Suplementi Pena Shqiptare/ Riza Çato: Qielli im….!

Qielli im u tjetërsua,

si kundërshtar më shikon me inat.

Sigal

Sikur unë paskam thënë : Nuk e dua !

Dhe nuk kam dëshirë të ngjitem atje lart.

Qielli im u kthye i tëri re,

me pika shiu më godet në faqe.

Më thotë : Vetëtimat e mia, diku a i pe?!

Se i dogja mbi male për paqe.

Qielli im u bë i tëri lot,

e lagu globin dhe i shtoi lumenjtë,

mërzitur nga mua sikur i kam thënë :Ti nuk je Zot!

Më kot përpiqesh s’e rregullon dot këtë vend.

Qielli im më shau pa shkak,

bubullimat m’i copëtoi mbi kokë.

Sikur unë kisha thënë : Yjet s’i ka hak

dhe nuk po e ndriçon fare këtë botë.

Qielli im natën nuk nxjerr më hënë,

me errësirë më kërcënon : Do të mbytë!

Unë e kam quajtur të dytën nënë,

por ai më la qorr në të dy sytë.

Qielli im nuk është më i imi,

është rrëzuar diku mbi një qiell tjetër.

U bëj me dije që të gjithë ta dini,

këtë qiell e kam vetëm për poetët.

 

Një fjalë të vetme dot nuk e gjete

Një fjalë të vetme dot nuk e gjete,

ç’u bë kështu kjo punë?

Ta psherëtisje, thjeshtë me vete,

se do vinte tek unë.

Një gërmë mjaftonte,ja kaq pak,

ta nisje bashkë me erën.

Ashtu këmbëkryq si në oxhak,

do më sillje pranverën.

Moj po të pres në mes të zemrës,

pa zhurmë e pa bujë.

Flakja në det,zhgënjimet ëndrrës

dhe eja te unë.

Mos vallë në mëndje flë harresa,

dhe s’më sheh dot në sy.

E dashur nuk ka vdekur shpresa,

jeton brenda në gji.

A po do vite,vite besimi,

që s’të mungojë kurrë.

Jo s’të mungojë as zemër-trimi,

fati s’të hodhi gurë.

Pa ty mendimet po vrasin veten,

po ecin kuturu.

Tiktaket ikën edhe mbetën,

si mua një kërcu.