Çdo ditë e përditë humbas diçka nga jeta
dhe pse quhet humbje,veten prapë e mbaj.
Vetëm të vërtetën asnjëherë s’e gjeta,
nëse do ta gjëja e ktheja në ar.
Çdo ditë e përdite,vidhet jeta ime,
lypsar dot s’më kthejnë, s’kanë aq fuqi.
Tani bashkëjetoj vetëm me kujtime,
me ëndrra të kota që s’quhen rini.
Çdo ditë e përditë kockë e lëkurë,
rreshkur edhe fishkur,si gjethet në vjeshtë.
Me zemër e ngrej të magjishmen urë
dhe eci mbi të si një gjë e fshehtë.
Çdo ditë e përditë s’jam në rrugën time,
i ndryshoj korsitë pa sinjale fare.
Truri hallakatur ,i vogli thërrime
dhe dy sytë e ballit kthyer në kamare.
Çdo ditë e përditë nuk i ardhka fundi
që të gjithë u plakën u kthyen si unë.
Po furtuna e jetës, jo nuk më lëkundi
edhe dallkaukët s’ më vunë dot në gjumë.
Çdo ditë e përditë, ja ku ndodhem sot!
Zvarranik s’u bëra as edhe lypsar.
Po për jetën time derdh dhe ndonjë lot,
por nuk mund të ndodhi ta kthej në pazar.






















