Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Alqi Naqellari: Dy vëllime me përmbledhje artikujsh shkencorë

Të dy vëllimet përfshijnë 40 artikuj shkencorë  të botuar jashtë Shqipërisë në Revista Shkencore dhe në Përmbledhëset e Konferencave për vitet 2010-2015 dhe 2015-2020.  Së bashku me vëllimin e dytë janë botuar me Faktor Impakti 12 artikuj dhe 4 me indeks SCOPUS. Në këto përmbledhëse janë përfshirë edhe artikujt e botuar me bashkëautor. Kjo është një kënaqësi për mua sepse tregon vlerat e bshkëpunimit midis kolegëve të fushave dhe universiteteve të ndryshme.

 VËLLIMI I  ka këtë strukturë, arritje dhe konkluzione 

NOA

Artikujt e mbledhur  në këtë vëllim trajtojnë kryesisht probleme të politikave  ekonomike të hartuara dhe zbatuara nga Qeveria shqiptare dhe Banka Qendrore e Shqipërisë. Konkretisht:  -Trajtohen probleme të inflacionit, tiparet, veçoritë shkaqet dhe pasojat e tij në ekonominë shqiptare.   -Është analizuar sistemi financiar shqiptar, politikat e Bankës Qëndrore etj. Konkluzioni; Banka Qendrore duhet të rishikojë objektivin e saj kryesor në mënyrë që ta lidhi aktivitetin e saj me rritjen ekonomike dhe rënjen e papunësisë. Është hedhur mendimi që të krijohet një Bankë me Kapital shtetëror dhe një Bursë të kapitaleve.  -Janë analizuar politikat e taksave duke u përqëndruar në ndarjen e barrës së taksave midis prodhuesve-shitësve dhe konsumatorëve duke marrë në konsideratë koeficientët e elasticitetit. Konkluzioni; ligjvënësit duhet të marrin në konsideratë se kush do ta përballojë barrën e taksave, konsumatorët, apo shitësit.  -Është analizuar modeli ekonomik që është zbatuar në ekonominë shqiptare, raportet me vendet e tjera. Konkluzioni është se modeli ekonomik i zbatuar është model shpenzimi dhe jo prodhimi. Ekonomia shqiptare duhet të bazohet në zhvillimin e sektorit të energjitikës, industrisë përpunuese, bujqësisë etj.  -Në këtë vëllim është botuar edhe materiali mbi pjerrësinë pozitive të kurbës së Kërkesës Agregate. Është hera e parë që një paraqitje e tillë shprehet publikisht. Janë botuar materiale ku janë aplikuar metodat matematike etj.

 VËLLIMI II  ka këtë strukturë, arritje dhe konkluzione

Disa nga arritjet që bëjnë kontribut në mendimin ekonomik shqiptar dhe të huaj. Teoria Keynsiane. Me këtë temë janë realizuar 8 punime. Punimet kanë objekt analize; modelin makroekonomik të ekuilibrit në tregun e të mirave dhe shërbimeve, AD-AS, modelin e ekuilibrit makroekonomik ku përfshihet edhe politika monetare IS-LM. Është konsideruar si objekt analize Modeli IS-LM i ndërtuar nga Hicks-Hansen dhe modeli IS-LM i ndërtuar nga Dornbusch- Fischer, Modeli i Kryqit Keynsian, etj. Analiza e teorisë Keynsiane ka filluar që në vitin 2012, kur u publikua punimi i pare. Në vitet e fundit kjo analizë është bërë me e thelluar dhe më produktive.

 Cilat janë disa nga konkluzionet e punimeve:

Modelet e tregut agregat keynsian, të ndërmjetëm dhe klasik praktikisht janë të paaplikueshëm. Modeli është statik, me konkluzione të parashikuara, që shpesh nuk përputhet me realitetin e tregut. Me anë të modeleve ekzistuese nuk mund të realizohen analiza ekonomike.

Sipas teorisë marksiste, për shkak të kontraditave të brendshme të mallit, nuk ka përputhje midis kërkesës dhe ofertës. Barazia midis shpenzimeve dhe të ardhurave vjen nga mënyra e shprehjes  së Prodhimit, (GDP).  Smithi dhe Say e shprehin si kërkesë efektive.

Asnjë nga kurbat e kërkesës nuk është me pjerrësi negative. Këto janë realizuar duke marrë në konsideratë teorinë marksiste mbi mallin, teorinë e socializmit kinez të tregut etj.

Kurba e kërkesës agregate është me pjerrësi pozitive. Kjo është provuar teorikisht dhe praktikisht me të dhënat e ekonomisë shqiptare.

Modeli Kryqit Keynsian është i pasaktë. Modeli presupozon kurbën e kërkesës agregate njësoj si kurbën e shpenzimeve të firmës në Modelin Kosto-Përfitime. Kjo kurbë sipas këtij modeli qëndron gjithnjë poshtë kurbës së të ardhurave. Ky pozicion dikton në mënyrë absolute mjetin  e arritjes së ekuilibrit, që janë shpenzimet autonome. Ky model justifikon shpenzimet autonome, kreditë e huaja, borxhet qeveritare, PPP-të, koncensionet etj.

Multiplikatori nuk mund të përdoret për atë qëllim që është krijuar. Ky është një tregues efektiviteti në modelin e prodhimit, TR/TFC. Në përllogaritjen e tij janë përzier modeli i prodhimit dhe modeli konsumit. Ai nuk mund të përdoret në sferën e konsumit.

Kurba e investimeve nuk fillon nga 0, si kufi i stokut të kredisë, por mund të fillojë edhe nga minusi. Duke filluar nga minusi, nuk mund të krijohet edhe modeli (IS-LM) i Hicks-Hansenit.

Midis normave të interesit dhe stokut të kredive nuk ka gjithmonë lidhje negative, por shumë herë ka lidhje pozitive. Në këtë mënyrë kurba e investimeve, mund të jetë me pjerrësi pozitive, negative dhe paralel me boshtin e X-ve.

Ulja e normës së interesit të kredive në All, drejt zeros, nuk ka gjithnjë efekt nxitës. Në këtë situatë, koeficienti elasticitetit midis stokut të kredive dhe normës së interesit shkon drejt zeros. Në kushtet e mësipërme modeli IS prej Kryqit Keynsian nuk mund të ndërtohet.

Ulja e depozitave në lekë ka çuar në rritje të kredive në lekë.

Rritja e GDP-së është shoqëruar me rënjen e Depozitave në Lekë.

Librat gjenden në Bibliotekën Kombëtare.