Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga: Agim Xheka

569

Pengut tim

Më thuaj, të lutem! Ti më thuaj!
Ku mund ta gjej shkëlqimin tënd?
U bënë kaq vite që heq e vuaj,
me shpirtin plagë që qan e dhëmb.

Më thuaj, të lutem! Ti më thuaj!
S’të pyes për buzë e as për faqe,
Për to, tashmë jam një i huaj,
Por shpirti, shpirti, a të ka paqe?

Më thuaj të lutem, Ti më thuaj!

Të deshi një tjetër ashtu si unë
A mundi kush si unë të të ruaj
Si nëna foshnjën kur fle gjumë?

Më thuaj të lutem,Ti më thuaj!
a i preke ëndrrat që kërkove?
Nuk është lakmi, ndaj mos u druaj
Dikë tjetër si mua, a lumturove?

Më thuaj të lutem,Ti më thuaj!
Fundja, pranoj dhe t’më gënjesh,
që gjallon paqja në mesin tuaj
dhe të mbyll sytë, i qetë të vdes.

Bashkëvuajtësve të nesërm

Po dalloj çdo ditë e më shumë
dritën e diellit
si dritën e kandilit
që po shuhet dalëngadalë.
Nuk kam më fuqi të ankohem…
Duhet zë i pushtetshëm
të mund ti bëri ballë.

Por unë pushtet nuk kam
dhe… nuk kam luftuar kurrë për pushtet
dhe nuk jam fare pishman.
as sot e as në atë jetë.

Kujt ti falem e ti shtri dorën?
E ç’të më duhen sytë
kur vetëm terr e zi shohim për ditë;
Kur… edhe kur i kisha
nuk munda ta çliroja diellin
por mjaftohesha duke arnuar
me mballoma shprese qiellin?

O bashkëvuajtësit e mi të nesërm!
Më falni që nuk e mësova dot shkrimin tuaj
dhe…tani është tepër vonë.
Do ju fal zërin tim
ndoshta ju duhet ta lëshoni si jehonë
a ndoshta si kushtrim…