Shkrimtari Bashkim K. më priste te Kafe “Odeoni” në anë të bulevardit kryesor. Kishte veshur një kostum të ri në ngjyrë të çelur dhe në kokë kishte vënë një borsalino nga ato që mbajnë gjahtarët andej nga Gjermania, ku kishte qenë disa ditë tek i biri. Me pak fjalë, i kishte rënë një nur dhe tregonte shumë më i ri nga ç`ishte në të vërtetë. Se Bashkimi i kishte lënë me kohë të tetëdhjetë e pesat. “Djalosh mbete gjithmonë. Qënke mirë dhe sikur je rinuar or mik”! Ai qeshi dhe m`u përgjigj: “Ore, unë rinohem këtu me shokët e miqtë e mi, se andej, nuk ke me kë shkëmben dy fjalë”. “Po si e kaloje ditën?”- e pyeta. “Po ja, ndonjë shëtitje buzë lumit. Dhe andej nga Biblioteka lexoja revista në italisht, se gjermanisht nuk i bëj dy fjalë bashkë”. Si heshti një hop, sa i dhamë porosinë kamerierit, ai vazhdoi: “Se mbasditeve, ishte tjetërsoj; vinte djali dhe nusja me fëmijët e tyre dhe ndryshonte situata. Janë rregulluar mirë ata. Kanë dhe shtëpinë e tyre atje në B. që nuk është shumë larg nga Munihu. Edhe fëmijët i kanë nëpër shkolla. Mbesa në gjimnaz, kurse nipi vazhdon universitetin. Kur e pyeta si shkonte me mësime, nipi që e dija se ndiqte studimet në fakultetin Juridik, më çuditi kur më tha se studionte për mësues kriminalistike. I thashë se po qe për mësues, kemi Pedagogjike në Shqipëri mor bir, dhe ai më sqaroi se kjo ishte degë më vete. Unë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë…” Ndërkohë, në trotuar pamë dy policë pa kapele, njëri nga të cilët mbante një bllok të madh në dorë dhe një stilolaps. Atyre iu afrua një djalë trupmadh, i cili diçka po hante. U takuan dhe nisën të flisnin me zë të lartë. Djali, sapo mbaroi së ngrëni atë që kishte mbështjellë, e bëri atë letrën e ambalazhit shuk dhe e hodhi m`u aty ku ishte, te këmbët e tyre. As dy a tre metra larg, ishte koshi i mbeturinave i një lokali. Por ai preferoi ta hidhte në trotuar. Ne pamë njëri – tjetrin dhe nuk folëm. Kur vumë re se as atyre policëve që po shkriheshin gazit me të, nuk iu bëri as më të voglën përshtypje, mua nuk m`u durura dhe fola: “Të paktën, nuk ma do mendja se atje polici tregohet kaq indiferent kur sheh dikë që gabon”. “As që bëhet fjalë… Si mund të bësh gallatë me policët në Gjermani; të bësh ndonjë shkelje dhe ata të mbajnë sehir”? Dhe teksa pinim kafetë, Bashkimi më tregoi se ç`i kishte ndodhur një ditë. “Siç të thashë, shkoja shpesh paraditeve te Biblioteka e qytetit që ishte një vepër arti. Përpara kishte një oborr të madh me stola dhe lule nga të gjitha llojet. Më tërhoqi shikimin një trëndafil i madh i kuq, dhe ngaqë te ne u ishte harruar me kohë era, u përkula dhe e këputa. Sa hap e mbyll sytë, sa nuk arrita t`i marr erë, kur ja mbërriti një polic me motorr. Ndaloi te këmbët e mia dhe thashë, dreqi e mori, ç`m`u desh që e këputa. Hajde tani paguaj gjobën. Turp një herë… jam dhe i moshuar”. Ai, nisi të thoshte diçka, por unë nuk kuptoja asnjë fjalë. Natyrisht, e dija se po më qortonte për atë trëndafilin. Kjo dukej edhe nga lëvizjet dhe shqetësimi që po tregonte edhe pse fliste me zë të ulët dhe shumë edukatë. I thashë shqip se nuk kuptoja gjermanisht dhe e pyeta “Parla italiano?” Por as ai nuk dinte italisht. Pashë, ç`pashë dhe mblodha gishtat e njërës dorë dhe duke i tundur dhe drejtuar nga trëndafili që e kisha afruar te hunda, desha t`i lija të kuptonte se ka erë të mirë. Pastaj u kujtova dhe i thashë “Albanez”. Ai nënqeshi, tundi kokën dhe duke thënë diçka me zë të ulët, ia hipi motorrit dhe u largua. Shpëtova, thashë me vete dhe u nisa për në shtëpi. Kur s`vonoi dhe përsëri dëgjova zhurmën e motorrit që më preu rrugën. Bo, bo thashë, prap ky. M`u qep e s`po më ndahet. Ka sjellë gjobën si duket. Ai, si zbriti nga motorri, m`u afrua buzagas dhe më zgjati një tufë të madhe me lule. Unë shtanga. Tanke! i thashë, se vetëm këtë fjalë dija nga gjuha e tij dhe si e përshëndeta, vazhdova rrugën. Kur shkova në shtëpi, nipi kishte mbërritur më parë. Si më pa me atë tufën e luleve në dorë, buzëqeshi dhe më tha: “Po ti mor gjysh, mos ke zënë ndonjë plakë dashnore këtu në B? Pak lule ke në oborrin tonë?” Unë e sqarova përsa më kishte ngjarë. Ai më dëgjoi dhe tha se ta paska dhënë një mësim të mirë ai polici. Ashtu ështe, i thashë; policët këtu janë seriozë, të rreptë dhe të drejtë, por edhe me takt. Të vrasin me pambuk. “Por janë edhe të shkolluar deri në detaje – shtoi nipi” Kishte të drejtë; ndryshimi nuk ishte i vogël, gjersa te ne policët kapardiseshin bulevardit pa kapele, me uniformë të çrregullt dhe një bllok gjobash në dorë, kurse atje të sillte një tufë me lule”.