Suplementi Pena Miltiadh Davidhi: Koloneli  

168
Sigal

(Ngjarje e vërtetë)

Isha duke biseduar me dy shokë, kur dëgjova një zë të njohur dhe të dashur për mua, që po më thërriste në emër. Ktheva kokën nga më erdhi zëri, dhe pashë në anën tjetër të rrugës, në trotuar, Kolonelin. Ju kërkova leje shokëve dhe shkova e takova. Më shikonte me po ata sy të qetë, të urtë e të dashur si përherë. Megjithëse fytyra i kishte marrë ngjyrë të verdhë, të zbetë e të lodhur, me shumë rrudha të shtuara, e cila dhe pse mundohej të buzëqeshte kishte një ndryshim si nata me ditën nga ajo e bardha, e bukura, diellorja që shëndriste pa një rrudhë, përpara se të futej në burg. Trupi i drejtë, muskuloz e i fuqishëm kishte filluar të mpakej. Ndryshim i përshpejtuar në dy kohë të ndryshme, para burgimit dhe pas tij, megjithëse pak vite kish bërë, se e kishin liruar. Por pafajsia e burgosur e kishte mundur. -Erdha të takoja babën, -tha,- ishte rënduar shumë. Nëna më vdiq kur isha në burg…mbase unë ia përshpejtova ikjen…por sa më gëzove, se nuk kisha më as numërin e telefonit tuaj…E përqafova fort mikun tim, atë njeri të thjeshtë, të urtë, të dashur, punëtor të palodhur e të ditur, me disa gjuhë të huaja, ku përkthente e përsoste materialet ushtarake, duke i botuar në libra, që njihej e respektohej nga shumë shtete për njohuritë ambicioze ushtarake që kishte. Ndjeva dhimbje për këtë ndryshim të beftë, si në fytyrë, në trup, por jo, në ndjenja, e njëkohësisht u gëzova që më në fund kishte fituar lirinë. M‘u kujtua, që ai sapo kishte dëgjuar e lexuar emrin në listat e atyre që ishin dënuar në gjyqin e montuar, ishte i vetmi që kishte marrë batanijen e disa rroba, dhe ishte dorëzuar me dëshirë në burg, megjithëse i pafaj, ndërsa shkaktarët kryesor të Gërdecit, kishin ikur nga vendi dhe kishin fituar azil politik në shtete të tjera, ku as sot e kësaj dite nuk kanë bërë as dhe një ditë të vetme burg, e ministri i Gërdecit, si udhëheqes i një partie politike, bën fushatë që sërish të bëhet ministër mbrojtje…ndoshta për një tjetër Gërdec…! Ndjeva neveri ndaj politikanëve të këqinj të vendit tim, që vetëm mashtrojnë me fjalë të bukura, ndërsa gjurmët që lenë pas janë tinëzare dhe vrasëse për këtë popull e këtë vënd. Koloneli kur ndodhi Gërdeci nuk ishte më në detyrën e kolonelit, kishte dy vjet i veshur civil në një detyrë tjetër, që s’kishte lidhje fare me ngjarjen e tmerrshme dhe të përgjakshme. Por, peshku i madh gjithmonë e ha peshkun e vogël.

