Larg e më larg i mbajta shokët,
nga hallet që kisha çdo ditë.
Nuk desha ti trazoja botët,
të qeta i lash dhe perënditë.
Me miqtë kurrë nuk u trazova
dhe s’u ankova asnjëherë.
Sa herë me ta kur u takova,
buzëqeshur rrija si pranverë.
Me veten time si në luftë,
çdo ditë hapja shtigje të reja.
Të qetë s’i lash asnjëherë trutë,
kur puthesha nëpër beteja.
I lodhur po,i rraskapitur,
por hall askujt si transmetova.
Nga qielli asgjë nuk kam pritur
dhe te askush ndihmë nuk kërkova.
Besën se vura kurrë në provë,
se kisha frikë mos më gënjente.
I çava malet me dëborë,
eh shokë e miq sa shumë ja vlente.
Kanë vdekur sot sofrat bujare,
kuvendet kanë marrë arratinë.
Ngado që shkon shkel përmbi zjarre
dhe se dallon kollaj njerinë.
Ndaj stop i thash ndërgjegjes time
dhe gojën nuk e hapa fare.
Nëse do forcë për shtegëtime
i vetëm ec dhe përmbi zjarre.
Larg e më larg i kam thënë vetes
dhe krenarinë mos e baltos.
Lulja që çel mbi gur të Mbretes,
me dhimbjen qesh,me vdekjen loz.




















