Suplementi Pena Shqiptare/ Dashuria në vargje një mrekulli jetësore

“Duajeni njeri-tjetrin”. Këto fjalë janë thënë mëse dy mijë vjet më parë.

Dashuria është një motiv i shpresës dhe i lumturisë. Pa dashuri do të ishte

Sigal

një jetë boshe dhe pa kuptim. Vlerësimi i kësaj ndjenje të fuqishme dhe të jashtëzakonshme ka frymëzuar poetë duke gdhendur në epoka historike vargje brilante për këtë ndjenjë të pavdekshme.

Andon Zako Çajupi
Bukuria


Bukuria jote, leshërat e tua,
posi pëndë korbi, të gjata
mbi thua. Ballëtë si diell,
faqetë si mollë, qafa jot’ e gjatë,
mesi yt i hollë, sisëtë si shegë,
dhëmbët si thëlpënjë, buzët si
burbuqe, sytë si gështënjë,
dora si dëborë. Fjala jote mjaltë,
kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë.
Gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua,
po zëmëra jote u bë gur për mua!

 

Migjeni
Dy buzë…

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma ikën
ndër do bota të larta…
Dy buzë si të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur m’u njitën.
Andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen…
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane.
Një pjesë zemre më nxornë,
një pranverë të tanë më mornë
dhe gëzimin ma vodhnë…
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lot të mija
qenë shenja të dhimbjes,
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.

Lasgush Poradeci
Dëgjimi i Zemrës

Kur të më kujtosh,
kur të vish të shkosh,
kur të shkosh këtejza pranë
që të çmallërosh!

Ç’po dëgjon kur shkon,
kur vjen e përgjon?
Ç’përgjon zemra në kët’anë
fund në këtë hon?

Zemra jote sot!
Zemra jote mot:
sot e mot në ç’mallërime
zemra që s’fle dot!

Seç të ndjen këtej,
seç të ndjen pastaj,
seç dëgjon ndaj vetes s’ime
(Si ndaj vet’e saj).

Mall e vrer që mbaj:
qaj, moj zemër, qaj.
Vrer e mall që flas:
plas, moj zemër, plas.

 

 

Ismail Kadare
Ti ishe për mua

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja:
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske.

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
t’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
ti, e shtrenjta ime etruske.

Sërish
Ndoshta gabimisht u deshëm!
Ndoshta gabimisht u ndamë!
Duke lexuar mbrëmë Ndoc Gjetjen;

unë të ndjeva sërish pranë.

Sërish pranë, ndonëse larg
hapi yt m’u shfaq në derë.
Kurrë nuk shuhet ai zjarr!
Kurrë nuk kthehet ajo verë!

Dhe s’di ç’të bëj dot tani!
S’di, pasha jetë-vdekjen.
A të shkruaj një varg për ty,
a të ndez qiri për veten?!

 

Dritëro Agolli
Letrat

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
kur tretesha dhe digjesha për ty.
Nga njeri-tjetri letrat vinin vonë,
kalonte dhe një muaj apo dy.

Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
se zjarrin mbanin letrat në udhëtim,
me biçikletë a mushkë apo me kalë
në vapë e shi, dëborë dhe thellim.

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
me zor na vinin letrat fshat-qytet!
Nuk kishim nëpër dhoma telefonë
dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

Megjithatë; më mirë që nuk kishte
as telefon, as internet, as faks,
se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
një dashuri të vjetër për një cast.

 

Timo Flloko
Shën Valentini i fundshekullit

Ta kushtoj Ty
këtë Natë të Shën Valentinit.
Të gjallët,
prej ankthit të vetmisë
ngërthehen fort,
tek njeri-tjetri shpresat varin…
Këtë natë të fundit të dashurisë,
në fundin e mijëvjeçarit!

Xhevahir Spahiu
Rekuiem për orën 6…

Ora 6
Akrepat si dy krahë të hapur që presin
dhe ti s’po vjen!
Ti s’po vjen as në 6 e një minutë,
në 6 e dy minuta vetmia ish me mua.
Unë isha me vetminë në 6 e tre minuta,
në 6 e katër minuta bota ishte po ajo!
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji,
6 e shtatë, 6 e tetë, 6 e nëntë, 6 e dhjetë
ti s’po vjen!
S’po vjen,
s’vjen!
Në 6 e pesëmbëdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit.
Akrepat u thyen si dy krahë të një zogu
që s’ekziston.
Unë mora pikëllimin për dore
dhe ika!

 

Bardhyl Londo
Gratë e poetëve

Sytë e bukur mbyllin. Po gjumi
nuk e di ku është mërguar, nuk e di!
Njëra përsërit me vete një varg. Tjetra
një figurë sjell ndër mend…
Si një lirikë dashurie
ledhaton pastaj jastëkun bosh në krahët e saj.

(…Vallë me kë u martuan burrat tanë,
me ne, apo me ty, poezi?…)

Një fjalë, një rimë,
një lumë dashurie dhe pak xhelozi.
Mesnata e krijimit çapitet si plak i ngadalshëm.

Vonë. Sytë e bukur mbyllin
dhe në ëndrra shohin vjershat e librave
të ardhshëm.

Teodor Keko
E dashur

E dashur, erdha!
E dashur erdha! Pse vrenjtesh kot?
Ti po më prisje përsëri,
mos u çudit, unë jam një zog.

Kur dashuroj bëhem si ajri,
e ngre folenë aty ku dua!
Do, s’do, të futem në kraharor,
të pushtoj si i marri.
Po e mbylle derën,
unë me forcë do ta hap,
do ta coptoj!

Do bësh sikur më ke inat.
Ndodhi e vjetër, unë e di!
S’jam buzëqumësht, por esnaf,
për dashurinë di plot dredhi!
Unë do të puth, do të pushtoj në gji,
dhe po ma mbylle derën ti.

E dashur, erdha, në prag ke dalë,
ke hapur portën dhe qesh nën hundë.
Sa përbetohesh me qindra fjalë,
më mirë, eja, më puth!