Suplementi Pena Shqiptare/ Mihallaq Qilleri: Ëndrra

122
Sigal

Para ndërtesës moderne të restorantit e ndala. Ai më pa një hop herë i habitur, vrejta sytë e ngushtë të më vështronin pjerrtas, por unë ngula këmbë.- Nuk ka kuptim, – thashë duke u munduar të shqitja krahun nga dora e tij.- Ju jeni miq, ajo ka një shkak kur u ka ftuar të hani një drekë së bashku dhe unë nuk e shoh veten kurkund. Nuk e njoh fare! Po të mos ishte Vali që më ktheu nga rruga…- Ti je miku im, – ma ktheu Tedi. – Dreka të tilla ne hamë shpesh dhe kjo është bërë, si të thuash, diçka e zakonshme. Ti vërtetë nuk e njeh Mirën, por ja që kështu afrohen njerëzit. Është grua shumë e mirë dhe ne bashkëpunojmë prej kohësh. Eja, eja, – nguli këmbë ai.

Koha po vrenjtej me shpejtësi. Një gri e lagët endej gjithkund. Mund të binte dëborë. Kisha përshtypjen sikur të gjithë nxitonin, nxitonin sikur të donin t’i largoheshin trishtimit. Pesë hapa tej nesh rruga kishte trafik të dendur makinash. Nga dritaret e mëdha të ndërtesës së veshur me mermer bezhë mund të shihje thellësinë e restorantit. Atje llambadarët e rëndë qenë të ndezur, perdet e trasha krijonin ngrohtësi, muret e veshura me dru lisi u jepnin mjediseve vlerë dhe qelqurinat përmbi tavolinat rrezëllenin zbehtë. Qe një nga ato lokale luksoze të periferisë së Tiranës, të cilat nuk ishin për xhepin tim dhe ky ishte një shkak më shumë për të ikur. Por Tedi ishte miku im më i mirë, ia dinim njeri-tjetrit deri sa këmisha kishim dhe kjo më lehtësonte. E ndjeva menjëherë se Tedi këtu ishte si i shtëpisë. Kamerieri, tepër i sjellshëm, me pecetën e bardhë të varur në krahun e lirë, tha kaloni këtej avokat, na priu me servilizmin e modës së fundit dhe shpejt na tregoi një tavolinë të rrumbullakët, ndenjëset e së cilës krijonin po ashtu një rreth të bardhë. Ne u ulëm përballë njëri-tjetrit dhe ndërkoha e pritjes sikur më solli përsëri atë druajtje të mallkuar. Tedi hoqi pardesynë për të qenë më i shpenguar. Unë nguroja ende, gjendesha si mbi gjemba që isha aty dhe krejt i pasigurtë mbështeta bërrylat e duarve mbi tavolinë…Sikur të ikja paardhur ato…? Shkoja shpesh në zyrën e mikut tim dhe, ndonëse e gjeja të zhytur në punë përpara kompjuterit, dëshiroja të këmbeja tri-katër fjalë me të, të çmallesha e të ikja. Ky Ted që po shihja i ngjante një zyrtari fjalëpakë, një burrë i shëndoshë, simpatik, me flokë të rëna, por edhe kurora përmbi baseta ishte plotësisht e thinjur. Qysh në adoleshencë, kur e kisha njohur, ai kishte pasur ca sy të ngushtë prej aziatiku, por tepër të vëmendshëm e të zgjuar. Tani dhjamosja kishte krijuar poshtë tyre ca qeska të lehta dhe unë e shihja me dhembshuri, duke harruar fare se ndoshta pamja ime ishte akoma për t’u vajtuar më shumë. Ai i tha kamerierit të sillte dy teke raki sepse, ndërkohë, ne po prisnim dy zonja..Ai foli kështu dhe mua më ngjau sikur gjendeshim në një sallon mondan parisien të periudhës së Balzakut…Dy zonjat ishin njëra ndihmësja e zyrës së Tedit, një zonjushë e sjellshme dhe e qeshur, të cilën e njihja mirë, trupgjatë, biskonjë dhe shumë e çiltër. Asaj që i druhesha ishte tjetra, shoqja e saj, pikërisht ajo me emrin Mira, të cilën sapo e kisha njohur. Miku im më kishte kumtuar rrugës se kjo grua ato ditë kishte pasur ditëlindjen dhe donte që me avokatin, siç i thërriste Tedit, të hanin një drekë. Nuk e dija nëse kjo vinte nga ndonjë njohje e vjetër, apo thjesht qe pasojë e punëve të përbashkëta që u takonin të bënin në drejtësi. E kisha parë këtë zonjë gjysmë ore më parë, kur kisha vajtur të takoja mikun tim, kur Vali, ndihmësja, do të thoshte shkurt, Tedi pritej të vinte nga çasti në çast, ndërsa gruaja që rrinte këmbë mbi këmbë ca më tej në paradhomën e ngushtë, ishte një kolege e tyre. I hodha një sy shkarazi. Mjedisi ishte i mugët, sapo kishte ikur korrenti dhe nën dritën e ca qirinjve nuk mund të çmoje shumë tipare. Megjithatë dy gjëra shiheshin menjëherë. Ca flokë të dendur, të bardhë, pak të ashpër, – të lyer padyshim,- si edhe shpellat e syve të saj. Nën dritë të plotë do të mahnitesha nga ngjyra e tyre. Ajo qe një e kaltër në gri, një ngjyrë aq e rrallë vendosur nën një ballë të ngushtë. Qe një grua, siç shihej, e dobët, por kur do të ngrihej të më jepte dorën do të vëreja një trup, të cilën do ta kishte zili edhe një vajzë e re. Nuk e dija se ç’moshë kishte, por gjykova se të dyzetat nuk e tradhtonin aspak, sepse u drodha atë çast duke i menduar të gjitha këto dhe Tedi e ndjeu. Thjesht më buzëqeshi. Me këtë donte të më thoshte se duhej të hiqja dorë nga droja.

