Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S. Qazimi: Naxhiu dhe Sllavko

117
Sigal

Ishin tetë shqiptarë, që punonin në atë sektor të madh të asaj miniere qymyrguri mes pyjeve të rrethinave të Lionit. Mbërritën së toku në kurbet, me vapor nga Durrësi e pastaj, ca me makinë e ca me karrocë. Qëndronin bashkë tërë kohën pas punës. Paguheshin mirë. Të paktën kështu u dukej krahasuar me jetën që kishin bërë në katundet e tyre në Shqipëri. U kishin thënë se pasi të mbushnin pesë vjet e lart u lidhej një pension. Në minierë kishte edhe shumë polakë që dalloheshin për urtësi; serbë të cilët njiheshin që atje tej nga kushdo se ishin, si të thuash, trupa të palatuar e flokashpër; rusë me qime të verdhë; italianë, që binin në sy se puna e tyre kishte duk; gjermanët ishin të paktë ashtu me trup të gjatë e kryelartë dhe të tjerët më të shumtë, ishin frëngj vendalinj, që punonin në qoshe më të lehta. Kish edhe nga të tjerë kombe, po kush i njihte. Shqiptarët flisnin se si gjendeshin aty edhe nëntë zezakë. Flokët i kishin kokoridhe e korb të zez dhe lëkurën të zezë si fundi i kusisë. Atyre vetëm dhëmbët, shputa e këmbëve dhe pjesa e brendshme e duarve, që u zbardhnin: të tjerat si të zitë e tiganit. Po ama punonin; për punë nuk kishe ç’tu thoshe. E donin dhe e mbronin njëri-tjetrin kurdoherë. Në minierë emigrantët punonin dhjetë orë në ditë, me tre turne dhe kishin vetëm të dielën pushim. Po të punoje edhe të dielën paguheshe dyfish. Punë e vështirë sa s’ka më. Atje poshtë nën dhé si urithi; hynin e nuk e dinin a do të dilnin prapë; u dukej sikur ishin futur në varrin e tyre dhe nxirrnin eshtrat e nxira jashtë… Padronin ata nuk e kishin parë kurrë. Thoshin se ishte një frëng i pashëm. Kish vendosur rregull të fortë dhe s’kish gëk-mëk; kokunjur në punë atje poshtë në ballë deri në fund të galerisë; po ashtu kur dilnin mbi dhé si mizat e dheut të telikosur e sfilitur. E merrnin pak veten pasi ndienin ëmbëlsinë e rrezeve të diellit, të cilin e quanin ‘jorgani i fukarait’. Kokulur në mencën e madhe ku hanin racionin e bukës së grynjtë dhe pjatën e supës herë me lëng e herë pa lëng mishi, thelat e të cilit kurrë nuk i kishin parë se si ishin. E pastaj gjumë. Kishin lidhur kontratë pune ku kishin vënë gishtin mbi letër ata që s’dinin as shkrim as këndim. Nga shqiptarët vetëm Naxhiu dinte të shkruante emër e mbiemër ‘Naxhi Hako’. Gërmat e emrit i pati mësuar në mejtepin e katundit, ku ditën bëhej gjuha turçe e natën, fshehurazi mësohej si të shkruhej me gërma shqipe. Shkronjat ‘n’ e ‘h’ i bënte vetëm të mëdha kurse të tjerat të vogla. Pagën javore ua jepte një vajzë e re e bukur frënge, nja 22- 23 vjeçe në një kolibe ngjitur me hyrjen kryesore të zyrave të përgjegjësave. Njëherë ajo i pati thënë Naxhiut:” Sa keq për ty alamet djali, që nuk di të shkruash asgjë tjetër veç emrit tënd”. E Naxhiu syshkëndijë e trupngjeshur, ia kish kthyer shqiptarçe: “Më mjafton kaq. Të tjerat i kam vetë!” Mbasi kaluan ca muaj, njerëzit u mësuan me punën dhe me kushtet, si i thonë fjalës, u argasën dhe e shihnin se kjo ishte një nga mundësitë, që shtronte jeta e kurbetliut për të fituar ca pará e për të bërë një çikë prokopi prapë atje në atdhe. Një ditë përgjegjësi i turnit që ishte frëng, kur u njoftoi pushimin, u tha se me porosi të padronit, paradreke do të bëheshin ca ahengje e zbavitje në sheshin e madh përballë zyrave. Punëtorët, midis tyre edhe shqiptarët, edhe pse lodheshin shumë, e ndienin nevojën e argëtimit se u ishte bërë shpirti “bakërr”. Pastaj shumica e shqiptarëve ishin të një moshe aty te 28 deri 35 vjeç. Këtë të dielë e pritën me “gëzim”. Ishte një e diel e vjeshtës së mesme, me