Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Visar Zhiti

633
Sigal

Jeton në syrin tënd

Siç duket

Unë jetoj brenda në syrin tënd.

Bashkohen qerpikët,

Vjen nata për mua,

E ngrohtë.

 

Gjumi im rrëzon rrobe si gjethet e mëdha.

Kur të treten, të mos të di gjë

Që jam ajo pemë në largësi.

Zogjtë ndërtuan një fole. Është zemra Ime.

Pastaj dhe një zemër tjetër

Me fije dritë

Dhe me kokrriza dheu si dhimbjen

Te krahët e mi e ndërtuan zogjtë.

E dija

Është zemra jote.

E pashë

Kur hape sytë dhe solle agimin tim.

 

Kam kaq kohë që jetoj në syrin tënd,

Dhe që të çlodh,

Dal herë pas herë shëtitje

Në formën e kulluar të lotëve.

Dhuratë Hyjnore

Ne fillim ishte puthja e dorës në ëndërr-

hënë ndjellëse qe afrohet.

E pranuam fatin të vuajmë

magjishëm si hyjnoret.

Ti kërkon të më futesh brenda vetes

mua, tufanin e dëshiruar, që shkallmon

shkallë dhe ankthe,

pritje dhe dritare,

anët e trupit tënd

për t’i ribërë sërish prej drite të dritës.

Qysh të mbërrij nga fundi i barkut

te gjinjtë e tu, të diejt

që i shtrëngoj si fëmija dy zogj të artë,

të mos i ikin më të përralla drithëronjëse.

Zambakë të mëdhenj afshesh na mbështollën.

Pastaj mes mjegullave dehëse

të rënkimeve dhe psherëtimave

shoh si bie fytyra jote

nëpër humnera parajse,

bie dhe unë, s’të ndahem, i mbërthyer

pas teje me buzë, me të gjitha buzët e mia

nëpër lëkurën e shpirtit tënd,

qe u mbush me muzgje te vogla, blu.

Ah,të paskam kafshuar si mollën biblike.

(Dhembja është tejet e ëmbël.)

Ti je molla prej kohe

që s’mbaron.

Zbathur shëtitët nëpër buzët tua

Zbathur,

Vetëm zbathur

Shëtitet nëpër buzët tua.

 

Këmbët mu mbushën

Me petale të kuqe puthjesh

Që më bien gjatë ecjes.

 

Dhe kështu u krijuan yjet

Në qiellin tonë prej toke.