Prof. Donika Omari: Dalje nga ngërçi

20

Le të përpiqemi t’i kalojmë përkohësisht këto mangësi duke e zhvendosur vëmendjen, si të parët ashtu edhe të dytët, te studimi i gjendjes së sotme të gjuhës.

Kjo do të ishte ndihmesa e vërtetë ndaj kombit. 

Sigal

 

U bë një kohë jo pak e gjatë që dy pikëpamje, dy qëndrime diametralisht të kundërta, nga një anë shkencëtarët,  nga ana tjetër “shkencëtarët alternativë”, po mbajnë pezull në një ngërç të zgjatur mediat, dhe jo vetëm mediat, dhe jo vetëm në vendin tonë. Përndezja me të cilën po trajtohet çështja e vjetërsisë së shqipes nuk po lejon të arrihet në një gjykim të ftohtë për të arritur të jepet një përgjigje përfundimtare. Po, së pari, a ka një përgjigje përfundimtare? Së dyti, cili nga dy qëndrimet do të mund të jetë bindës për të dyja palët?

Përmendëm më sipër fjalën ngërç, që sipas fjalorit është: Ndërprerje e menjëhershme e një veprimtarie etj, që zgjat e që shoqërohet me pasoja negative. Nga ky përkufizim kuptohet se gjendja e ngërçit është një humbje kohe e kotë, e panevojshme dhe e dëmshme.

Në librin Udhëtimet e Guliverit, Suifti e jep me një ironi të këndshme “punën” e disa shkencëtarëve, që merren me “problemin alarmant” nëse do të lindë dielli apo jo. Kjo gjendje ka një ngjashmëri me ethet për të vërtetuar vjetërsinë e gjuhës sonë që ka kapur jo vetëm shkencëtarët alternativë , por edhe një pjesë të mirë të shoqërisë.

Kohët e fundit ndoqa një emision televiziv ku ishin të ftuar dy përkthyes dhe profesor Xhevat Lloshi. Diskutohej pikërisht çështja e vjetërsisë së shqipes. Që në fillim detyrohesh t’i bësh vetes pyetjen: A janë pak a shumë të balancuara forcat?  Materialet e sjella prej përkthyesve janë të vjetra, dhe,  siç e argumentoi profesori, të kapërcyera nga koha. Megjithatë përkthyesit vazhduan në të vetën. Dhe kjo ndodh në të gjitha këto lloj emisionesh. A s’është pra një humbje kohe, përderisa të gjitha përfundojnë me mosmarrëveshje? Edhe ata që i ndjekin mbeten në qëndrimet që kanë pasur: disa me shkencëtarët e tjerë me alternativët.

Emisioni i përmendur më sipër do të duhej të fillonte aty ku mbaroi. Nga fundi u fol për fjalët e huaja që po hyjnë në shqipe, dhe se për këtë dukuri s’po ka asnjë reagim nga institucionet. Më në fund një pikë e përbashkët mes dy ballafaqimeve. Përkthyesja Vokopola Gjoka e argumentoi mirë se sa e dëmshme është t’ia lësh derën hapur gjithfarë ndikimesh në leksik e sintaksë, që e çnatyrojnë gjuhën. Kur i marrim veç e veç, tha ajo, nuk e vëmë re dëmin, por po t’i bashkojmë na dalin fraza pa asnjë kuptim në shqipe. Pra, ajo nga një e shkuar thellë në shekuj kaloi në ditët e sotme. (Ndërkaq, me këtë pohim të arsyeshëm, ndofta do t’i lindë dyshimi i arsyeshëm se kur gjuha mund të ndryshoka edhe brenda disa dekadave, a mos ndofta ndryshon sa të mos njihet gjatë një rrugëtimi shumëshekullor?) Profesor Lloshi, pasi shpjegoi me të dhëna të sakta se ku qëndron vështirësia për t’u marrë me një vjetërsi kaq të shtyrë në kohë, të dhëna të nxjerra nga puna e tij e lavdërueshme shkencore shumëvjeçare, kaloi edhe ai në probleme të sotme. Dhe këtu përsëri njeriu i bën pyetje vetes: Kur e humbëm deri në këtë shkallë mençurinë ne si popull që, (për të përdorur një metaforë paksa të ekzagjeruar), ndërsa shtëpia na digjet kërkojmë të dimë kur është ndërtuar?

Humbjet që po pëson shqipja sot janë vërtet alarmante. Së pari nga mungesa e kulturës gjuhësore. Kështu, gabohet numri, gjinia dhe rasa e emrave. Shkelet sistemi foljor, kohët, mënyrat, diatezat. Po zhduket mënyra dëshirore. Pastaj, siç u tha më sipër, dëmi që vjen nga dyndja e fjalëve dhe konstrukteve të huaja.

Në filmat amerikanë, ku trajtohet çdo problem që i takon qenies njeri, (dhe kjo me mjetet e artit skenik), trajtohet me humor edhe çfarë e karakterizon njeriun e vonuar. Në disa nga këta filma shqiptarët, për fat të keq, janë parë si mashtrues, gënjeshtarë e deri kriminelë, por deri tani jo si të vonuar. Deri tani! Me këtë ngërç ku kemi ngecur, a do të mund ta shmangim të na quajnë edhe të vonuar? Çka është edhe më poshtëruese.

Një zgjidhje për dalje nga ngërçi them se do të ishte një armëpushim. Është shumë e drejtë kritika që bëhet ndaj shkencëtarëve, ndaj akademikëve, që nuk kanë bërë asnjë përpjekje, ose përpjekje fare të rralla,  për të afruar shkencën te njeriu i thjeshtë. Kjo kritikë mund t’u bëhet edhe alternativëve, që nuk bëjnë asnjë përpjekje për të përçuar te njeriu i thjeshtë njohuri të pranuara nga forume ndërkombëtare albanologjike, e jo nga persona të veçantë.

Le të përpiqemi t’i kalojmë përkohësisht këto mangësi duke e zhvendosur vëmendjen, si të parët ashtu edhe të dytët, te studimi i gjendjes së sotme të gjuhës.

Kjo do të ishte ndihmesa e vërtetë ndaj kombit.