Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet Hasko: Një zbulim i beftë…

479
Sigal

Tregim

 

Ai u shtrembërua në fytyrë nga dhimbja shpirtërore që i shkaktonte fakti kokëfortë se po kthehej në një parazit. Në vendin e tij, në kohën e monizmit, parazitët i nxirrnin para popullit dhe i demaskonin publikisht. Sot këto quhen metoda lejfeniste, po nejse, kohë tjetër sot.por nevoja është nevojë dhe ajo nuk njeh as kohë e as mendësi. Kërkesa për ushqim, veshmbathje dhe gjëra të tjera, që përbëjnë ekzistencën tonë të përditshme, janë të gjithhershme. Të gjithë këtë u rrek t’ia shpjegonte të shoqes që pati shqyer sytë e bukur dhe e vështronte si e tmerruar.
Xhavit Xhangolli kishte muaj të tërë pa punë. Sillej gjithë ditën e bekuar nëpër shtëpi, duke shfryrë nëpër dhëmbë dhe duke turfulluar. Ishte martuar me një grua gjermane të divorcuar, Rejna Hajne quhej e shoqja. Ishte një grua e bukur, që e donte me pasion të shoqin. Nga ajo martesë kishin dy fëmijë binjakë, që qenë rritur të shëndetshëm dhe shkonin në shkollë, ku shkëlqenin në mësime. Por familja mbahej vetëm me punën e së shoqes dhe nga një ndihmë ekonomike. Xhaviti kishte studiuar për inxhinieri mjedisi në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Kishte mbaruar shkëlqyshëm. Masterin, edhe pse me vështirësi ekonomike, e mbaroi në Gjermani, ku u njoh dhe me bashkëshorten, me të cilën ndërtuan një jetë pak a shumë të qetë e komode, pavarësisht vështirësive ekonomike të kohëve të fundit. Xhavitit shtëpia i dukej si një ferrë, që nga do që të kthehej e gërricte mendimi i një të papuni dhe që jetonte në kurriz të gruas. Shpesh iu kujtohej Vjersha e Çajupit të madh:

Burrat nën hije

Lozin, kuvendojnë

Pika që s’u bije

se nga gratë rrojnë.

Në darkë ai bëri fjalë me gruan. Shkaqet apo pretekstet për t’u shamatosur me bashkëshorten janë të shumta, gati të pafundme, por kur burri i shtëpisë nuk punon, këto kthehen në sindroma aggresive. Dhe shkak u bënë si gjithmonë fëmijët, ato krijesa të pafajshme, që janë ajka dhe kuptimi më i thellë i jetës njerëzore.

-Nesër, -i tha ai,- fëmijët po i çoj në kopsht. Ajo gati hungëriu, në vend të dialogimit të qetë. Megjithatë u rrek ta përmbante veten dhe foli duke iu mëshuarf jalëve:

-Nuk ia dalim dot të pagujmë dhe kopshtin vetëm e rrogën time.

-Pikërisht për këtë e kam fjalën, – foli ai dhe duke marrë zemër nga përqendrimi i saj vazhdoi:-Unë kam vendosur të kërkoj punë …Nesër do shkoj në qytezën H, për të kërkuar punë. Gazeta lokale e kësaj qyteze ka nxjerrë njoftim se kërkon të punësojë një inxhinier mjedisi. Ky është profili ime dhe unë do shkoj. Do Zoti dhe më marrin në punë… Me gjithë kundërshtitë e të shoqes, ai bëri ashtu siç kishte vendosur. I kërkoi makinën një çifti pleqsh pensionistë, që të shkonte deri në atë qytezë dhe ata ia dhanë me shumë kënaqësi. Ata shkuan më tej, duke thënë se se tashmë ata ishin pleq dhe nuk u duhej më makina.

-Po ta falim, -i thanë ata të lumtur që po gëzonin dikë. Sot mbaro punë dhe nesër do t’i themi avokatit tonë që të vijë dhe të bëjmë akt dhurimin…

