Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Xhaferi: Më jep të pi ca gota mall…

Nuk dua verë, s’dua raki,

as ujë kristali nëpër zall.

NOA

Më jep të pi një gotë trishtim,

më jep të pi ca gota mall!

 

Ca gota mall për shpirtin tim,

që shpesh gjatë jetës ma plagosën!

Ca gota mall dhe për Atdheun,

që batakçinjtë e sakatosën!

 

Më jep të pi ca gota mall,

mbledhur diku në Lunxhëri!

Ca gota me mall për miqtë që s’kam,

ca gota mall t’i pi për ty!

 

Ca gota mall, mbledhur në vite,

në Gjirokastrën shekullore,

M’i jep t’i pi me dorën tënde,

ca gota mall si ujë dëbore.

 

Më jep të pi ca gota mall,

se është prej qelqi kjo zemra ime!

Ta pi për miqtë që dikur kisha,

më jep të pi dhe një gotë dhimbje!

 

Më jep të pi një gotë mall;

ta pi për qejf të shpirtit tim,

Oh, do ta pi, se kam shumë etje,

Siç pi dhe hënën një burim!

 

Ca gota mall për nënën time,

Që iku larg e u fsheh në yje,

Ca gota mall për Arben Duken,

Mblidhe diku nëpër Odrie!

 

Më jep të pi ca gota mall,

në këtë jetë mbushur rrëmujë!

Ta pi, o miq, se ma do shpirti,

siç pi një buzë e etur ujë!

 

Nuk dua verë, s’dua raki,

as ujë burimi nëpër zall!

Më jep të pi një gotë trishtim,

më jep të pi ca gota mall!