E pashë Hënën, të trembur, vraponte,
retë e zeza e ndiqnin si bishat në natë.
As Ylli Polar s’mund ta ndihmonte,
kishte rënë në gjumë, gërrhiste pak.
Fshihej pas malit në heshtje të thellë,
si fëmijë që kërkon një strehë të harruar.
Era trazonte qiellin, panik kishte mbjellë,
dhe drita e Hënës zvenitej e tmerruar.
Yjet e zbehtë që nga larg e sodisnin,
si sy dëshmitarësh që frikësohen të flasin.
Qielli u bë një det ku veç hijet vozisnin;
më kot shpresonte — yjet s’e qasnin.
Ende retë e zeza i qëndronin mbi supe,
si kujtime të rënda që s’duan të shuhen.
Megjithatë, nata u largua e iku tutje,
retë nga frika e dritës s’dinë ku të futen.
Dhe, kur errësira u ngrit për ta gllabëruar,
Hëna u ndal — ajo nuk u fsheh më.
Me një rreze të fortë drite çau tutje, e çliruar;
çdo natë Hëna ndriçonte, yjet s’bënin zë.



















