Një tragjedi e rëndë ka tronditur shtetin e Montanës në SHBA, ku tetë anëtarë të së njëjtës familje, mes tyre katër fëmijë, u vranë gjatë një sulmi me armë zjarri.
Pas krimit, autori i dyshuar i vuri flakën banesës ku familja ishte mbledhur për darkë. Sipas autoriteteve dhe dëshmive të të afërmve, autori i dyshuar ishte Alan Smith, 44 vjeç, i cili dyshohet se qëlloi për vdekje gjyshen, prindërit, motrën e tij dhe katër fëmijë.
Viktimat i përkisnin katër brezave të së njëjtës familje, nga një grua në të 90-at që përdorte karrocë me rrota, deri te një vajzë vetëm 7 vjeçe.
Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje, në një banesë në periferi të Billings. Kur policia mbërriti në vendngjarje, efektivët dëgjuan të shtëna që vinin nga pjesa e pasme e shtëpisë. Pak më pas, banesa u përfshi nga flakët.
Autoritetet konfirmuan më vonë se tetë persona kishin humbur jetën. Edhe 44-vjeçari, i dyshuar si autor i masakrës, pësoi një plagë me armë zjarri të vetëshkaktuar dhe më vonë ndërroi jetë nga plagët.
Mes viktimave ishin Megan Gekier dhe dy fëmijët e saj, Owen Ireland, 13 vjeç, dhe Chloe Ireland, 7 vjeçe. Gjithashtu u vranë edhe dy fëmijët e bashkëshortit të Megan, Landon Gekier, 15 vjeç, dhe Charlotte Gekier, 12 vjeç. Charlotte, 12 vjeçe, arriti të telefonojë numrin e emergjencës 911 ndërsa sulmi ishte ende duke ndodhur. “Charlotte ishte heroinë”, tha një mik i familjes, duke treguar se 12-vjeçarja u përpoq të shpëtonte familjarët e saj.
Babai i saj, Adam Gekier, konfirmoi se policia i kishte thënë se vajza e tij ishte personi që kishte telefonuar 911 nga brenda banesës. Në momentin e sulmit, ai ndodhej në punë. Pasi dëgjoi për të shtënat në radio dhe nuk arriti të kontaktonte familjen, u nis menjëherë drejt shtëpisë. Kur mbërriti, banesa ishte përfshirë nga flakët. Rreth dy orë më vonë, ai mësoi se gruaja dhe fëmijët e tij kishin humbur jetën.






