Xhaviti u mrekullua nga shpirtbardhësia e tyre dhe iu mbushën sytë me lot. Atij iu kujtuan prindërit e tij në Tiranë, që për nga shpirti ngjasonin me këta dy pleq dhe ndjeu mallin ta përshkonte në çdo pore të lëkurës… Udhëtoi për dy ore dhe në të hyrë të qytezës pyeti dy të rinj, se ku ishte ajo adresë që ai e pati shkëputur nga lajmërimi në gazetë. Njëri nga të rinjtë u tregua i gatshëm për ta çuar në adresën që ai kërkonte. Kur u afruan ai vuri re një ndërtesë dykatëshe, të ndërtuar me një stil gjithë elegancë e harmoni, rrethuar me kangjella ngjyrë hiri përtej të cilave kishte gjithfarë pemësh dekorative dhe lulesh… Xhaviti trokiti në derën e një zyre dhe i doli para një vajzë e re, me vështrim të butë, e cila ishte sekretarja e asaj zyre. Kolltuku ku u ul ia zhyti trupin mesatar e të ngjeshur dhe u ndje në siklet me fundin e shkurtër te sekretares, që i tregonin këmbët e drejta dhe intimet e saj. Sekretarja komunikoi me presidentin e kompanisë dhe i shpjegoi se dikush kishte ardhur për vendin e punës. Përtej celularit, dëgjohej një zë që shpjegonte se i porsaardhuri duhej të priste… Sekretarja mbylli celularin dhe i tha punë kërkuesit të priste pak, sa të merrte përsëri në telefon Presidenti i kompanisë. E marta Xhavitin e gjeti në një sallë ku ishin ulur dhe disa persona të tjerë, në pritje të vendimit të punëmarrësit. Saktësisht ishin nja tridhjetë veta, që prisnin në ethe.. Xhaviti i hodhi një sy sallës dhe u ligështua nga mendimi se nuk mund ta fitonte atë vend pune, mbase mjaft nga këta mund të ishin më të zotë se ai dhe për faktin se, ai nuk e njihte mjaft mirë gjuhën gjermane. Dikur ai në universitet u lidh dhe me një student gjerman, i cili kishte ardhur për të studiuar në atë universitet… Xhavitit dhe dhe të gjithë stundetëve të tjerë i dukej çudi që një gjerman të vinte të studionte në Tiranë. Një herë e pati pyetur studentin gjerman dhe ai i qe përgjigjur se dhe në Shqipëri ka pedagogë të zotë, që e bëjnë një universitet të famshëm..Ata u përshtaten shumë shpejt me këtë fakt.
Sekretarja u shpjegoi të pranishmëve se si duhej të plotësonin formularin dhe si duhej t’iu përgjigjeshin pyetjeve në formular. Xhaviti i hodhi një sy dhe pa mbaruar fjalën sekretarja filloi të mbushte atë formular. Iu desh vetëm tridhjetë minuta për ta plotësuar. Pasi e mbaroi, vuri duart njëra mbi tjetrën sipër tavolinës, ashtu siç bënte kur jepte provimet në Tiranë. Një meso-burrë, me një fytyrë simpatike dhe flokët pak të thinjura në tëmtha, çfarë ia nxirrnin më në pah fisnikërinë, iu afrua dhe po shikonte duart e Xhavitit. Me bishte syrit ai lexoi emrin e mbiemrin e kandidatit në formularin e plotësuar prej tij. Pastaj ai i doli Xhvitit pak përballë, buzëqeshi dhe u largua. Xhaviti e fitoi vendin e punës dhe iu desh disa kohë që të orientohej në këtë vorbull, ku gëzimi i punës së re ia kishte ndryshuar jetën brenda pak ditëve. Xhaviti u përshtat shumë shpejt me punën e re, saqë çdo ditë merrte përgëzimet e stafit të kompanisë. Gruaja e Xhavitit ndihej tepër e gëzuar dhe ekonomia familjare tashmë filloi të rregullohej pak nga pak, por në mënyrë të sigurt.
Një ditë, teksa Xhaviti po bëhej gati për të ikur në punë, e shoqja i propozoi që të ftonte për darkë presidentin e kompanisë dhe familjen e tij.