pak diell lart e shumë gjethe të verdha mbërdhé. Se që të themi të vërtetën vetëm nja njëqind metra larg zyrës nuk kish pemë se pastaj rreth e rrotull vetëm pyll e pemë kudo. Të dukej sikur sheshi qe shtruar me një qilim shumëngjyrësh të trashë si ato shkorsat që bënin në avlëmend gratë e fshatit në Shqipëri. Në orën e caktuar paradite nga padroni, (kështu e quanin gjithnjë bosin e madh të minierës të gjithë emigrantët), para njerëzve të mbledhur aty te sheshi, këndonin ca burra së toku; kish edhe ndonjë grua , që këndonte vetëm e shoqëruar nga veglat muzikore, që u binin ca të tjerë. Pastaj disa hodhën valle. Naxhiut i pëlqeu njëra nga këngëtaret dhe sidomos një valle që i kujtoi vallen dyshe që hidhnin pleqtë e fshatlindjes së tij, nëpër dasma e gosti. Pas tyre punëtorët këndonin vetë grupe-grupe dhe bënin muhabete të ndryshme. Malli për vëndlindjen ish thelbi i tërë fjalëve. Dhe kështu, hallepasosurit shpirtplasur mundoheshin të thithnin pak aromë kënge e gëzimi në mes asaj tymësire karboni të jetës në minierë. Shqiptarëve u zuri syri se si po ndesheshin me mundje vëndçe disa aty më tutje. Afrohen së toku. Ata e kishin vënë me bast. Basti ishte dhjetë franga për fituesin. U shtuan sehirxhinjtë dhe ndeshja mori zjarr. Pas përfundimit të saj del një e bërtet: “Kujt ia mban e më del mua këtu me mundje ?”Fliste me kërshëri, me një frëngjishte gjysmake, i rrethuar nga patriotët e vet. Sa e panë punëtorët e tjerë ia kujtuan emrin. Ishte serbi Sllavko Zelkoviç. Ishte bërë i njohur se ca ditë më parë kur kish ndodhur një farë gjullyrdie midis emigrantëve në momentin e hyrjes në galeri, për faj të tij, e kishin dënuar të gjithë turnin me një orë punë më tepër pa pagesë. Ishte trupmadh, me llërë të trasha e të forta, me krahë të gjatë e të fuqishëm. Në kokë zakonisht ai mbante një kapele më strehë frënge, që shqiptarët e quanin shapkë, por sot e kishte hequr dhe flokët e sertë ngjyrë gështenjë i binin mbi ballin e gjerë, si krifë. Fytyra i kish marrë bojën e një pelerine të murrme paksa në të zezë, nga ato që mbanin punëtorët kundër ujit e lagështirës në galeri. Poshtë vetullave qimegjata i shndrinin dy kokërdhokë sysh si ata të gjuetarit të natës. Krahët dhe këmbët i mbante hapur për të treguar fuqi dhe siguri në fitoren mbi çdo kundërshtar që do të guxonte t’i dilte përpara. Rrotulloi kokën nga turma e mbledhur sakaq dhe priste me gjeste krenarie e mbifuqie një kundërshtar. Naxhiu, që ish në mes të tre shqiptarëve, aty në turmën që , siç duket kërkonte edhe më argëtim, seç i hipi në kokë dhe u tha shokëve:”Të dal e t’ia tregoj një herë atij qimesëzi se sa i bën lëkura e t’i duket vrima e miut njëqind grosh?” Mirëpo të thuash të vërtetën e perëndisë, Naxhiu kish trup më të vogël e më të shkurtër se Sllavko. E ndiente veten të fortë, por ai, sërbi, e hante me gjatësi, përveç fuqisë. Naxhiu po bluante në mendje para se të matesh me të, se si do t’ia punonte, nga do ta kapte e si do ta kapte! Shoku shqiptar që kish në krahë , që ia njihte aftësinë fizike e yshti edhe më tej:”Pse s’del o Xhike e t’ia bësh turinë përshesh, se shumë po na mburret si kaposhi mbi togun e plehut?” Ngacja e shokut sikur i dha yrysh, por e bëri edhe të mendohet:”Po dola, o do ta mund o s’ka!”i tha vetes me mend.”Nuk durohet turpi i humbjes”. Edhe dy shokët e tjerë bashkatdhetarë u futën në muhabet dhe ia shtynë mendimin për t’u matur me emigrantin gjatosh serb. Edhe tre italianë, që ishin pranë ia bënë me kokë:”Jepi një mësim të mirë,o mik, atij mendjemadhi”. Naxhiu vendosi pa folur: “do të dal e do ta mund!”Hapi me krahë ata dy-tre vetë që kish përpara dhe u dha në shesh me çapa të matura, që