Ja tek do të mbërrinin të dy zonjat dhe gjithçka ndryshoi menjëherë. Ajo që quhej Mira u ul në krahun tim dhe unë u ndjeva edhe një herë i tepërt. U bë pak zhurmë për porositë, pastaj sollën dy shishe verë të kuqe, gotat u mbushën e u zbrazën shpejt, ndërsa unë vazhdoja të isha i hutuar aq sa një herë gjerbja gotën me verë e herë teken e rakisë, të cilën nuk e kisha mbaruar ende. E kisha vënë re edhe më parë se Tedi pinte shumë verë, kishte dëshirë të ngrinte herë pas here shëndete dhe kjo sikur më vinte në pozitë të vështirë. Zakonisht më pëlqente të pija pa zhurmë, kur të doja unë dhe aq sa të doja. Megjithatë duhej t’i përshtatesha tavolinës. Kisha zakonin e keq që kur pija harroja të haja dhe kjo e linte pjatën time të ftohej. Me Valin më kishte rastisur të gjendesha edhe herë tjetër nëpër restorante dhe e dija se i pinte shëndetet po aq vrullshëm sa edhe miku im. Te fytyra e Mirës sikur kishte mbetur e harruar një buzëqeshje e cila kishte çelur nuk e di se kur dhe vazhdonte të endej atje si jetime. Ndoshta nga që ishte ditëlindja e saj dhe shëndetet e para u pinë për të, por kishte aty, thellë, një ide rikrijimi të qenies njerëzore. Pas pak do të zbulonim me habi faktin që unë Tedi dhe ajo ishim të tre akrep, shenjë yjore kjo që tregonte se diçka e vrullshme endej në karakteret tona.Lëvizjet e pakujdesshme, afiniteti që sa vinte e shtohej, ne u pyetëm se nga ishim, doli se gati-gati na ndante një lumë dhe të gjitha këto jo vetëm na afronin, cikeshin supet tona, por disa herë sepse ne shkëmbyem vështrime sa herë na rastiste të trokisnim gotat.. Kishte ca tipare të imta, një zë të hollë fëmije, sillej si adoleshente dhe kjo e groposte një herë e mirë moshën e saj të vërtetë. Mbaroi shishja e dytë e verës, shëndetet tona gjithmonë e më shumë na kujtonin njerëz të dashur e më pak të dashur, të njohur e të panjohur dhe dikur kapa, befas një vështrim të saj ngulur tek unë. Kjo e turpëroi, një blanë e kuqe mbushi faqet e saj, por kjo u shënua përgjithmonë në mendjen time dhe nuk mund ta harroja më. Kështu edhe unë kisha të drejtë të harrohesha pas blusë së syve të saj dhe, befas, për një çast bëra një ato marrëzitë të cilat vërtetë i takojnë mashkullit, por mund të jenë edhe fatale për tavolina të tilla ku të panjohurit i kalojnë caqet e kalorësisë. Nxora nga xhepi i brendshëm i xhaketës një bllok të vogël shënimesh dhe i thashë asaj të më shkruante në të numrin e celuluarit të saj. Nuk nguroi aspak. As tani nuk e di se si mund ta ketë gjykuar Tedi këtë gjest të mikut të tij, madje as Valin nuk e pata parasysh. Ndjeja se një tymnajë i kishte mbuluar sytë e saj të mrekullueshëm, ndërsa buzët e përskuqura ngjanin si të etura. Kjo ndjenjë robërie, mëkati dhe ankthi gjëmonte brenda meje dhe, njëherësh, kisha ende vet dijen se po e teproja. Dikur ktheva kokën nga Vali dhe menjëherë mu krijua përshtypja se në fytyrën e saj kishte ngrirë një nga ato buzëqeshje të sikletshme, pa asnjë kuptim dhe e ndjeva se ishte vënë në vështirësi. Me siguri mendonte se ky miku i mikut të saj po sillej fare shpenguar, si një fshatar i pagdhendur, sikur po shihte për herë të parë grua pa u bërë merak se mund të krijonte edhe ndonjë keqkuptim. Kujtova se pak çaste më parë, kur ishim gjendur vetëm, ajo më pat paralajmëruar se Mira kishte një lidhje dashurie dhe kjo vetiu duhej të ishte një rrip sigurie për greminën që mund të hapej. Nuk e di përse e harrova krejtësisht këtë greminë, nuk e di përse mendova se bota përreth saj duhej të ishte e rrafshët, e blertë, pa kurrfarë hijesh e përrenjsh, ndoshta nga që ajo më tha se ishte me origjinë nga një vend krejtësisht fushor, me