Suplementi Pena Shqiptare/ Riza Çato: Erë e stuhi, stuhi dhe erë

46
Sigal

Erë e stuhi, stuhi dhe erë,
asnjë nëpër qytet.
Veç halli sot të nxjerr në derë
dhe nuk të lë të qetë.

Një turbullirë e thellë në shpirt,
mëndja bërë rrëmujë.
Po shpresa kam e presë pak dritë,
në këtë katrahurë.

Ngado që shkoj, ngado që vete,
më lind nga një ide.
Furtunë me erë kthehem mbi dete,
mbi tokë shkarkoj rrufe.

Nuk më lag shiu, nuk më than era,
veç sytë plot me trishtim.
Ja dhe për pak troket pranvera,
ringjall dhe shpirtin tim.

Po nuk i dihet, jam besim thyer,
si xhami kristal.
Gënjeshtrën me bukë e kam ngjyer,
gati në skandal.

Pranoj gabimet s’jam i kulluar,
pranoje edhe ti!
Nëse vërtetë nuk ke gabuar,
gabova unë për ty.

Erë e stuhi, stuhi dhe erë,
padashje i solla vetë.
Na ishte do themi njëherë,
një dashuri e qetë.