Suplementi Pena Shqiptare/ Rreth librit të Enver Lepenicës: “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”

732
Një libër që i shërben pluralizmit kulturor
Prof. Dr. Agron F. Fico, h. c., Albanolog, Etnolog.
N/kryetar i Akademisë Shqiptaro- Amerikane 
Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ka botuar veprën e tetëmbëdhjetë të Enver Memishaj – Lepenica “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”, një pjesë e trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar. Unë pata kënaqësinë të bëj recensimin e këtij libri. Nga mesi i viteve ’70 të shekullit të kaluar në një ekspeditë kërkimore folklorike u gjenda në fshatin Gjorm të Lumit të Vlorës. Në ato vite në këto ekspedita shkonim vetëm me një fletore e laps sipas edhe tematikës së caktuar e të miratuar më parë nga këshilli shkencor i Institutit të Folklorit.

Lumi i Vlorës dhe Labëria në tërësi janë djepi i një tradite të pasur të këngës popullore me një larmi dhe bukuri të pamasë. Ato vise kanë qenë vatra të zjarrta të luftërave dhe përpjekjeve legjendare kundër pushtuesve të huaj turq osmanë e gjer tek fashistët italianë dhe nazistët gjermanë.

Në Gjorm synoja të gjeja dhe regjistroja veçanërisht ato këngë që në termat shkencore quhen “këngë historike të periudhës së Tanzimatit”. Në këto xhevahire popullore ndrit mençuria, trimëria e Tafil Buzit, Gjon Lekës dhe gjer tek figura e Rrapo Hekalit, i cili në një koment të Fan Nolit është cilësuar si pasha me shtatë tuje, gjeneral me shtatë yje. Në një nga ato ditë po fjalosesha me një “singer” (rapsod të fshatit) dhe nga ai shënova disa këngë për trimat e luftërave kundër pushtuesve turq. Rapsodi, ose këndonjësi, pasi mbaruam regjistrimin e këngëve të tij, m’u afrua dhe gati sikur të bisedohej për diçka konspirative më pëshpëriti në rrëzë të veshit një mesazh të papritur aso kohe: “Shok, unë kam qenë ballist”. (?!) Unë, sikur të flisja me vete, ia ktheva aty për aty: Këngët janë të popullit. Këto “këngë popullore të ndaluara”, sipas shprehjes së Fatos Mero Rrapajt, përbëjnë objektin e librit të Enver Memishaj – Lepenica me titull “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”. Libri është një mozaik kulturor, që përfshin ese, artikuj, vlerësime të autorëve të ndryshëm, vjersha e poezi autorësh dhe vendin më të gjerë e zënë këngët popullore, për të cilat si etnolog po përpiqem të shpreh disa mendime. Fatos Mero Rrapajn e kam pasur mik dhe me përulësi mund të them se e kam ndihmuar në përpjekjet e tij për mbledhjen e këngëve popullore atëherë kur si ish-i dënuar politik ishte roje në një ndërmarrje tregtare diku afër urës së Mifolit. Kontributi tij, veçanërisht për folklorin çam, është i madh. Më kujtohet se kur doli vëllimi “Këngët popullore çame” vërshuan urimet, letrat, telegramet nga çamët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ishte befasuese. Fatos Mero Rrapaj, siç kam treguar edhe në një kumtesë mbajtur në Nju Jork, shquhej për ndjenja të thella atdhetare. Në një ekspeditë diku nga Bilishti ishte afruar tek oficeri i kufirit, një djalë i ri, si duket jo fanatik i regjimit, dhe i kishte kërkuar leje që të futej disa metra jashtë vijës së kufirit, që të këpuste ca degë dafine. Një ditë dimri, i lodhur dhe i vuajtur, erdhi në Tiranë dhe u ngjit në apartamentin tim për të pirë një kafe. Gëzimi nuk e linte të mposhtte emocionet. Pasi më tregoi punën e degëve të dafinës, më tha, nesër do të shkoj dhe do t’i vendos këto degë dafine në varrin e Eqrem Çabejt, shqiptarit dhe gjuhëtarit të madh. Më duket me interes shkencor dhe sintetik mendimi i Fatos Mero Rrapajt kur shkruan: “Këngët për Ballin Kombëtar si dhe shumë ngjarje dhe figura të njohura të historisë shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të sotëm politikë ishin “këngë të ndaluara”, por asnjëherë nuk u shuan në kujtesën e brezave, sidomos të atyre që vuajtën gjer në palcë thikën e mallkuar, diktaturën e proletariatit dhe luftën e klasave… Ndërmjet këtyre këngëve ndriçohen ngjarje dhe figura historike si Mid’hat Frashëri, Skënder Muço, Safet Butka, Hysni Lepenica, Bego Gjonzeneli etj, parë në një këndvështrim tjetër nga ai komunist.” Pra “për të mos u shuar në kujtesën e brezave”, Enver Lepenica, me një punë shteruese, na ka dhënë një antologji gati të plotë “të këngëve të ndaluara”, në librin e cituar më lart. Libri në fillim ka një studim të gjatë të autorit dhe mjaft ese në prozë, si eseja tronditëse “Mallëngjimi” i Lumo Skëndos (Mid’hat Frashërit) e të tjera, ka dhe recensime e kritika shkencore, si ajo e Rudolf Markut për poemën satirike “Epopeja e karkalecave” të poetit dhe intelektualit Uran Kostreci.

