U kap me doza hashashi gati për shitje, pranga 39-vjeçarit në Tiranë

110
Sigal

Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi u kap me doza hashashi gati për shitje. Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Jurgen (Klodian) Sula.

NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Procesi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në doza.

Mbante në banesë, qese farmaceutike dhe peshore elektronike, për të ndarë në doza sasitë e mëdha të lëndës narkotike, vihet në pranga 39-vjeçari.

Sekuestrohen 540 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, peshore elektronike dhe qindra qese farmaceutike.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Procesi”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi J.(K.) S., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, në rrugën “Ramazan Kasa”, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 540 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 peshore elektronike dhe qindra qese farmaceutike për ndarjen në doza të lëndëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një aparat celular.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.