-Ftoi, të lutem, -i tha ajo,- se unë do gatuaj si mamaja jote dhe jam e sigurt që ata do mbeten të kënaqur. Xhaviti e puthi në faqe dhe u largua për në punë. Presidenti e vlerësoi ftesën e Xhavitit dhe darka u la për të shtunën në mbrëmje,në shtëpinë e bashkëshortes së tij, në fshat. E shoqja vajti që në mëngjes dhe bëri të gjitha përgatitjet e rastit. Xhaviti vajti pasdite dhe ndihmoi në sistemimin e shtëpisë. Në orën shtatë të mbrëmjes, kur një makinë X5 frenoi lehtë në oborrin e vogël, të shtruar me gurë të rrumbullakët, gjithçka ishte gati për darkën e paralajmëruar.
Nga makina luksoze zbriti presidenti, e shoqja, një grua mjaft elegante dhe me një buzëqeshje të kursyer në fytyrë dhe vajza e tyre, nja katërmbëdhjetë vjeç, e cila kishte një bukuri përrallore.
Teksa përqafoheshin dhe rregulloheshin, sytë e presidentit të kompanisë u kryqëzuan me ato të Rejnes, bashkëshortes së Xhavitit dhe një shkëndijë elektrike sikur u dogj në atë hapësirë të ngushtë midis tyre. Presidenti mbeti në mëdyshje, midis shtangies dhe habisë së kthyer në ujëvarë dëshirimi…Rejne mbeti disi keq, aq sa nga befja, një pjatë i shpëtoi nga dora dhe u thye copë-copë…Presidenti u afrua që ta ndihmonte t’i mblidhte e atë ndërkohë sytë e tyre rishtas u kryqëzuan e ajo shkëndijë elektrike u kthye në një pritje sa të ëmbël aq dhe ankthioze…
Darka nisi me gjellëra e meze të zgjedhura, me verë të mirë franceze dhe birrë bavareze, me humor dhe gjallërinë e një takimi mes njerëzve, të cilët i lidh diçka e përbashkët, të cilën duan ta fisnikërojnë përmes intimitetit të një darke të mrekullueshme. Pasi kishin rrëkëllyer disa gota verë, Presidenti, të cilit i qe zgjidhur gjuha, ngriti shëndet për çiftin mikpritës. Dhe e piu gotën e tij me fund.

-Po e pi siç e pinë shqiptarët, kur duan të nderojnë mikun, -foli presidenti.

-Ku e di ti si e pinë shqiptarët verën?- pyeti Xhaviti.

-E di, e di shumë mirë. Unë kam qenë student në Tiranë, në fund të viteve tetëdhjetë. Kemi qenë bashkë në një fakultet. Unë jam Hansi…Unë të njoha që në fillim. Prandaj të mora në punë…
Xhavitit i mbeti gota në dorë. Sytë e tij qenë turbulluar nga pesha e emocioneve të çastit. Gjithçka iu soll në mendje me shpejtësinë e vetëtimës…

-Oh Zot!-klithi. -Sa vite kanë kaluar…Ty të priste pas çdo provimi një biondinë syshkruar, që vinte enkas për ty nga Boni…

-Po ishte e dashura ime…-Në fjalët e Hansit kishte ngutje për t’i ikur atij muhabeti…Ngutje dhe një soj turbullire…

-Më fal që të pyes…e ku ndodhet tani ajo? Pse nuk je me të?-pyeti Xhaviti.

-Nuk është me atë, se është me mua, Xhavit, -foli bashkëshortja e Hansit, Hajrena.

-Më fal Hajrena, ju jeni kaq e bukur dhe e sjellshme, por…

-Miku im, ne gjermanët jemi korrektë dhe të drejtpërdrejtë, prandaj kemi ecur përpara. Ajo…e dashura që më priste dikur…ah…nuk është më me mua… Sot e zbulova se…se…se qenka me ty!…
-Çfarë?!!
-Po, miku im, ajo është Rejne, bashkëshortja jote…Dashuria zgjati disa vjet, siç e ke parë vetë. Ndenjëm vetëm një vit të martuar. Ashtu na erdhën gjërat dhe ikëm larg njëri-tjetrit…Dhe teksa fliste, i zgjati asaj dorën, të cilën ia shtrëngoi fort, përzemërsisht.

Xhaviti dhe Hajrena, bashkëshortja e Hansit kishin mbetur pezull, të shtangur e të nemitur…
Hansi, tepër i prekur dhe me fjalët që mezi i nxirrte nga goja, foli gjithë emocion:
-Nuk e prisja këtë zhvillim të beftë, por siç thotë poeti ynë i madh Hajne: “Befja është sharmi i vetë botës”. Të ngremë një shëndet për kujtimin e kohëve të kaluara. Ato kohë na kanë rritur dhe na kanë bërë këta që jemi sot, me fitoret dhe humbjet tona…Tani që ta tregova këtë, Xhavit, ndihem mirë dhe i çliruar…Ndihem mirë, jo vetëm me ty, por dhe me bashkëshorten time të dashur…Gjërat duhen thënë siç janë, iu duhet vënë emri i tyre i vërtetë. Tani mund të rrimë ballë për ballë e të pimë si miq, si dy familje, që kërkojnë të krijojnë një hapësirë të ngrohtë komunikimi njerëzor midis tyre.