Këto këngë popullore me frymë atdhetare ishin një frymëzim edhe për të burgosurit e regjimit të egër diktatorial. Ja ç’thotë Petrit A. Velaj: “Zakonisht këndonim këngë të lashta, të traditës së popullit. Nuk mungonin edhe këngët për trimat si Gjon Leka, Dervish Aliu, Luman Bala, Fejzo Xhafo”. (Vep. cit. f. 54.) Enver Memishaj – Lepenica është autor i mbi 16 librave dhe i dhjetëra e dhjetëra eseve dhe artikujve të botuar. Ai është me përvojë të gjatë në këtë lëmë dhe mbi të gjitha, në këtë libër, është treguar dhe ka punuar si mjeshtër e jo si çirak. Duket i merakosur që të gjurmojë, të shfletojë çdo dokument dhe të regjistrojë “çdo gjë dhe për të gjithë”.

Thuhet se skulptori i madh i Rilindjes italiane, Mikelanxhelo, një herë, pasi kishte mbaruar një nga kryeveprat e veta, e pa me vëmendje dhe kur vuri re se hunda e skulpturës nuk shkonte, mori daltën dhe e theu. Pra, as mjeshtrit nuk janë të përkryer. Këmbëngulja për të përfshirë “të gjithë dhe çdo gjë” është si ajo puna e hundës së skulpturës së Mikelanxhelos, prandaj libri do të fitonte më shumë po të përdorej “dalta”, një sitë më e hollë dhe një harrje më e thellë, d.m.th. të ruhej kriteri estetik, pavarësisht se fakti dhe ngjarja mund të jenë reale. Këtë mund dhe duhet ta bëjë redaktori shkencor i librit. Këtu vijmë tek një çështje parimore. Në libër, përveç eseve dhe pjesëve në prozë, zotërojnë pjesët në vargje, të cilat mund të jenë vjersha, poezi, ose këngë të mirëfillta popullore. Ndërsa ndryshimi midis vjershave dhe poezisë është i sqaruar, ai midis vargjeve dhe këngëve popullore është ende jo plotësisht i qartë. Duhet thënë se kënga popullore është aristokrate, nazike dhe transmetohet gojë më gojë. Profesori i Harvardit, Albert B. Lord, zbuluesi i teorisë homerike të letërsisë gojore, ka shkruar se: “The oral poet learns his songs orally, composes them orally, and transmits them orally.” (Albert B. Lord “The Singer of Tales”, New York 1965). E thënë shqip, këndonjësi e mëson këngën gojarisht, e krijon gojarisht dhe e përcjell po gojarisht. Ky është koncepti bazë i teorisë folklorike amerikane, që ndryshon nga ai i folkloristikës sovjetike, që e quante këngën popullore “narodnoe kolektivnost potiçeski tvorçesta” (d.m.th. krijimtari poetike popullore kolektive). Këto pikëpamje, d.m.th. që e shohin si“krijimtari kolektive”, kanë zotëruar edhe në folkloristikën shqiptare gjer para vitit 1990, por ndikime të atyre koncepteve, për të ardhur keq, shfaqen edhe sot e kësaj dite në mjaft “studime” dhe artikuj. Por pa u larguar nga recensimi i librit, duhet pranuar se këngët popullore të vëllimit kanë tiparet e këngëve historike: të shkurtra, 6-8 vargje, oksitone (sepse ato këndohen) dhe me elemente të bukura figurash estetike. Ja një shembull midis shumë të tjerësh në këtë vëllim:

