(Këngë për Lame Kodrën)
Në zemër të poezisë,
gdhendur është një emër burri,
Zgalemi i Shqipërisë,
Mali si shtizë flamuri.
Engjëllin që lindi nëna,
ja dhuroi Shqipërisë.
Sa lezet të paska kënga,
o rrebeli i poezisë.
Lame Kodra Limarjoti,
bilbil i malit të sertë.
I përkëdhelur nga Zoti,
lis që devijon rrufetë.
Historia nuk harrohet,
shkruar është me gërma gjaku.
Ti je mali që s’rrëzohet,
poezia që s’të plaku.
O Limarjot sy shqiponjë.
Jeton sot në zemrat tona,
kështu do jetosh gjithmonë,
sa gjithë malet që ka zona.
___________________
O maja e poezisë,
shumë e deshe Shqipërinë,
vargu i pavdekësisë,
për një stan në Trebeshinë.




















