Gëzim Zilja: Nuk mbahet pushteti duke shitur Shqipërinë Zoti Kryeministër

30

“Njerëzit ikin natën, ditën, nga deti, ajri e toka, a thua në dheun e shqiponjave ka pllakosur murtaja si dikur në mesjetë.? Ikin nga kaosi, varfëria, pabesia, padrejtësia, pasiguria e jetës, mungesa e lirisë, korrupsioni galopant, që mbizotërojnë në tokën e shqiponjave.”

Sigal

Telegraf.al / Dhjetë vitet e fundit largimi i shqiptarëve në dhera të huaja është kthyer në një dukuri të frikshme dhe të pandalshme. Njerëzit ikin natën, ditën, nga deti, ajri e toka, a thua në dheun e shqiponjave ka pllakosur murtaja si dikur në mesjetë.? Ikin nga kaosi, varfëria, pabesia, padrejtësia, pasiguria e jetës, mungesa e lirisë, korrupsioni galopant, që mbizotërojnë në tokën e shqiponjave. Qindra fshatra dikur plot jetë e gjallëri tani janë pa njerëz. Vetëm varrezat vazhdojnë të mirëmbahen e varret të shtohen, sipas amanetit të lënë në gjallje nga mërgimtarët e shumtë nëpër botë. Ndërkaq kryeministri shqiptar Edi Rama, në rrafshin ndërkombëtar ka arritur të fitojë përkrahje të konsiderueshme qoftë drejtpërdrejt, qoftë me heshtjen e disa shteteve perëndimore pavarësisht gjendjes kritike, ku gjendet Shqipëria si vendi më i varfër dhe më i korruptuar në Europë. KM-ja e ka kthyer shumicën socialiste, në një turmë amorfe dhe deputetët në dele të bindura, që vetëm ulin e ngrenë kartonat sipas vendimeve të bariut. Me intrigat e brendshme (dhënia padrejtësisht me anë të gjykatave të sunduara prej tij vulën e PD-së Bashës, moslejimi i komisioneve hetues etj.). Ai është kthyer në përçarës të opozitës, duke e katandisur në një opozitë të pafuqishme dhe të çorganizuar. Lavdërimi i tij nga sekretari amerikan i SHBA-ve, Blinken, kur 40% e shqiptarëve përpiqen të sigurojnë bukën e gojës dhe Shqipëria ka probleme, si vend prodhues e transportues i drogave në Europë, me korrupsionin, shpopullimin etj, tronditi besimin e shumë shqiptarëve te aleati i tyre më i ngushtë. Si po ecin punët, duket që edhe drejtësia e re, një investim i madh amerikan nuk po jep rezultatet e duhura dhe një pjesë e saj është nën ndikimin e kryeministrit shqiptar. Po cila është kostua ose çmimi që Rama, ka paguar dhe paguan, duke marrë lëvdata të pamerituara dhe heshtjen e disa vendeve perëndimore, duke qenë udhëheqës i një vendi të varfër, thellësisht të korruptuar me gjysmën e qeverisë në në burg ose nën hetim?

Ardhja e muxhahidinëve të organizatës iraniane MEK, filloi më 2012 me Berishën dhe shifra më 2016 me Ramën arriti 3.000. Në vitin 2020 muxhahidinët (muxhahidin=luftëtar i çështjes islame) u vendosën në Manzë në një sipërfaqe 40 hektarësh. Kjo ishte një nismë amerikane që për dislokimin e tyre në kampin Ashraf-3, kishte kontribuar, me rreth 20 milionë dollarë. Pas një aksioni të policisë shqiptare vitin e kaluar në këtë kamp mbi dyshimet se pjestarë të saj kanë kryer veprat penale “provokim i luftës” dhe “sulme kibernetike”, DASH-i theksoi se SHBA-ja nuk e financon këtë organizatë. Se kush qëndron prapa financimit të organizatës së muxhahedinëve, mbetet një enigmë. Sulmet kibernetike ndaj qeverisë së Shqipërisë janë të motivuara politikisht dhe prapa tyre qëndrojnë aktorë që janë të lidhur me Qeverinë e Iranit. Ky ishte përfundimi i analizës së kompanisë amerikane Microsoft, më 8 shtator, 2023, e cila në mënyrë të detajuar ka analizuar sulmin ndaj serverëve shtetërorë në Shqipëri. Me strehimin e muxhahidinëve Shqipëria u shpall shtet terrorist nga Irani. Nga sulmet kibernetike, Siguria Kombëtare e Shqipërisë është në nivelin zero. Kushdo mund të hyjë në serverat përkatës e të mësojë gjithçka madje edhe sa rrënjë ullinj ka KM-ja në Syrel ose si e gatuan hallvën Natën e Kadrit familja e Ulsi Manjës. Strehimi i qindra afganëve, dhuratë amerikane, për vite me rradhë në hotelet e Shëngjinit, marrëveshja me Melonin për të strehuar tremijë refugjatë në Lezhë, (ka projekte për çuarjen e Syrit të Kaltër në Jug të Italisë dhe ndërtimin e një centrali bërthamor), transporti i të dënuarve në Angli, në burgjet shqiptare, janë një sforco e madhe për qeverinë dhe cënojnë Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë, Dhënia e 200 ha tokë në bregdetin e Vlorës (pa përmendur dhjetëra ha në bazën e Kuçovës e në Bizë të Martaneshit) për ndërtimin e depove, e rafinerive gjigande për prodhimin e gazit të lëngët me të cilin do të furnizohet Ballkani Perëndimor, shkatërron zhvillimin e turizmit në një vend të vogël si Shqipëria. Bisedimet e Alket Hysenit me qylaxhinjë të tjerë qeveritarë në prill 2023 me Z. James Richard Perry, ish-Sekretar për Energjinë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këto ditë të KM-së në Azerbaxhian për gazifikimin e Shqipërisë, është një gjëmë për ekonominë shqiptare dhe sidomos turizmin në Gjirin e Vlorës. Në një kohë kur gjithë bota priret drejt energjisë diellore, ujore dhe të erës, që janë orientim i OKB-së dhe BE-së, Efendiu ynë, alias KM-ja, i Albanisë së bekuar me diell, erë e ujëra, kërkon të blejë gaz nga Amerika e Azerbaxhiani e të gazifikojë vendin, duke filluar një projekt pilot me Korçën. Po përmend këtu pa koment TEC-et lundruese të përuruara nga ambasadorja amerikane KIM dhe zv/km-ja BALLUKU, blerjen e dy satelitëve, (nismë personale e KM-së) nga shoqëri amerikane dhe shpërblimi i zonjës Bler me tre milionë dollarë për çështjen e humbur të kufirit detar. Në emër të zhvillimit dhe përparimit, qeveria e korruptuar i dhuroi manjatit arab Alabar portin 3.000 vjeçar të Durrësit me 86 ha tokë dhe 67 ha det për ndërtimin e Dubait shqiptar. Sot porti i Durrësit punon me 25% të kapacitetit dhe humbjet arrijnë në qindra milionë euro.