-Unë jam i pafajshëm, -më tha, -ndaj s’kam pse të kem frikë! Kam besim tek drejtësia. Ata nuk kanë as një fakt të më dënojnë…dhe s’kam arsye të trembem e ta takoj. Më njohin mirë kush jam, e dinë punën time, njohuritë e mia, dhe më kanë vlerësuar përherë! Nga meraku i tregova fabulën e luanit me lepurin:  -Kur mbreti luan dha urdhër, që të gjitha kafshët me brirë të pyllit të largoheshin sa më shpejtë prej tij, i pari që po vraponte me sa fuqi që kishte për t‘i shpëtuar të keqes, ishte një lepur. Dhelpra i doli përpara duke qeshur dhe e qesëndisi: -Po ti, more lepur, nuk hyn në kafshët që kanë brirë, pse po largohesh me kaq shpejtësi?! -Sa ta marr vesh luani, që nuk kam brirë, mua më kanë bërë kurban! Koloneli qeshi dhe më tha të mos kisha merak, se nuk do ndodhte asgjë e tillë, dhe rrufiti kafen e zezë, duke i mbetur buzëqeshja e ngrirë në fundin e filxhanit. Ndoshta nga rrathët e së keqes së zezë, ndjeu dhe ai, diçka, të cilën nuk mund ta besonte. Por situata donte sa më shumë kurban me njerëz të pafajshëm, që të shpëtonte të fajshmit, dhe Qeveria t’i thoshte popullit: -Ja, fajtorët vajtën para drejtësisë! Këta janë brirë mëdhenjtë që shkaktuan katastrofën e Gërdecit! -Më ka kapur gripi, -vazhdoi të fliste, -dhe tashmë s’më ndahet për muaj të tëra. Më ka rënë imuniteti në burg! -Dihet i thashë, – e ke nga stresi i së keqes së kaluar! -Harroje- vazhdova, -tashmë e kaluara mbeti pas, dhe ti je i lirë si gjithë të tjerët, mes shokëve që të respektojnë e të duan si më parë, ndaj largoje stresin sa më shumë! -Po, -tha, -shokët më vinin çdo ditë në burg dhe më dhanë shumë kurajo e forcë, e sërish ndihem i lumtur mes tyre! Mua mëndja më shkoi disa vite më parë kur Koloneli ishte në punë, e jo si tani në pension të parakohshëm. Në kujtesë më kishte mbetur një sasi prej rreth tetëdhjetë kg zhivë, (nitrat plumbi), për mbushjen e kapsollave të fishekëve e sjellë nga pala kineze shumë kohë më parë, dhe që ishte kthyer në një rrezik serioz për gjithë banorët e zonës së Çorovodës dhe më gjërë. Ajo ishte nga lëndët më të rrezikshme të kohës e kërcënuar nga goditjet, shpimi, pamundësia e lëvizjes, transportit, dhe me shumë vështirësi e enigma të frikshme si pasojë e mungesës së njohurive të plota për eleminimin e saj. Gumëzhinin gazetat, stacionet televizive për këtë sasi zhive, që pas shpërthimit të Gërdecit mund të krijonte një Gërdec të ri. Ishte pikërisht Koloneli, personazhi i këtij tregimi i caktuar nga Ministria e Mbrojtjes, i cili e mori përsipër asgjësimin, duke lënë me gojë hapur dhe specialistët më të mirë Amerikanë, e zgjidhur këtë enigmë të frikshme dhe vrasëse për vendin tonë. Më ka mbetur i paharruar në kujtesë ky demontim. Ishte një ditë me qiell të vrenjtur plot me ankth pritje për njerëzit, që kishin mbajtur frymën, ku disa rreze dielli herë dilnin, e herë fshiheshin pas reve, sikur të kishin frikë nga kërcënimi djegës e vrastar, që mund t‘u ndodhte gjatë shkatërrimit të asaj sasie zhive, të tmerruara nga ajo ç’ka kishin përjetuar gjatë shpërthimit plot llahtari të Gërdecit, kur u dogjën e u shkrumbuan mes flakëve, rrezet e diellit, ajri, toka dhe të gjallët. Si të kishte ndodhur një shpërthim i papritur dhe i tmerrshëm vullkani. Inspektimet e bëra nga grupi i reduktimit të rreziqeve në të gjithë botën, këtë sasi të konsiderueshme zhive, si dhe gjithë municionet e tjera, i vlerësoi si një nga më të rrezikshmet në të gjithë Shqipërinë. Me këto kushte pala Shqiptare me disa specialist më në krye Kolonelin Zenun Ferro, e studjuan këtë fenomen dhe vendosi, që e vetmja mënyrë ishte asgjësimi duke e mbushur depon me dy-tre metro ujë dhe djegien me një nga lëndët djegëse si vajguri, benzinë ose naftë, dhe si të arrihej ky process, të bëhej shpërthimi me plasje. Njerëzit kureshtarë e të frikësuar të asaj zone dhe ekipi i Ministrisë më në krye ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe, Gazmend Oketa, e ndiqnin mbi katër km larg me merak e kuriozitet të lartë, se çfarë do ndodhte gjatë këtij demontimi, që kryhej për herë të parë në Shqipëri prej specialistëve tanë. Ndodhi një mrekulli, një plasje e butë, se zhiva ishte ngopur e amortizuar me ujë, dhe një re e bardhë tymi e dëndur, dhe e plotë u ngrit mbi gjashtëqind metra lartësi, si një psherëtimë e mbytur, e u shpërnda prej forcës së erës, duke u shpërbërë e dhënë shpirt mbi shpatet e malit të Tomorrit të mbuluar me një dëborë të bardhë shprese, qetësuese e shpirtrave të djegur e të lodhur nga pasiguria në këtë vënd. Kjo metodë bëri të habiteshin dhe ekspertët Amerikanë e nga ajo ditë, Koloneli, u emërtua prej tyre: Profesor i shkencës ushtarake të municioneve. -Do vini të pimë një kafe bashkë? -më tha, duke m’i ndërprerë mendimet e mësipërme. -E kam për nder të pi një kafe me Ju, -i thashë, e një pikë loti më kishte njomur qerpikët që mundoheshin ta fshihnin nga turpi prej tij, njësoj si në ditën kur e mora vesh lajmin e dënimit prej televizorit, nga këto padrejtësi shokuese që ndodhin, ndaj njerëzve të mirë e të ditur, specialistëve që për njohuritë e tyre, vendi ka kaq shumë nevojë të ecë përpara. E vranë moralisht, shpirtërisht, duke e dënuar e ia shkatërruan jetën, dhe kur ai, s’ishte fare në atë detyrë, prej dy vjetësh! Ecja krah tij dhe ende s’doja ta besoja që një njeri i tillë të ishte dënuar me burg, kur për shumë seanca gjyqësore ishte thirrur si ekspertë! Kërcim spektakolar, nga ekspert në të pandehur! E shikova më me kujdes e thellë në sy dhe kuptova që sytë e tij ishin të ëmbël, të qetë e të butë si dikur, pa më të voglën urrejtje për ata që e kishin dënuar, dhe e kishin shkatërruar në fundin e karrierës, padrejtësisht. Ai të gjithë i kishte falur. Sytë dhe zemra e tij me shikimin shumë larg, tek e ardhmja, sikur thoshin: -Është koha ta duam këtë vend, dhe kështu, me paradokse të tilla të çmëndura. Të jemi gati të sakrifikohemi për të, siç kanë bërë të parët tanë, e do bëjnë të gjithë ata që do vijnë pas nesh! Dhe pse i flakur, kishte mbetur një ushtarak i betuar dhe një patriot i palëkundur. U ndjeva kranar për shokun tim. Me njerëz të tillë duhet të krenohemi të gjithë dhe duhet të nxjerim mësim nga këto përvoja të hidhura, ku e bardha bëhet e zezë dhe e zeza e bardhë, ku fajtori del i pafaj dhe, ai që s’ka fare lidhje me krimin, shpallet fajtor.