Suplementi Pena Shqiptare/ Kujtim Mateli: Brigjeve të dashurisë tokësore, aty ku bleron poezia e Anila Mihalit

895
Anila Mihali, tashmë njihet si poete e talentuar. Qysh me vëllimin e parë poetik “E pafaj është dashuria” u njoh nga lexues të shumtë, vargjet e të cilit u komentuan dhe u recituan në sofrat poetike që krijohen anë e mbanë trojeve shqiptare, ku dhe ka fituar çmime dhe vlerësime të shumta. Me vëllimin e dytë “I dehëm fjalët” poezia e saj u kristalizua akoma më tepër si poezi lirike me nota të forta proteste ndaj dukurive të ndryshme negative që shoqërojnë jetën njerëzore, njëkohësisht edhe si afirmim i vlerave të reja që ka krijuar dhe krijon pandërprere shoqëria shqiptare. Poeti duhet ta njohë lexuesin me motivin kryesor të jetës së tij. Tek ai motiv për të cilin rron e jeton. Shpalosur bukur artistikisht, poetja Anila Mihali e paraqet këtë motiv tek poezia “Prej shpirtit”. Shpirti është parajsa ku ne ruajmë gjërat më të çmuara. Shpirti është vetë qenia njerëzore. Prej nga kanë dalë dhe shprehjet që tregojnë njeriun në sensin pozitiv si: “shpirt i bardhë si dëborë” apo “shpirtzi” për njeriun në sensin negative të gjërave. Shoqërinë njerëzore e dominon dhe e nxitin për të ecur në rrugën drejt së nesërmes njerëzit shpirtbardhë, ata që punojnë dhe luftojnë që shoqëria njerëzore të jetë sa më e shëndetshme. Ata që japin dhe marrin dashuri, që e jetësojnë qenien e tyre me këtë frymë të shenjtë. “Toka ime, që më frymon dashuri”. Ja burimi nga rrjedh forca e njeriut, nga dashuria e tij për tokën. Njeriu dhe toka në të cilin jeton janë të lidhura pazgjidhshmërisht, të dy janë në marrëdhënie jetësore, pa këtë marrëdhënie qenia njerëzore do të kishte qenë e akullt, ashtu si dhe vetë planeti pa qenien njerëzore. Nga kjo marrëdhënie e ngushtë lind dashuria për atdheun, dashuria për të parët e tu që janë pjesë organike e tokës mëmë dhe e vazhdimësisë së brezave. Kësaj toke, së cilës i kemi kushtuar mendjen dhe zemrën, për këtë tokë ku gjejmë kuptimin e jetës, aty ku gjejmë dhe veten tonë.

“Portretin tim skalit me fllade erërash,
Ti ke vështrimin e syve të mi,
Zemrën time,
Emrin tim”.
E gjithë poezia e Anila Mihalit është një oaz dashurie për marrëdhëniet e njeriut mes njëri-tjetrit, larg gjuhës së urrejtjes dhe cinizmit. 


Sigal