“Sot porti i Durrësit punon me 25% të kapacitetit dhe humbjet arrijnë në qindra milionë euro. Në jug, qeveritë shqiptare zemërgjera përkëdhelin Greqinë, duke dhuruar dhjetëra ha tokë në luginat e lulëzuara të Përmetit për varrezat e ushtarëve grekë, që shumëfishtohen çdo pesë vjet.”

Një pjesë e anijeve përpunohet në Porto Romano. Porto Romano do të paktën dhjetë vjet të ndërtohet dhe qeverisë i duhen dy miliardë dollarë që nuk i ka. Ndërkaq KM-ja u lutet amerikanëve të ndërtojnë një bazë detare të NATO-s në Porto Romano, gjë që amerikanët e kanë refuzuar disa here!?  Në jug, qeveritë shqiptare zemërgjera përkëdhelin Greqinë, duke dhuruar dhjetëra ha tokë në luginat e lulëzuara të Përmetit për varrezat e ushtarëve grekë, që shumëfishtohen çdo pesë vjet. Rama duke injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare e kaloi çështjen e kufirit detar në Strasburg, ku ndikimi shqiptar është zero dhe ai grek shumë i fuqishëm. Çështja Beleri i ka tronditur marrëdhëniet Rama-Greqi po Shqipëria ka ende për t’i dhuruar Greqisë. Servilizmi i Ramës arriti kulmin me ndërtimin falas të bustit të babait të Kryeministrit grek në Dropull, po ky as e fërshëlleu dhe nuk denjojë të shkojë në inaugurim. Dhjetëra ha tokë i janë falur turqve në ish Kombinatin Metalurgjik dhe në zonat minerare të kromit e bakrit në veri. Fushat naftëmbajtëse vazhdojnë të shfrytëzohen në mënyrë barbare nga shoqëri të dyshimta dhe kjo është kthyer në një fatkeqësi për banorët e atyre zonave. Nga gjithë këto afera shqiptarët nuk fitojnë asgjë ose ndonjëherë disa thërrime. Ndërkohë perëndimi shpërblen dhe përkëdhel Edi Ramën duke organizuar Samite paradë, shpesh butaforikë, në këtë vend të varfër, duke heshtur për faktet, që Rama vjedh zgjedhjet, ka kthyer Shqipërinë në lavatriçe të pastrimit të parave të mafias botërore, për ndërtimet miliardëshe me dhe pa leje, etj etj. Na duhet bashkëpunimi, investimet dhe miqësia me shtetet e huaja sidomos me Amerikën, por e para është Shqipëria dhe interesat e popullit shqiptar, jo interesat e Italisë, Greqisë, Turqisë, Anglisë apo Amerikës. Gjithë marrëveshjet apo lëshimet me koncesionet që u ka bërë dhe u bën Rama të huajve shpesh pa aprovimin e parlamentit, janë në dëm të Shqipërisë e në interes të kryeministrit, për ta lenë të qetë të drejtojë shtetin si pronë private.

Së fundmi, por jo për nga rëndësia: Asnjë kontroll nuk gjen në faqet e KLSH-së për shpenzimet e kryeministrisë. Të paktën të ishin shpallur shpenzimet e udhëtimeve jashtë shtetit këta dhjetë vet. Do të tronditeshin shqiptarët matufë e të zgjuar me shpenzimet që arrijnë shuma marramendëse të pajustifikuara.