Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C. : O moj Gjirokastra nënë, në Nju York dëgjoja zënë…

690
Sigal

O MOJ GJIROKASTËR NËNË, NË NJU YORK DËGJOJA  ZËNË…

(Rreth librit “Moj Gjirokastra ‘pa vulë’” të Shpëtim A. Emirit) 

Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.

 Vite të tëra në Nju Jorkun magjik, larg Shqipërisë, larg Gjirokastrës së shtrenjtë, i malluar dhe i dëshiruar për “argjendin e gurit”, gati çdo mëngjes dëgjoja në magnetofon këngën-simfoni të Petrit Lulos, me vargjet si refren:

“Po the Gjirokastra

 i ke thënë të tëra.

 Gjirokastra nuk më fanitej vetëm në gjumë, por edhe ditën. Më ngazëllente magjia e qytetit të gurtë, mbi të gjitha gjirokastritët fjalëpakë e mendje mprehtë. Më vinte në mend Hazmurati, lagjia ku linda dhe kalova fëmijërinë, sheshi i Naçit, që më ngjante si stadium olimpik i futbollit, ku luaja me top lecke me moshatarët e mi, të paharruarit Nedin Roqi, Edip Aliko, Shyqyri Avduli, Sulo Lelo etj.

Kujtoja me dashuri mësuesit e mi të fillores dhe të gjimnazit, njeri më i miri se tjetri  :Ferhat Kerrin, Muzafer Asllanin, Thoma Papapnon. Kujtoja vitet ne konvikt, familjen e madhe dhe të ngrohtë ku njoha dhe u miqësova  me Besim Elezin, Illo Foton, Polo Mihalin, Asllan Micin etj., qe me vonë u bënë specialistë të shquar në fusha të ndryshme të jetës. I flisja gruas për kafenë e veçantë të Gjirokastrës, të quajturën “kafe guri”, për shtëpizën time me plot pemë frutore dhe me shtatë bajame, për nënën, që e fshinte odanë me një “degë manxuranë”, për fqinjin, Malo Zeren, Malo furrtarin dhe nënën e tij teto Behançen, me të cilën bëja shaka për kalendarin e saj, “kalendarin e trëndafilave” etj. I flisja dhe i tregoja shpesh herë për qytetin-magji, saqë Gjirokastra m’u bë si “nënë e dytë.” Liria, bashkëshortja, e dashuruar pas serenatave korçare më thoshte: Pse “Himni i flamurit” është kjo këngë që po e dëgjon pothuajse çdo ditë?!” Përgjigjen nuk ia dhashë më fjalë, por me një këngë që ngrita aty për aty me këto fjalë:

O moj Gjirokastra nënë

Në Nju Jork dëgjoja zënë.

Dëgjoja këngët e tua,

Si melhem ishin për mua.

Dëgjoja Xhevat’ e Arjanë,

Çerçizin me kapedanë,

Gjirokastrës nam i dhanë.

Kur u ktheva nga Nju Jorku në Tiranë, tekstin e këngës ia tregova njohësit të thellë të këngëve gjirokastrite, njëherazi edhe miku im, Naxhi Kasoruho, i cili e pëlqeu, e gjeti të këndueshëm dhe shprehu mendimin që t’ia dhuronim grupit të Arjanit për ta kënduar. Një bibliografi e tërë librash janë shkruar nga autorë shqiptarë dhe të huaj për historinë, kulturën, të folmen e saj, për këngët magjepsëse popullore, për arkitekturën befasuese dhe për vetë gjirokastritët dhe Gjirokastrën. Nga kjo listë e gjatë dhe e shtrirë në një hark kohor të pamasë mjafton të përmendim shkrimtarin e shquar Ismail Kadare me romanet “Kronikë në gur” të përkthyer në dhjetëra gjuhë të huaja, “Darka e gabuar”, si dhe mjaft poezi dhe ese të tij; romanin e poetit të njohur Agim Shehu “Argjendi i gurit”; librat e publicistit Bajo Topulli “Kur flasim për Gjirokastrën dhe gjirokastritët” dhe “Bajo dhe Çerçiz Topulli” e gjer tek muzikologu Naxhi Kasoruho me librin “Gjirokastra” (vëll. I).

Kur lexon këto kryevepra për Gjirokastrën dhe gjirokastritët dhe pastaj lexon librin e sapo botuar të Shpëtim A. Emirit me titullin sarkastik “Moj Gjirokastra ‘pa vulë’” të krijohet një komb në grykë dhe zemra të ther.