dukej sikur peshonin mbi tokë më shumë se sa ishte ai vetë, drejt kundërshtarit. Çehreja e Sllavkos në fillim u zbeh paksa, por shpejt mori ngjyrë të kuqe. Lëvizi vendit, buzëqeshi nën hundë e me pak zë duke hedhur vështrimin nga turma sikur desh t’u thosh: ”ç’e kam këtë përcungull unë?! Do ta hedh tutje si lomçkë”. Turma e sehirxhinjve në këto momente ishte në qetësi sa nuk pipëtinte as miza. Pas një sekonde, si me urdhër, filluan brohoritjet. Ca bërtisnin për Sllavkon e të tjerët thërrisnin për Naxhiun. Për një copë herë prapë ra perdja e qetësisë. Mos ndoshta ky ishte sinjali i fillimit të dyluftimit? Naxhiu bëri një hap me këmbën e djathtë përpara dhe iu hodh Sllavkos për të kapur për mesi, por dështoi. Ishte Sllavko ai që e mbërtheu i pari duke i shkuar krahun e djathtë poshtë sqetullës së majtë dhe parakrahun e dorës së majtë mbi supin e djathtë duke e shtrënguar fort Naxhiun rreth qafës së shkurtër dhe filloi sakaq rrotullimin e trupit të kundërshtarit të shkëputur tashmë nga toka, duke zhvendosur thembrat e këmbëve pak e nga pakëz e me fuqinë e krahëve e shpatullave. Dukej sikur po kërkonte të gjente një vend ku do ta hidhte. Naxhiu kokën e kishte të mbërthyer si me darë në krahët e kundërshtarit, por trupin, nga mesi e poshtë, si një gur shkëmbi monolit e kishte paksa të lirë, të varur në peshën e muskujve të tij të fuqishëm të belit e të këllqeve. Sa nisi rrotullimin kundërshtari, Naxhiu i dha një goditje të beftë e të fortë në kërcirin e majtë me majën e këmbës së djathtë. Por Sllavko s’kish qeder. Duke arritur afër mbylljes së rrotullimit të parë të plotë në ajër, të trupit të Naxhiut, ai po mejtohej se ku dhe si do ta rrëzonte për tokë si një copë dru dhe t’i hidhej mbi të, triumfator. Ndërkohë Naxhiut, që këmbët i lëviznin në ajër si dy kopaçe të trasha e të shkurtra, me të djathtën bën një lëvizje të sforcuar, duke kthyer shputën nga noçka e poshtë drejt këmbës së kundërshtarit dhe me shpejtësi vetëtime ia fut nën gjurin e djathtë duke ia ngjitur me përdredhje si kulpër, këmbën tok me një pjesë të kërcirit të vet të shkurtër, duke ia hequr mundësinë kundërshtarit që të ruante ekuilibrin e trupit. Këto veprime Naxhiu i kreu aq shpejt sa as që nuk u vunë re nga të pranishmit, sepse ata u habitën kur panë se si trupi madhosh i Sllavkos u nder sa gjatë gjerë përdhé kokëpraptazi dhe trupi koçombol i Naxhiut i tëri sa një grusht i rrinte mbi të si një shqipe mbi prenë. Naxhiu i kish vënë gjunjët mbi gjoksin e të shtririt dhe duart shtrënguar te fyti, por jo për ta mbytur. Oshëtiu sheshi ashtu siç ndodh në stadium ku luhet një ndeshje finale futbolli dhe bëhet goli i shumëpritur. Naxhiu nuk i luante më sytë as lart as poshtë, por vetëm te fytyra e kundërshtarit që e kish vënë ndër këmbë. Dhe më pas, për punë sekondash ai ngrihet, largohet tre-katër hapa nga trupi i shtrirë i palëvizur i Sllavkos që akoma nuk e kish marrë veten nga rënia kokëprapthi prej pengut mjeshtëror që i kish vënë Naxhiu. Brohoritjet nuk kishin të sosur. Midis tyre kish edhe ndonjë “Mirë ia bëre” dhe “Gjeti atë që kërkoi”. Naxhiu nuk përshëndet fare ata që i brohorasin fitores së tij, por afrohet te trupi i të mundurit, i zgjat dorën dhe e ndihmon që të ngrihet ndenjurazi. Dhe vetëm atëherë u bind se Sllavkua nuk kish pësuar ndonjë dëmtim të rëndë. E mori bastin. Turma filloi të shpërndahej e zhurmshme dhe entuziazte për fitoren e Naxhiut në atë mundje të pabarabartë. Jehona e fitores në një ndeshje miqësore mundjeje të Naxhi Hakos emigrantit shqiptar shtatshkurtër ndaj emigrantit trupmadh serb Sllavko Zelkoviç në oborrin e një miniere franceze në vitin 1932, tregohej deri vonë në fshat…