Suplementi Pena Shqiptare/ Piro Milkani: Regjisori me prodhimtari më të lartë

34
Sigal

NË 81 VJETORIN E LINDJES

/Telegraf.al/ Piro Milkani (1939). Regjisor, operator. Lindi në Korçë, më 9 dhjetor. Mbasi mbaroi shkollën e mesme në këtë qytet, shkoi në Pragë, Çekosllovaki, për të vazhduar studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura, Fakultetin e Filmit Famu për operator. Në vitin e fundit të këtij fakulteti xhiroi filmin-punë diplome me titullin ‘Nenavist’ (Mosmirënjohja).

Qysh atëhere spikati për lirizmin dhe poezinë, të gërshetuara me tonimet psikologjike, disi dhe ato dramatike. Pas mbarimit të studimeve filloi punë në kinostudion “Shqipëria e Re” si operator. Përveç si operator dhe regjisor, ka qenë zëvendësdrejtor i kinostudios (1991-1993), drejtor i ‘Albafilm Distribution’, ambasador i Shqipërise në Çeki (1998-2002).

Nga filmat që xhiroi fillimisht qenë: ‘Detyrë e posaçme’, 1963; ‘Vitet e para’, 1965; ‘Oshtimë në bregdet’, 1966.  Dhuntitë vetjake dhe nevoja e kinostudios për shtimin e prodhimit kinematografik vendas e orientuan natyrshëm P. Milkanin drejt profesionit të regjisorit, çka u konkretizua me sprovën e tij të parë të suksesshme në filmin ‘Ngadhënjim mbi vdekjen’, 1967, fitues i çmimit të Republikës, ku ishte bashkëregjisor e bashkëskenarist me Gëzim Erebarën.

Filmi u mirëprit nga publiku për impaktin e fortë emocional që krijoi, sensin dramatik e tragjik si dhe perceptimin disi “ndryshe” të personazheve “armiq”, jo aq skematike, deklarative e të paraparë si më herët. Filmi ‘Kur zbardhi një ditë’ (1971), posaçërisht episodi Meçua, me veprimin e përqëndruar, suspansën dhe vdekjen e heroit në kambanoren e kishës, dha gjasë se P. Milkani do të rritej ndjeshem si regjisor në të ardhmen e pritshme.

Kjo u duk qysh me filmin ‘Shtigje lufte’, 1974, ku risillen episode të guerilasve shqiptarë dhe luftëtarëve të “Çetës seëPezës”, me strumbullar figurën dhe bëmat e Kanan Tafilit (militantit të njohur komunist, Kajo Karafili), sigurisht nën një optikë politike të anshme, gjegjësisht klisheve të njohura në trajtimin e Luftës Nacionalçlirimtare, veç të tjerave edhe si revolucion shoqëror.

Ndryshe sillet ai tashmë ndaj dukurive të jetës së përditshme në kinokomedinë ‘Çifti i lumtur’, 1975, tek e cila spikat afria mes njerëzve dhe pranimi i të vërtetës si një katarse e zgjidhje fatlume, ashtu sikundër lirshmëria dhe situatat gazmore në shpotitjen e dasive fetare, që sjellin nota e gjendje të këndshme humori. Gjatë udhës së konsolidimit artistik, ai xhiroi shumë kinoditare, reportazhe dhe filma dokumentarë, ndër to spikatën: ‚Festa e madhe‘, ‚Një firmë e hekurt.‘

Në vitin 1976 përfundoi filmin ‚Zonja nga qyteti‘, me skenar të R. Pulahës,  sipas komedisë homonime të tij. Paçka se realiteti i sjellë është sidoqoftë “rozë” dhe i zbukuruar, filmi mbetet nga kinokomeditë më të bukura, dhe në zanafillë të këtij zhanri. Ai ka mundur t’i rezistoje kohës, më së shumti, falë optimizmit që bartet aty, haresë, humorit popullor, tipave të larmishëm, si dhe një fryme hedonizmi që e anashkalon moralitetin dhe zymtimin e kohës.

‚Ballë për ballë‘ (bashkautor me K. Çashkun, 1979), sipas motiveve të romanit ‚Dimri i vetmise se madhe‘ të I. Kadaresë, është i stilit epiko-heroik, me skena të forta dramatike, manovrime masash njerëzore, sidomos të mjeteve të rënda luftarake e detare (nëndetëse, anije, avionë), çka shkaktojnë efekte të forta dhe riprodhojnë një realitet filmik tejet të afërt me të vërtetën. Fryma sublime dhe prania aktive e të madhërishmes, ndonëse fryt i miteve politike të kohës, i jep, sakaq, një dimension epiko-heroik, gati legjendar ngjarjes dhe njerëzve. Në Festivalin IV të Filmit Shqiptar ai u nderua me çmimin e parë.

Figura e një militanti të njohur komunist, Visarit (Vasil Shanto), dhe vetemohimi i tij, i vrarë tradhtisht, bëhet linja fillore e filmit ‚Militanti‘ (1984), i cili shquhet për aksionin e ndërtuar hijshëm, këndmarrjet poetike, dramacitetin e montazhit, me simpatinë për heroin dhe fluksin emocional që shkaktohet nga vdekja e tij.

Filmi më i realizuar, ku shpërfaqet e njëmendësohet më mirë poetika kinematografike e P. Milkanit ishte ‚Pranvera s’erdhi vetëm‘ (1988), fituese e Festivalit VIII të Filmit Shqiptar. Etja për jetën, dinjiteti, guximi për të përballuar vdekjen e paralajmëruar, përmes zhbirilimit në dilemat, kundërtheniet dhe pervuajtjet e heroinës, krijojnë një nënshtresë fluide e të lëvizshme emocionale, e tipologjisë së psikoanalizës.

Në vitin 2006, pas një pauze të gjatë, e vetëkuptueshme nga pamundësitë financiare të kohës, xhiroi filmin ‚Trishtimi i zonjës Shnajder‘, me të cilin risjell një subjekt interesant, si dhe idenë e pezmit dhe vanitetit të njeriut, posaçerisht të gruas, nga martesat e parealizuara dhe mungesa e dashurisë. Filmi u dublua ne gjuhën çekisht. Në rolin e kontit luajti aktori i njohur Italian, Mikele Plaçido.

Milkani është nga regjisorët më prodhimtarë, me 17 filma. Me kulturën dhe aftësitë elokuente, ai ka dhënë një ndihmesë të vyer edhe si mësimdhënës në përgatitjen e operatorëve dhe regjisorëve të rinj në kurset pasuniversitare për regji e skenarë të çelur pranë Institutit të Lartë të Arteve, si dhe në Studion Krijuese pranë kinostudios “Shqipëria e re”.

Si mediator publik e televiziv, ka bërë të njohura arritjet e kinematografisë shqiptare si dhe lami të tjera kulturore artistike, me emisione të ndryshme në TV. Në vitin 1997 u nderua me “Çmim të Veçantë” për të gjithë krijimtarine artistike në Euro-Festivalin e Saint-Etienit, Francë. Mban titullin “Artist i Popullit” (1987).