Vangjush Saro: “Shqipëria në dy kohë”/ Një libër për jetën, artin dhe “humorin” e shqiptarëve para dhe pas vitit ‘90

177
Sigal

Shtëpia Botuese “ADA”, Tiranë, publikoi këto ditë librin “Shqipëria në dy kohë” të shkrimtarit dhe publicistit Vangjush Saro. Siç thuhet edhe në titullin e dytë të librit, lexuesit kanë në dorë një esse për jetën, artin dhe “humorin” e shqiptarëve para dhe pas vitit ‘90. Është ndërkoha gjatë së cilës vendi ndërroi sistemin politik dhe hyri në një tranzicion të zgjatur e që vazhdon të mbajë ndezur një sërë pyetjesh për të shkuarën dhe për të tashmen.

Kalimi nga një rend në një tjetër, nga një epokë historike në një tjetër, natyrshëm sjell ndryshime të mëdha në jetën e njerëzve, shpesh edhe moskuptime të thella. Ato reflektohen dukshëm edhe në përparimin e mëtejshëm apo në zvarritjen e një vendi a të një komuniteti drejt destinacionit të ri. Në libër, merren në konsideratë pikërisht polemika tashmë të njohura sa i takon dy periudhave. Por autori pohon se ky ballafaqim – me fakte, interpretime e ndjesi – duhet t’u shmanget shpjegimeve dhe rrëfimeve ekstremiste. Kjo esse, shton ai, i përqas dy kohët jo për të gjeneruar edhe më tej antagonizëm e mëri, por për të shënuar ndonjë të vërtetë nga ato që shumëkush përpiqet t’i mbulojë, si dhe për të ikur nga balta ideologjike, aq e shtuar në art dhe në jetën civile shqiptare.

Në libër, e shkuara vjen bardh’ e zi: pa e shmangur sfondin historik, vlerësohen shndërrimet në shoqërinë e prapambetur shqiptare të mes-shekullit 20, puna ndërtuese, krijimi i vlerave materiale dhe kulturore, arritjet në Arsim e Shëndetësi, etj. Por në të njëjtën kohë,  vihet në dukje se në aspektin human, në atë të të drejtave dhe lirive, ajo kohë, ai rend, arriti shumë pak, që të mos themi dështoi. Në libër, vëmendja kryesore i kushtohet letërsisë, artit dhe kinemasë, tema që edhe sot e gjithë ditën hapen e mbyllen herë pas here në media dhe në diskutime shoqërore. Duke iu referuar  botimeve, ish-Kinostudios dhe mediave ku edhe ka punuar, autori përpiqet të sjellë tablo sa më realiste, duke i përcjellë ato përmes një qëndrimi të paanë, çka e bën më bindës tekstin e vendosur mes dy kohëve.

Libri mbështetet mbi fakte reale; por në të nuk mungojnë edhe përvoja e të dhëna vetjake, episode nga jeta e autorit në disa qytete e shtete. Një vend të veçantë në libër zënë vendlindja e tij, Korça, qyteti me tradita kulturore dhe dukuri të spikatura në letërsi e arte, si dhe qyteti i Gramshit, ku shkrimtari ka jetuar e punuar për një kohë të gjatë në vitet ‘70 e ‘80. Në kapitullin “Intermexo – ‘përrenjtë’ e Kulturës” sillen  me detaje fragmente nga jeta artistike dhe letrare në ato vite, si dhe probleme shoqërore e të praktikës së luftës së klasave, që cënoi rëndë karakterin e njerëzve dhe zhvillimin real të artit dhe kulturës.

Me essenë “Shqipëria në dy kohë”, autori përpiqet të sjellë ndihmesën e vet në një ballafaqim që shoqëria shqiptare e mbivlerësuar gjer në tepri; libri synon të tregojë ndryshime dhe të përbashkëta të të dy kohëve, për të shkuar te disa vlera, por edhe eksperienca, ndonjëherë të rënda. Shkrimtari beson se ky libër nuk është as për nostalgjikët, as për ekstremistët; është një tregim i përmbajtur, një histori reale, që më shumë ndjehet sesa kuptohet. (Gjithnjë, pohon Saro, shkruhet e tregohet falë bindjeve, etikës e kulturës vetiake, por edhe përshtat lartësisë nga i shohim pamjet, cilatdo qofshin ato.)

Shkrimtari dhe publicisti Vangjush Saro është autor i një sërë librave me tregime e novela, fabula, romane, skenare filmash, etj. Ndër to mund të përmenden kinokomedia “Shkëlqim i përkohshëm”, novela “Një ditë pa mamin”, libri me fabula “E dashur Dhelpër!”, romani “Misioni”, etj. Një pjesë e krijimtarisë së tij është botuar edhe në gjuhë të huaja.

Prej disa kohësh, Vangjush Saro jeton në Vankuver (Kanada).