qiej që përkuleshin aq shumë sa në njërën anë puthnin detin, ndërsa në anën tjetër e ciknin tokën ëmbëlsisht. Nuk e di përse më pëlqeu kështu ajo qenie e brishtë, përse më ngjau krejtësisht e pambrojtur, nuk përse mbulesat e bardha të ndenjësve e tavolinës më ngjanin si çarçafë shtrati të sëmuri. Dhe nuk e di përse ndjeva se kisha nevojë të mbështesja kokën në supin e saj, t’i thosha se unë isha atje dhe se ajo mund..Më ktheu bllokun, pasi shkarraviti diçka atje. Befas, pashë me sy të shqyer se si idiotizmi ëndërror ishte afruar aty në formën e tri fjalëve dhe të një numri. Emira, 0783309507, je shumë i mirë.. Qe një shkrim i pjerrët me germa të mëdha e të rralla. Fërkova sytë. Nuk e di në se ndiqja zhurmën e dollive të Tedit, nuk e di në se Vali kishte ngrirë nga nxitimi im, por dikur rrëshqita dorën e djathtë mbi mbulesën e ndenjëses dhe kërkova dorën e saj. Buzëqeshi zbehtë. Pastaj më kapi gishtrinjtë, aq fortë sa t’i sillte ëndrrat e mia te pragu i së vërtetës dhe sytë e mrekullueshëm i ndjeva aq pranë sa asnjëherë tjetër. I gjithë ai vështrim sikur ishte një klithmë dhe unë ngriva. Më përvëlonin buzët. Iu afrova aq afër sa tanimë nuk egzistonte përtej saj asgjë. As miqtë tanë të mirë, as klientët e restorantit, as kamerierët, as perdet, as dritat. U puthëm. Këtë vetëtimë të pazakontë do ta kuptoja ditë më pas. Ky magnetizëm harbut, mbirë prej miliona qelizash rebele, ishte e gjithë nënshtresa ku flinte morali, turpi, ankthi, fasada e qenieve me skrupuj të rremë. Qe rrëzuar për një çast qielli. Nuk kishte vrarë askënd, thjeshtë bota qe bërë më e ngrohtë. Kjo ishte e gjitha. Por atë çast mjegulla e ankthit kishte mbuluar gjithçka. Nuk e di se sa zgjati ajo drekë, si mbaroi, si u ndamë me të tjerët. E panjohura e disa orëve më parë tani ishte bërë gjithçka. Një drithërimë dhembshurie, kureshtjeje, dëshire për të qëmtuar brenda atij shpirti i harronte të gjitha.Thashë me një nyje në grykë se kisha një çelës shtëpie dhe ajo pranoi menjëherë të vinte atje. Në gjysmëterr, me rroba që hiqeshin nxitimthi sikur të vinte fundi i botës, mbi një divan të ngushtë ku gjysmat e trupave ekuilibroheshin në ajër, në klithëm e klithëm nga kënaqësia e ankthi, aq sa nuk donim të mbaronin kurrë ato çaste. Habitesha gjithmonë e më shumë nga ndjeshmëria e saj, nga fjalët që shqiptonte sikur kjo që po ndodhte të ishte ndodhia më e madhe e shekullit. Ngjante sikur ajo kishte vite e vite pa ndjerë atë ngrohtësi t’i pushtonte trupin e saj të dobët, sikur të kishte shekuj pa kryer ankthin më të domosdoshëm e më të ëmbël për çdo qenie, ishte e habitur se si kish mundur dikush të më dërgonte të hyja kështu, rastësisht, në jetën e saj, kush,…kush, kush.. I harrova krejtësisht fjalët e Valit se ajo kishte…Nuk ngopeshim me njëri-tjetrin…Pastaj kur duhej t’ia linim gjithçka errësirës aty brenda, kur duhej të visheshim shpejt e shpejt e pa kurrfarë kujdesi, kur duhej të shihnim me dyshim nëse klithmat e kënaqësisë e fjalët tona kishin mbetur dukshëm nëpër muret, apo në perdet, tablotë, mobiliet e atij apartamenti, kur ndjenim nevojën të zhdukeshim në qerthullin e sigurisë së moralit, sikundër na tërhiqte magneti i rikthimit, pastaj,..ajo më kafshoi lehtas buzën e poshtme. Përvëlimin e mora me vete si një thëngjill të ndezur. Zbrita me shpejtësi shkallët dhe jashtë, në gjysmëterrin e botës, e ndjeva se diçka më kishte humbur. Vërtet diçka më kishte humbur. Nuk e di në se ishte Tedi aty dhe më priste me sarkazëm e përdhosjes që sapo kisha kryer, por kjo nuk kishte më pikë rëndësie. Kryesorja ishte se unë diçka kisha humbur dhe më duhej ta kërkoja, ta kërkoja vazhdimisht..