Kur ra nata, pragu ra
E flamuri mbi kala,
Ja! Armiku zbret nga deti
Kraharor me plumba gjeti…
(“Shtatë prilli”, f. 78-79.)
Ja dhe një tjetër e bukur, e shkurtër:
Malet e Borshit ç’u nxinë
S’mbin as bar, as trëndelinë,
Për të zot’ e mbajnë zinë… 
(Vep. cit. f. 79.)

Po në atë faqe është edhe një vjershë e gjatë me autor Hasan Labin, që “nuk dihet kush fshihet pas pseudonimit Hasan Labi”, një perlë poetike e rrallë për ngjarjen e shtatë prillit 1939, por nuk mund të klasifikohet me termin shkencor “këngë popullore historike”, sepse nuk këndohen dot 40 rreshta. Ajo është mirë në libër, por jo në vendin e vet, të vihet në kapitullin me autorë dhe rapsodë, në kapitullin e duhur. Aty ka vargje të fuqishëm poetikë, si:

Ra “Parija” – Shteg i thatë, shtyll’e kalbur e urryer,
Mbet ushtria pa një Krye, e la fronin iku Mbreti,
Ah, ç’po vuan vegjëlia, Shqipëri, bobo ç’të gjeti!
Ty armiku i latintë thikën në asht ta ka mbërthyer…
(Vep. cit. f. 79.)

Në një vështrim tërësor libri i Enver Lepenicës “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar” është një prurje me vlerë në bibliotekën e pluralizmit kulturor, që çliron “këngët e ndaluara” nga pluhuri i harresës dhe ua jep lexuesit. Siç kam përmendur më lart, autori ka punuar si usta, si mjeshtër i librit. Kjo duket midis të tjerave edhe në përdorimin e një “teknologjie” shkencore të pasur, që përfshin një bibliografi gati shtruese, referenca të panumërta, shënime, të dhëna biografike, treguesin e emrave të njerëzve, literaturë, vepra të autorit. Duket që autori ka një përvojë të gjatë ose, siç thuhet, ka punuar në minierën e librave, duke synuar që nga minerali të nxjerrë e të veçojë arin. Ndër vlerat e librit është gjuha, që nga ndërtimi i periudhave, fjalive dhe fjalës shqip. Autori shkruan qartë, me fjali të shkurtra dhe të ndërtuara saktë nga ana sintaksore.

Libri pa dyshim do të mirëpritet me interes nga lexuesi i sotëm, i çliruar nga paragjykimet klasore e mbi të gjitha nga “bari i marksizmit”, sepse pasqyron ngjarje dhe personazhe të një realiteti politik-shoqëror e historik.

Tiranë, 12 maj 2017
Botuar në Internet: gazeta “Tribuna shqiptare.net”, Kanada, dt. 22.3.2018
“Fjala e Lirë”, Londër, dt. 22.3.2018
“Limit.al”, Tiranë, dt. 25.3.2018
Sigal