Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Të kisha thënë

187
Sigal

Të kisha thënë, që s’dua të të humb
dhe, për këtë mund të bëja gjithçka!
Përshembull, do të të nisja dyzet puthje me një pëllumb
sa herë të ishim larg.

S’ka gjë se gjithë puthjet do t’i merrnin ata,
(diçka do më sillnin dhe mua)!
Pëllumbat janë miq me zemër të bardhë,
prandaj dhe i dua.

Të kisha premtuar, se emrin tënd
mund ta gdhendja pranë emrit tim,
me një daltë të tejdukshme prej drite,
të prisnim së bashku të njëjtin agim
dhe, të njëjtin perëndim nëpër vite.

Të ulur mbi një shkëmb të bregut,
me sy mbi valët buzëqeshur,
mbi kokë dy kapa marinarësh
dhe, nga një bluzë të kaltër veshur.

Të kisha premtuar dhe për këtë s’jam penduar
(paçka se me ‘to firmosa fundin tim).
Pëllumbat që do të nisja, dikush i ka helmuar:
sigurisht me qëllim.

Nuk di ç’iu bënë ata të mirët,
që ngado mbillnin bardhësi,
unë mund të dyshoj te shumë njerëz njëherësh
pa të përjashtuar ty.

Të kisha thënë, se kurrë nuk do të doja të të humbja
(por ti deshe të humbisje vetë)!
Të paktën të më çoje një ngushëllim për pëllumbat,
që i krijova për ty enkas nga retë.