Suplementi Pena Shqiptare/ Migjeni: botohet për herë të parë në Spanjë, Revista “VASOS COMUNICANTES”

Revista “VASOS COMUNICANTES” organ i Shoqatës së Përkthyesve të Spanjës, në rubrikën “Risi të përkthyera”, njofton përkthimin dhe botimin për herë të parë në spanjisht të librit “Vargje të lira” të Migjenit.

María E. Roces González shkruan revista, ka përkthyer nga shqipja veprën Vargje të lira të Migjenit, botuar në 2025 nga shtëpia botuese ¨La Tortuga Búlgara¨, që drejtohet nga kolegu dhe përkthyesi letrar, Marco Vidal González.

NOA

Shtëpia botuese “La Tortuga Búlgara”, e angazhuar që të sjellë në spanjisht veprat e dy prej poetëve më të shquar e të nderuar shqiptarë, boton tani Vargje të lira, veprën poetike të plotë të Migjenit (1911–1938), pas botimit të antologjisë së poetit kombëtar Naim Frashëri, vitin e kaluar.

Migjeni, akronim i Millosh Gjergj Nikolla, edhe pse pati një fillim premtues letrar në prozë – siç dëshmojnë, gjatë pranverës së viteve 1933–1938, 24 novelat e tij (Tregime), 6 novelat e qytetitVeriut (tregime të qytetit të Veriut) dhe 4 shkrime të tjera – do të jetë megjithatë krijimtaria e tij poetike ajo që do të lërë gjurmën më të thellë në letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Migjeni i hapi rrugë letërsisë moderne shqiptare në vitet 30 të shekullit të kaluar, duke sjellë një formë të re vargëzimi, një shprehje poetike të re dhe përfshirjen e problemeve shoqërore në letërsi, edhe pse i riu Migjeni, i cili jetoi vetëm 27 vjet, mbërriti në letërsinë shqiptare në kohën e zhgënjimit të madh: pavarësia e vitit 1912 nuk e ndryshoi absolutisht strukturën e shoqërisë, ajo mbeti një karikaturë e sulltanatit nga i cili sapo ishte çliruar Shqipëria. Kështu, Migjeni rreshtohet në anën e mendimit të lirë progresist të kohës.

Ai ishte i pari që theu traditën romantike të trashëguar nga shekulli i mëparshëm, përfaqësues i kohëve të reja, i biri i shekullit të ri që u rebelua kundër prangave të shekullit të mëparshëm. Migjeni braktisi temat e vjetra – euforinë nacionaliste, lavdërimin e traditave, lartësimin e “virtyteve të racës shqiptare”, etj. – të ngritura lart nga shkrimtarët nacionalistë të Rilindjes Kombëtare, të shekullit të XIX, të cilat, në periudhën midis dy luftërave botërore ishin kthyer në pengesë të zhvillimit letrar, që ai i zëvendësoi me tema të realitetit të kohës, të shprehura me një stil të ri. Në aspektin letrar, Migjeni është një moskonformist dhe një fenomen i pazakontë, sepse historia e tij personale ndërthuret me historitë e mijëra shqiptarëve anonimë, vuajtjet dhe mjerimet e të cilëve nuk janë regjistruar në asnjë kronikë apo histori kombëtare.

Të dyzet e tre poezitë ose këngët e Vargjeve të lira nisin me një parathënie, ku Migjeni shpall apostazinë e tij, dhe janë ndarë në gjashtë cikle:

Këngët e rilindjes, Këngët e mjerimit, Këngët e Perëndimit,  Kënga për veten, Këngët e rinisë,  Këngët e fundit. Klasifikimi bazohet në lidhjen tematike midis poezive, ndërsa titujt flasin vetë për motivet që i bashkojnë. Këto motive lindin nga bota reale e mjerueshme, e zbuluar që në vargun programatik Bijtë e shekullit të ri që hap ciklin e parë; arrijnë kulmin në Poemën e mjerimit dhe gjejnë shprehjen më të lartë në Këngët e Perëndimit.

Si në prozë, ashtu edhe në poezi, Migjeni dallohet për stilin e tij të veçantë, energjik dhe luftarak, që përdor teknika të ndryshme për të kombinuar elemente lirike dhe epike, komike dhe tragjike, sarkastike e groteske. Ndersa në poezi përdor vargje të zakonshme, të gjata, herë pas here me ton oratorik, ndërsa në prozë fjali të shkurtra. Ai përdor metaforën si formë të zakonshme shprehjeje, dhe simbolet dhe alegoritë si mjetet kryesore artistike, një zgjedhje e detyruar nga mungesa e lirisë së shprehjes nën regjimin e Zogut.

Titulli i vëllimit të tij të vetëm poetik Vargje të lira nuk duhet kuptuar si shmangie nga rimat dhe metrat klasike që predominonin deri në fund të shekullit XIX, pasi vetëm pak vargje të Migjenit janë vërtet “të lira” në kuptimin formal. Titulli  Vargje të lira duhet kuptuar si vargje të lirisë, ose vargje për lirinë.

Vargu i Migjenit është herë i rregullt, herë i çrregullt, ndërsa strofat shpesh janë të ndryshme në gjatësi, me kombinim rimash e metrash të ndryshme. Rima më e përdorur nga Migjeni është asonanca.

Migjeni shkruan në gegërishten letrare të Shkodrës, të pasuruar me fjalë e shprehje nga krahinat përreth dhe ndonjëherë edhe nga toskërishtja e Shqipërisë së Mesme e të Jugut. Ai krijon neologjizma dhe përdor shpesh fjalë neolatine. Në aspektin metriko-fonik, duhet pasur parasysh se zanorja ë në poezinë gege ndonjëherë shqiptohet e ndonjëherë jo, dhe se diftongët ndonjëherë ndahen në dy rrokje, kështu që, për shembull, një varg që duket pesëmbëdhjetrrokësh mund të jetë në fakt dymbëdhjetrrokësh.

Në botimin dygjuhësh të shtëpisë botuese ¨La Tortuga Bulgara¨, përkthyer në spanjisht nga María Roces, përkthyesja është përpjekur të ruajë sa më shumë përmbajtjen, metrin dhe rimën e vargut migjenian, duke arritur, sipas saj, një përputhje po aq të mirë — në mos më të mirë — se përkthimet italiane të Iolanda Kodra (Tiranë, 1962) dhe franceze të Kolë Luka (Pierre Seghers, Paris, 1965), të cilat ajo i ka konsultuar shpesh dhe të cilëve u shpreh mirënjohje.

“A konfirmohet kështu, besimi, gjithnjë më i fortë, se gjuha letrare shqipe “përshtatet mirë” në spanjisht?” siç shprehet Maria Roces. Ndoshta lexuesit spanjollë do ta vlerësojnë. Por ajo është plotësisht e bindur se, siç pohonte Faik Konica, gegërishtja – si tek Migjenin ashtu edhe në epikën legjendare – është gjuha e poezisë.