Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj; Ekonomi tregu

181
Sigal

U bënë vite që nuk kisha qenë në fshat. U bë sebep  vdekja e një kushëriri që u detyrova të shkoja. Kishin ndryshuar shumë gjëra gjatë kësaj kohe. Qenë bërë shtëpi të reja dhe mjaft të bukura, aq sa tani e kisha vështirë të orientohesha. Qenë mbledhur të afërmit dhe miqtë nga të katër anët, edhe pse ai që kishte ndërruar jetë ishte i ri. Ndofta pikërisht kjo dhe fakti se nuk vuante nga ndonjë sëmundje, bëri që të vinte një oficer i policisë gjyqësore me një mjek dhe ta verifikonte çështjen nga afër. Ata i shoqëronte një polic, djalë fshati që ishte inspektori i komunës. Pasi ngushëlluan gruan dhe prindërit e të vdekurit, ata bënë punën e tyre dhe shkuan. Duke dalë, ai polici nga fshati, pyeti se në ç`orë do bëhej varrimi. Kjo ishte normale, pasi atij i takonte të merrte pjesë në ceremoninë mortore, ca më shumë se qenë rritur me atë fatkeqin. Kur vajti ora për të nxjerrë xhenazenë, erdhi prifti i asaj zone dhe filloi nga shërbesa e vdekjes, ku dha uratën që të vdekurit t`i faleshin mëkatet dhe shpirti t`i shkonte në parajsë te shenjtorët. Të tërë e ndiqnin atë në heshtje dhe herë pas here bënin kryqin. Unë e shihja me shumë kurreshtje, por edhe habi, pasi më ngjiste si dy pika uji me atë policin. Që polici nuk kishte vëlla binjak, këtë e dija mirë. Por ndofta edhe ngaqë aty po mungonte, më lindi dyshim dhe pyeta atë që kisha pranë: Si quhet prifti juaj? Ai pa kthyer kokën, m`u përgjigj: – Po Nasi ore. S`e njeh Nasin ti? – Kë mo, policin? Nasin e Miços? – E ore. Ai vetë është.  – Po si ka mundësi; dy detyra kryen ai? Edhe gjyshin prift e ka pasur, apo s`e mban mend, se je larguar i vogël nga fshati. Heshta dhe vazhdova rrugën, duke ndjekur policin – prift që tundëte temjanicën dhe diçka murmuriste me vete. Kur varrimi mbaroi, babai i të vdekurit, pasi na falenderoi për pjesëmarrjen dhe tha që “Ua shpërblefshim në të mira dhe gëzime”, përfundoi: – Të gjithë siç jini, jeni të ftuar të na nderoni në drekën që kemi shtruar te lokali i Nasit. Unë jo se nuk e dëgjova mirë, por emrit të të zotit të lokalit ku do të shtrohej dreka, nuk i vura ndonjë rëndësi, pasi Nasa aty mund të kishte edhe të tjerë. Dielli digjte si saç, ndaj ashtu si me përtesë, pasi prita radhën për të larë duart, u futa së bashku me një shokun tim të shkollës fillore në restorant. Vdekja, vdekje ose si i thonë: i vdekuri me të vdekurit dhe i gjalli me të gjallët, dhe po prisja të vinte pjata e parë që zakonisht ishte supë. Se dhe uria më kishte marrë, pasi isha nisur që pa gdhirë. Kur shoh dikë që po udhëzonte kamerierët të lëviznin duart. Qe veshur me një kostum të zi dhe mbante një kravatë të kuqe me lule. Hidhte sytë sa majtas – djathtas, dhe s`pushonte së bëri vrejtje. Nga urdhrat që jepte paprerë, kuptohej menjëherë që ishte pronari i atij lokali. “Jo – thashë me vete – të mos më thotë njeri se ky qenka prap Nasi.”  Mirëpo, besoja a nuk besoja unë, ai pikërisht Nasi ishte. I u drejtova atij shokut që tani e kisha në krah: – Ore Dhimo! Po a është ky Nasi polic dhe prift? Po këtu ç`dreqin do? Apo ka tre funksione. Dhimua, që gati u mbyt me lugën e supës, ia dha të qeshurit me zë. Por kur u kujtua se aty kishim shkuar në drekë morti e jo në drekë qejfi, u afrua dhe më sqaroi njëherë e mirë: – Ti e di se ata janë xhins prifti? Epo fillimisht, ai qe polic. Këtu prift nuk kishte, kështu që kur u hap kisha, Nasi shpejtoi të nxirrte rason e gjyshit nga sëndyku dhe e veshi. Këtë e bëj për shpirt thoshte. Se më dhimbsen ata që vdesin dhe s`ka kush t`u thotë dy fjalë. Por kjo nuk i doli për keq. Se njerëzit, i jepnin diçka, nuk e linin duarthatë Nasin. Tani Nasi merrte para nga dy burime, dhe nga që s`dinte ku t`i çonte lekët, iu fut biznesit dhe ndërtoi këtë lokalin që po hamë ne. Këtu nuk shtrohen vetëm dreka për të vdekurit a përvjetorët e tyre. Ka shumë dasma. Sidomos gjatë verës. Me një fjalë, po të kesh parasysh se këtu kalon dhe autostrada, e ndalojnë për t`u çlodhur a për të ngrënë një vaft shumë kalimtarë, duhet ta kuptosh se fitimet janë të majme.  Unë gati i hutuar, fola si në tym: – Kjo vajti si puna e atij te filmi “Specialist për gjithçka”.  Ai shoku ma ktheu: – Ohu! Ka ecur përpara bota! Ai specialisti që thua ti, tani ka mbetur si nxënës para këtyre specialistëve tanë.