Petrit Beqiri
Poet e publicist
Libri më i ri i autorit gjirokastrit Çano Nora


Kur intervista bëhet rrëfim i shpirtit
“Edhe zemrat flasin!…” , sapo ka dalë nga shtypi dhe vjen si një dëshmi e gjallë e një Shqipërie, që flet përmes zërave të njerëzve ,që kanë bërë histori me fjalë, me vepra, me dhimbje e triumfe.
Nuk është një libër i zakonshëm me intervista .Nuk janë pyetje të thata e përgjigje protokollare. Aty ndihen dhimbjet e shpirtit, përshkohen nga kujtesa , ndizen ndjenja , ringjallen copëza historie të fjetura prej kohësh. Janë rrëfime që vijnë nga zemrat dhe i flasin zemrës.
Figura të njohura të jetës politike , kulturore, historike e shoqërore rrëfejnë në këto njëqind e pesëmbëdhjetë faqe të këtij libri , për të kaluarën , për ëndrrat e prera në mes , për sfidat , për plagët e kohës së diktaturës dhe për mbijetesën në këtë vend ku fjala shpesh është e vonuar , por asnjëherë e lënë në harresë.

Çano Nora , me përvojën e tij si gazetar e njeri i fjalës së matur, i jep lexuesit një vepër që shkon përtej kronikës dhe informimit. Ai sjell rrëfim , ndjeshmëri , kthjelltësi dhe vërtetësi.Çdo intervistë është një pasqyrë ku pasqyrohet jo vetëm personazhi ,por dhe vet shoqëria shqiptare në vite.
“Edhe zemrat flasin!” Është një libër që i flet publikut të sotëm përmes të vërtetave të së djeshmes ,për të kuptuar më mirë vetveten sot.
Për lexuesit , studiuesit dhe brezat e rinj , ky botim është një thesar kujtese dhe ndjeshmërie. Për median është një ftesë për të dëgjuar zera që nuk duhen harruar. Le të kujtojmë këtu intervistën e pazakontë të doktor Vasil Labovitit , që shpëtoi Gjirokastrën dhe 200 burra gjirokastritë nga djegia prej forcave gjermane, historinë e vllehëve të “Andon Poçit” që ushqyen partizanët e Elbasanit gjatë luftës dhe pas çlirimit të vendit ,u morën pronat dhe i lanë me gisht në gojë. Le të sjellim në kujtesë për lexuesit historinë e Rrapo Pulës nga Zhulati, që e arrestuan se si bindej urdhrave të regjimit dhe e lanë e vdiq në burgun e Burrelit, për një gotë ujë e për një kokërr aspirinë.
Janë tetë intervista si hallkat e një zinxhiri të artë, që nuk këputen në asnjë pikë, që na sjellin historinë dhe hedhin dritë për personazhet që s’ishin vlerësuar gjer tani, apo ishin lënë nga qëllimet dashakeqëse si “kujtime të harruara”Autori s’i ka shkruar këto intervista të përmbledhura në këtë libër ,në një orë e në një ditë, por ka punuar me pasion e dashuri, ka takuar njerëz e personazhe , prej të cilëve “ka vjelur” nga “parcelat ” e jetës së tyre, për të sjellë para nesh historitë e pazakonta të atyre që kanë bërë historinë e këtij vendi. Është vendi të theksojmë këtu se shkrimet interesante të Çano Norës, jo vetëm gazeta “Telegraf”, që i boton dhe i reklamon aq bukur për lexuesit, por edhe redaksitë e gazetave të tjera , mirë do të ishte , që shkrimet e këtij publicisti nga më prodhimtarët e viteve të fundit,t’i kishin përpara mbi tavolinën e tyre. Këto ditë libri i 20 i poetit,fabulistit dhe publicistit që tani ka krijuar “shtratin” e vet të krijimtarisë letrare e gazetarisë, Çano Nora, doli nga shtëpia botuese “Fast Print” dhe lexuesit kanë nisur t’a bëjnë këtë libër pjesë të bibliotekës në shtëpi të tyre. Vjen ky libër me një gjetje të veçantë për kopertinën:Një burrë 92 – vjeçar nga” Andon Poçi” ka dalë dhe i rrëfen autorit historinë e tij me një mal me dhimbje.Autorin gjithnjë e ka tërhequr natyra ,por këtë herë ka zgjedhur për të vënë në kopertinë, bashkëbisedimin me personazhin e njerit prej intervistave të librit, nëpërmjet të folurit hapur e çiltër, ashtu siç i flet zemra, se edhe zemrat flasin…
Ky libër i autorit Çano Nora, është një tjetër gur i çmuar në ndërtimin e një ure mes njeriut dhe historisë së tij.






















