Zambakët po çelin krye në ballkon!
Ato e dinë misionin e tyre, fort mirë.
Muaj më parë, kur ua mbolla zhardhokët,
në vesh ua pëshpërita bashkë me ëndrrat…
Pjesë rëndësishme e dekorit do të jenë
Me gotën e verës, diellin e perënduar,
Kur të kthehen zogjtë e ditët të zgjaten
Aty do t’na gjejnë mbrëmjet, përqafuar…
Me bekimin e diellit po zgjaten ditët,
zambakët hedhin shtatin mbi parmak,
Me ujë të kënduar çdo mëngjes i ujis,
në emrin tënd, timin, dashurisë…
Majoshe…
Një molle majoshe është e vërteta.
T’i mpin dhëmbët dhe pse vetë e kërkon,
të ngecet në grykë si Adamit dikur,
që fjeti me Evën e i tha vetes burrë…
Pa duhet guxim në jetë o trim,
se s’është një gosti ku veç ha e pi.
Po duhet pak më gjatë ta masësh dhe fjalën,
kur s’je as i zoti ta mbash as nga bishti…
Hajt tani, mos i rrudh buzët!
Përtype mirë, të bëhet mësim!
Kur dot se gëlltit atë të shkretë majoshe,
herë tjetër, drejt saj duart mos i zgjat!






