Jam marrë dhe merrem me librat në gjithë harkun kohor të jetës sime shkollore dhe akademike dhe pyetja që më lindi pas leximit të librit të zotit Emiri është: “Pse e shkroi autori këtë libër? Cili është mesazhi që i jep lexuesit? Në rendin demokratik është e drejta e gjithësecilit të mendojë dhe të thotë, madje edhe të shkruajë ato që dëshiron, qofshin edhe ndryshe nga të gjithë të tjerët. Kjo është një nga shtyllat e demokracisë. Shtylla e dytë është përgjegjësia qytetare dhe etike. Dihet se vula përdoret për të vulosur shkresa dhe dokumente, të cilat kështu fitojnë të vërtetën ligjore. Shpesh dëgjohet se duhet jo vetëm firma, por edhe vula. Kurse në titullin e këtij libri fjala “vulë” është përdorur si një metaforë, një mjet stilistik mjaft i përdorur në letërsinë e shkruar dhe atë gojore, pra një Gjirokastër “pa vulë”, pa vlera, pa histori dhe pa kulturë. Autori, edhe si inxhinier ndërtimi, shpreh në formën e humorit dhe satirës disa shqetësime, por kryesore është se qytetit i ka humbur “vula” (kupto: vlera) që kur nuk është më libraria e dikurshme e të atit, që ai e sheh si simboli të përfaqësimit të qytetit. Ja, zoti Shpëtim na i thotë fare hapur brengën e vet.

Pazari pa librari,

 si shtëpi pa katandi…

 Eh, moj Gjirokastra jonë,

pa dashje humbe simbolin,

syri librarinë kërkon,

mbete si muzikë pa “Sol”. (Shpëtim A. Emiri: “Moj Gjirokastra ‘pa vulë’”, 2019, f. 12.)

Gjirokastra qytet i dijes dhe kulturës e ka dashur dhe e do librin  Ja ç’shkruan autori: “Gjirokastra, kjo sojlie,/ prishte prokopinë për dije,/ librat nder i çdo shtëpie,/ librarinë mbante në krye.” (Po aty, f. 11)

 

Gjirokastritët e donin librarinë dhe librarin

 Gjirokastritët e donin librarinë dhe librarin, por ajo as mundej dhe as ka qenë “simboli” i qytetit të gurtë, qytetit të familjeve të mëdha, qytetit të njerëzve të ndershëm, trima dhe atdhetarë, të ditur dhe të njohur edhe në Europë dhe nëpër botë. Mbi të gjitha gjirokastritët shquhen për etikën e lartë morale dhe qytetare, të nderuar dhe të respektuar në gjirin e gjithë shqiptarëve të tjerë. Libraria e Alizot Emirit, në qendër të qytetit, ishte kthyer në një qendër tërheqëse, se shitësi ishte i shkathët, e njihte mirë psikologjinë e lexuesit dhe me ta sillej me takt dhe tërheqës me shitjen, rekomandimin e librave të duhur, por edhe me dhurimin e përkohshëm për të lexuar librin, kur lexuesi ishte “dorëhollë” (i varfër). Kjo e kishte bërë librarin të dashur, madje po t’i shtosh edhe dhuntinë e tij si humorist, e kishte kthyer librarin në një personazh të qytetit, që nderohej dhe përmendej për mirë.

Ka një sërë faktesh që autorin si inxhinier ndërtimi mbase e stresojnë dhe i nxisin vargjet satirike, duke nisur që nga bajpasi (bypass), emërtimi i projektit fitues në tenderin e Bashkisë, që lidh vertikalisht me një rrugë gjarpëruese hyrjen e sheshit “Çerçiz Topulli” me hyrjen e Kalasë në krye të lagjes “Pazari i Vjetër”.

Ja dhe dufi i autorit:

Në se dhunshëm bëjnë bajpasin,

 emërbukurën Gjirokastër

 më mirë t’ia heqin fare,

 që t’u dalë, fiks, punë e pastër”.

Bajpasi zhbën Gjirokastrën”. (Po aty, f. 17)

Ky projekt u kundërshtua nga “Forumi i intelektualëve për mbrojtjen e vlerave kulturore të Gjirokastrës”. Pyetja shtrohet se a ka rëndësi kaq jetike për qytetin ky projekt i diskutueshme sa Gjirokastra të humbasë “vulën”, vlerën e të humbasë shijen dhe hijen?! Madje autori është dhe duhet të jetë së pari qytetar e pastaj specialist ndërtimi. Shqetësimet ndërtimore të zotit Shpëtim janë të shumta dhe të ndryshme. Ai dëshpërohet se kalldrëmet e dikurshme sot nuk janë më aq të bukura, se kalaja ka vende-vende çarje dhe shkarje, madje edhe Ujësjellësi i Kalasë Gjirokastër (Urat e Mëdha), që nga shekulli i XIX nuk ekziston më. Autori hedh një sy edhe në problemet shoqërore dhe politike të kohës për qytetin e vet. Ai jep alarmin dhe shpreh dhimbje se:

Por këto 30 vjet

 Gjirokastra pak ka ec,

 mbetur nga fundi në radhë,

 behot, sikur s’ka të hajë!

…Më dukesh e rënë në gjunjë,

 telashe kohët të prunë(Po aty, f. 29)…

Kjo “Gjirokastra me vulë”

është nemitur bërë pulë. (Po aty, f. 30).

