Vepra e Presidentit Wilson për Shqipërinë në 1920 u shkatërrua në 8 qershor 2021 nga Presidenti Biden

305
Kastriot Myftaraj
Qëndrimi i Presidentit amerikan Wilson në mbrojtje të Shqipërisë në Konferencën e Paqes të Parisit në 1919-20, nuk ka pasur të bëjë thjesht me kundërshtimin e tij për të njohur Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915. Në të vërtetë ky ishte një qëndrim në parim.
Me rëndësi praktike ka qenë kundërshtimi i Wilsonit që çështja e kufijve të Shqipërisë të lidhej me të ashtuquajturën Çështje të Adriatikut, në kuadrin e një zgjidhjeje për këtë të fundit.
Me emërtimin Çështja e Adriatikut, apo Kriza e Adriatikut u quajt konflikti mes shtetit të porsakrijuar jugosllav të quajtur në atë kohë Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene dhe Italisë për kufijtë e tyre në bregdetin e Adriatikut Verior.
Në të vërtetë Beogradi, me miratimin e Athinës e ripaketoi përmbajtjen e Traktatit të fshehtë të Londrës duke e paraqitur si një zgjidhje të re. Sipas kësaj, kufijtë e Shqipërisë bëheshin pjesë e zgjidhjes së çështjes së Adriatikut.
Pra, nëse Beogradi do të bënte lëshime në kufirin veriperëndimor me Italinë, duhej që të kompensohej me territore të Shqipërisë veriore duke shkuar kufiri jugosllav deri përgjatë Lumit Mat, ose së paku deri përgjatë Drinit.
Greqia nga ana e saj e përdorte këtë qëndrim të shtetit të ri jugosllav si shkak që të kërkonte edhe ajo territore të Shqipërisë së Jugut.
Në kuadrin e kësaj “zgjidhjeje” Beogradi kishte edhe Esat Toptanin i cili kishte bërë një marrëveshje të fshehtë me Beogradin për ta bërë Shqipërinë e mbetur provincë jugosllave.
Kundërshtimi i shprehur qartë dhe prerë i Wilsonit që kufijtë e Shqipërisë të lidheshin me zgjidhjen e Çështjes së Adriatikut i dha fund kësaj loje dhe me këtë shpëtoi shteti shqiptar, në kufijtë që ka sot.
Presidenti Biden me urdhrin ekzekutiv nr. 14033 të datës 8 qershor 2021 zgjeroi dy urdhra ekzekutivë të Presidentit Bush i Riu të 26 qershorit 2001 (Urdhri 13219) dhe 28 majit 2003(Urdhri 13304), të cilët kishin të bënin me vendet e dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, gjë që thuhej shprehimisht në këto urdhra. Presidenti Biden zgjeroi përmbajtjen e këtyre dy urdhrave duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Presidenti Biden fare lehtë mund të kishte nxjerrë një urdhër ekzekutiv të veçantë për Shqipërinë sepse ai i ka kompetencat për ta bërë këtë gjë. Përfshirja e Shqipërisë në dy urdhra të nxjerrë për ish-Jugosllavinë, sot në kohën kur janë në zhvillim nisma që e përfshijnë Shqipërinë në një Jugosllavi të Re të maskuar si Ballkan i Hapur (harta e zbulon të vërtetën që kërkohet të fshihet me fjalë) na ndriçon për atë se çfarë forcash po ndikojnë vendim-marrjen për Shqipërinë në Washington.
Duhet ditur se edhe në kohën e Wilsonit ka pasur forca në SHBA që ushtruan ndikimin e tyre pa sukses që kufijtë e Shqipërisë të bëheshin pjesë e zgjidhjes së Çështjes së Adriatikut pra që Shqipëria të bëhej pako me shtetin e ri jugosllav.
Urdhri ekzekutiv i 8 qershorit 2021 shënon një përmbysje në marrëdhëniet amerikano-shqiptare dhe me të u përmbys vepra e Wilsonit.
Urdhri ekzekutiv i Biden i 8 qershorit 2021 është një akt i njëjtë me atë që bëri Stalini në janar 1948 kur iu tha të dërguarve të Beogradit në Moskë se Jugosllavia duhet ta gëlltiste Shqipërinë, gjë për të cilën kemi dëshminë e Milovan Gjilasit, i pranishëm në takim.
Në atë kohë Shqipëria shpëtoi sepse Presidenti amerikan Truman ia kushtëzoi Titos ndihmën amerikane për Jugosllavinë, ndër të tjera me mosprekjen e Shqipërisë. Ky ishte një vazhdim i politikës wilsoniane në Ballkan.
Presidenti Biden e ka përmbysur këtë politikë amerikane në Ballkan dhe ndaj Shqipërisë.
Sigal