja vinte pas. Era ua merrte cepat e xhaketave prej shajaku dhe balta u ngjitej pas këpuce. Tyta e revolverit të vogël në brez të Mato Grudës herë shfaqej e herë fshihej. Lumi Krak shtynte ujë të turbullt dhe oshëtinte tatêpjetë luginës së ngushtë . Nga larg dukej tymi i oxhakut të shtëpive të Fizëve. Era e tymit përzihej me erën e lagështirës së tokës.

Kur iu afruan arës, që shtrihej këtej bregut të lumit, ata ndalën. Një cipë e hollë mjegulle dhe tymi hapej mbi luginë, por kjo cipë ishte e tejdukshme, e kaltër. Nëpër këtë cipëz dukeshin pellgjet e arës së Mato Grudës. Arën e kishte mbjellë me grurë. Bima e imtë vende-vende dukej e verdhë nga lagështira dhe Matos i erdhi keq. Ai u ul dhe këputi një llastar të vogël gruri. E afroi pranë syve, e vështroi, e vërtiti në dorë dhe tha ngadalë:

– Je dobësuar pak , or i uruar . E kam fajin unë që të kam lënë në mes të ujit, që nuk t’i kam thelluar hendeqet, që të kam harruar. Po unë do ta thaj ujin dhe ti do ngrohesh e do ngresh kryet e do hazdisesh. O kolopuçi i xhaxhait – i tha ai kërcellit që mbante në duar dhe pastaj e futi në gojë dhe e përtypi.

Kërcelli kishte erë të mirë dhe Mato Gruda buzëqeshi.

Italiani në fillim kujtoi se Mato Gruda fliste me vete. Kur e kuptoi se ai fliste me kërcellin e grurit, qeshi dhe tundi kokën. “ Matua flet edhe me grurin “- mendoi ai,- duke e shikuar me një admirim të madh të zotin.

Mato Gruda u drejtua në fund të arës, andej nga pjerrësia e saj. Italiani vazhdonte të qëndronte. I zoti ktheu kokën pas:

-Agush, në fillim do të hapim këtë hendek, pastaj do bëjmë ca vija që të kullojë ujët.

Augustoja i ra përmes arës, për të prerë shkurt. Këpucët e tij futeshin thellë në baltë.

– Agush, bjeri nga ledhi, se më dreqose grurin!- thirri Mato Gruda.

-A?

– Më prishe grurin, të them. Një byrek e hëngre që tani, pa ardhur vera.

– A? – pyeti Augustoja.

-Tutkun! Kalo nga ledhi! E shkele me këmbë grurin! Me atë grurë që shkele ti, ne mund të bënim një byrek! – thirri Mato Gruda dhe bëri me dorë.

Augustoja e kuptoi dhe kaloi nga ledhi. Atij iu kujtua koha e ushtrisë. Një batalion i tërë kalonte nëpër grurin e sapombirë dhe gjithçka shkatërrohej. Edhe këpucët e tij e fundosnin grurin. Askush nuk mendonte se, për të mbirë gruri, kishte rrjedhur shumë djersë. Atij i kujtoheshin edhe fshatarët, që vështronin të vrenjtur në ledh të arës. “ Po ai fshatari që u vra në ledhin e arës, se i pati dalë përpara komandantit të batalionit dhe ishte sharë me të? Ai u shtri pranë kërcejve të posambirë të grurit dhe gjaku rrodhi në ledh… Batalioni u largua duke lënë pas grurin e shtrirë dhe të gërryer nga këpucët me gozhdë të zotin e grurit të shpuar me plumb në gjoks. Dy vrasje: fshatari dhe gruri “- mendoi Augustoja . “