Kjo pamje e Gjirokastrës, e zymtë, e vjetëruar dhe e plakur, e bërë si pulë nuk pajtohet me realitetin faktik të ndryshimeve dhe përparimeve gjatë këtyre 29 viteve të pluralizmit demokratik, si në të gjithë vendin edhe në qytetin e gurtë. Lexuesi habitet dhe nuk mund të jetë dakord me autorin dhe qytetarin Shpëtim A. Emiri, të cilit nuk i hyn gjë në sy apo nuk i shikon ndryshimet e qarta edhe në qytetin e Gjirokastrës, si në të gjithë Shqipërinë. Qyteti është kthyer në një kantier ndërtimi: rrugë, kalldrëme, sipas një plani rindërtohen shtëpitë karakteristike etj. Këto  shtëpi tradicionale po rindërtohen dhe kryesisht po bëhen hotele për turistët,  që janë shtuar brenda këtyre 3-4 viteve dhe janë bërë burim të ardhurash për të zotët.

Munguaka libraria e dikurshme, por kemi universitetin “Eqrem Çabej”, shtëpinë-muze të Kadaresë; shkolla të mesme dhe  tetëvjeçare, qendra të reja arkeologjike etj. Madje në Gjirokastër jeta politike, shoqërore e kulturore zien nga turistët e shumtë, koncertet dhe veprimtari të larmishme, si festivale folklorike kombëtare  dhe lokale etj. Në libër zënë një vend të gjerë edhe satirat dhe shpotitë në vargje të Alizot Emirit, i njohur në qytet si librar dhe humorist. Kuptohet dëshira familjare për të theksuar sa më tepër prurjet humoristike të të atit, Alizot Emiri, duke sjellë edhe mendime për të nga njerëz të ndryshëm si poeti Dritëro Agolli, Dalan Shapllo, Pëllumb Kulla etj.

Libri i Shpëtim A. Emirit “Moj Gjirokastra ‘pa vulë’” i përcjell lexuesit dy mesazhe:

Njëri: Dikur, në të kaluarën, Gjirokastra ishte zonjë, zonjë e rëndë” me vulë” (me vlerë), me stolira dhe bukurira dhe madje edhe me “SOLIN” (librarinë).

Tjetri: Gjirokastrës sot i ka mbetur ora, madje ka humbur “vulën” edhe tingullin e këngës, se i munguaka SOLI:

Syri librarinë kërkon,

 mbete si muzikë pa “SOL-in”. (Po aty, f. 12)

Dihet se poezia dhe veçanërisht një lloj i saj, ajo humoristike, është e vështirë, se krahas mesazhit kërkon edhe humorin, satirën e sarkazmin. Letërsia shqiptare ka pasur dhe ka një varg autorësh që janë shquar si humoristë, që nga Chri-Chri (Nonda Bulka), Dritëro Agolli (“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”), Niko Nikolla, Gaqo Veshi, Dionis Bubani e gjer tek doktor Izet Çulli etj. Autori, zoti Emiri, ka bërë kujdes për gjuhën e thjeshtë, të qartë dhe në pajtim me normën e përbashkët drejtshkrimore. Ka mjaft vargje të stolisura me kujdes dhe frymëzuese, por edhe mjaft vargje të dobëta, sa të kujtojnë bejtet.

O Shpëtim s’e bëre mirë,

Që harrove historinë.

 Gjirokastra me vlerë,

Kërkon Dashuri dhe NDER!

Duket sikur të përshëndet dhe të uron mirëseardhjen në këtë qytet muze një rrugë e ngushtë me gurë të skalitur, të bardhë e të kuq, që nis nga burimi i njohur i Viroit e zgjatet gjer tek bërryli në hyrje të qytetiti,   që u shërben këmbësorëve , por edhe përdoruesve të biçikletave. Gjirokastra e dijes dhe e kulturës, Gjirokastra e njerëzve të shquar, emrat e të cilëve janë skalitur në stendën e qendrës së qytetit, e që janë: Musine Kokalari, Eqrem Çabej, Rauf Fico, Ismail Kadare, doktor Vasil Labovitiadhi; Gjirokastra e familjeve të mëdha dëshmon se ajo ka pasur dhe ka “vulën” e historisë, të kulturës dhe të përparimit të vazhdueshëm. Nuk ia heqin dhe as ia zbëjnë “vulën” ato çndërtime ose mangësi etj, siç i qesëndis (satirizon) e vë në dukje autori, njëherazi edhe inxhinier ndërtimi. Gjirokastra është me “vula”, me shumë “vula”, me vlera të pamasa. Ajo mban dafinat e dy kurorave europiane, qytet-muze nën mbrojtjen e UNESCO-s, dhe atë të iso polifonisë – thesar gojor i njerëzimit (fondi klasik). Gjirokastra mban kurorën si vendlindja e shkrimtarit me famë botërore Ismail Kadare, që aq bukur e ka shprehur bashkëqytetari i tij, albanisti i shquar Eqrem Çabej, që shkruan se fati e deshte që Gjirokastra t’i dhuronte botës një shkrimtar si ISMAIL KADARENË.