Libri “Shiu i kuq” përmban poezi me motive dhe tema sociale e historike, të zhveshura nga politizimi i kohës pa liri të socializmit; poezi nga realiteti jetësor i djeshëm e i sotëm shndërruar në realitet artistik; poezi me fantazi të arsyeshme, që lexuesi të perceptojë e përjetojë tekstin dhe nëntekstin që të marrë kënaqësi estetike, artistike dhe mesazhe lirie, drejtësie dhe njerëzore.
Formësimi strukturor i tij është bërë pa rregulla strikte. Poezitë dhe poemat janë radhitur sipas stilit, larmisë të tipeve poetike dhe motiveve të ndryshme.
SHIU I KUQ
Kur zhguli
kufijtë e arës,
iu duk se nxori
nga trupi një plumb
të mbetur në shpatull,
që i dhëmbi fort, fort…
I thanë, do shërohesh,
Shpejt, ashtu si gruri
kur i harrin barërat
e këqija, e ara jeshilon
pasi bie shi….
Por…Shiu qe i kuq.
erdhi nëpër vetëtima
e shkreptima, e dielli me
njolla u fsheh prapa
reve të zeza…
Gjysmë shekullore- Nata !…