Suplementi Pena Shqiptare/ Filip Shiroka: Poeti lirik dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare

495
U lind më 1859 në Shkodër, i biri i Ejll (Engjëll) Shirokës dhe i Rozes së Ndoc Heqimit. Mësimet fillore i mori tek etërit françeskanë, ndër mësuesit e tij qe edhe arbëreshi At Leonardo de Martino. Gjatë ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, u dërgoi javë për javë artikuj gazetave italiane “L’osservatore triestino” dhe “Il Piccolo”, përmes të cilave u bëri të ditur opinionit italik paudhësitë që pësonin në kurriz “shqiptarët nga Mbretënija e Stambollës qi ndigjonte fjalët e anmiqve t’onë (dhe anmiqve të vet)”. Në letrat me Sotir Kolean, Shiroka pohonte se ka qenë “përgjegjësi i fletoreve “L’Osservatore Romano” dhe “La voce della verità” dhe se kishte shkruar shumë edhe tek “Osservatore Triestino” dhe “Il Cittadino” që botoheshin në Trieste. Më 1880, pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit, emigroi në Lindjen e Afërt, ku punoi si inxhinier ndërtimi hekurudhash. Atje formoi familje me një grua të huaj dhe u trashëgua me djalë, të cilit i dha emrin e të atit, Engjëll dhe një vajzë, Alice. Megjithatë, me anë të letërkëmbimeve me të afërmit e tij interesohej për gjendjen e vendlindjes dhe risitë e emërimeve në dikasterit e shtetit të pavarur shqiptar. Nga letërkëmbimi i tij, mund të kuptohen vendqëndrimet e përkohshme sa në Liban, sa në Misir. Më 14 shtator 1892, nga një letër dërguar Faik Konicës, kuptohet se është në Beirut. Më 1900 u kthye në Shkodër për pak kohë. Më 8 gusht 1911 gjendej në Kairo, dhe po në atë periudhë në një letër dërguar Koleas në Aleksandri nga Asiuti, Shiroka përcjell se po merrej vesh me autoritetet hekurudhore që të vendosej me banim në kryeqytetin e sotëm egjiptian. Më 29 prill 1912 në një letër dërguar po Koleas, kumton se e kishin diagnostifikuar anemik Sipas letërkëmbimit të tij, Shiroka gjendej në Kairo së paku deri më 15 janar 1921. Atë vit emërohet kryetar i shoqërisë “Vllazëria e shqiptarvet në Misir”. Më 9 dhjetor 1930 në një letër dërguar Zef Sumës, kumton se gjendet në Hadet, pranë Beirutit. Vend ku priti edhe letrat e tjera nga kushëriri i tij. Më 1933 botohet në Tiranë vëllimi i tij poetik “zani i zemrës”.

Nji lules së vyshkun
Lulja e bukur – këput kush të ka,
Prej shoqesh tueja – kush të paska nda?…
M’je vyshke e thamun – lulja e shkretë
Qysh se të kanë tret.
Se ti dhe unë – nda prej shoqërisë,
Larg prej qytetit – tim, prej Shqipërisë.
Si ti u dogja – lulja e shkretë
Ne dhe t’huejin tret.
Ti, në kopsht tandin – ku ke lulzue
T’ka ushqye vesa – dielli t’ka gzue,
Por tash je veshkun – lulja e shkretë
Tash qi t’ka tretë!
Edh’ un, n’dhe timin – gjith i gazmue
Prindët me knaqshin – isha i lumnu,
Por tash po digjem lulja e shkretë
N’dhe t’huejin tretë.
Shko dallëndyshe
Udha e mbarë se erdh pranvera,
shko, dallëndyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera,
fusha e male tue kërkue;
n’Shqipni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n’qytetin tim.
Shëndet prej meje të m’i falësh
saj shpisë vjetër ku kam le,
me ato vende rreth t’përfalesh,
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet qytetit tim.
Me ato male, me ato kodra,
me ato prroje rreth t’përfalesh
n’ato fusha që m’ka Shkodra
të lulzueme, aty t’ndalesh;
tue kndue me ambëlcim,
fal me shndet qytetit tim.
T’mujsha dhe un’ me fluturue
dojsha dhe un’ me u nisë me ty,
dojsha n’Shkodër me kalue,
m’e pa prap at’vend me sy!
Por… ti shko atje… fluturim
e ti qajma fatin tim.
Sigal