Sigal

Ç’ja thoshte bilbili…

Arben Duka

Ç’ja thoshte bilbili…

Mu në Lazarat:

“Rrofsh, Baba Berisha,

Që nuk na le thatë!”

 

Që nuk na le thatë

Pa ikur Shtatori

Se ti je, o mik

Kombinat humori!

 

Kombinat humori

Nga gjithë më i zoti

Të të marrë pleshtat

Edhe Don Kishoti!

 

Don Kishoti vetë

Zylua i Dritëroit

Ty nuk të arrijnë

As te majë e thoit!

 

As te majë e thoit

O, shoku Sali!

Mjeri, unë i mjeri

Ç’do bëja pa ty!

 

Ç’do bënte pa ty

Pelua, Arben Duka

S’do t’i dilte gjella

S’do t’i dilte buka!

 

Shpesh, vendos mos shkruaj

Dhe s’ngrihem nga shtrati,

Por, sa ti më shfaqesh

Ngrihem si lugati!

 

Ngrihem si lugati

Rrëmbej stilografin,

Furnizoj me miell

Çdo ditë “Telegrafin”!

 

Jetë sa më të gjatë

Çdo çast të uroj

Se pa ty i dashur

Unë falimentoj!

 

Unë falimentoj

Kjo është e vërteta

Goditje të rëndë

Merr edhe gazeta!

 

Sa të jesh ti Sali

Mirë e kemi punën

Dhe nga të fryjë era

Nuk e kthejmë gunën!

 

Se ç’mu këput koka

Si lopës në grazhd

Kur fole një ditë

Atje në Librazhd!

 

Fole në Librazhd

Varda more varda:

“Kemi vënë mënjanë

Disa miliarda!”

 

Disa miliarda

Shifra me nëntë zero

Dhe jo lekë shqiptare,

Po katër miliardë euro!

Ç’ja thoshte bilbili

Me oi-oi

“Katër miliarda

Ku janë, o Sali?”

 

Ç’ja thoshte bilbili,

U çmend i shkreti

Katër milliard’ euro

Dy buxhete shteti!

 

Ç’ia thoshte bilbili

Me ca ngashërime

S’janë të buxhetit

Po janë kursime!

 

Ç’ja thoshte bilbili

Në zheq e furtunë:

“O Sali i dashur,

S’është kështu kjo punë!”

 

O Sali i dashur

S’është kështu kjo punë,

O je çmendur ti

O jam çmendur unë!

 

O je çmendur ti,

Siç thotë shoku Mero

Dhe nuk i kupton,

Shifrat me shumë zero!

 

Po të kemi kaq

Ka ardh’ ditë e lume

Na takon të hamë

Tri vakte llokume!

 

Po kjo ngjarje e madhe,

Akoma s’ka ngjarë,

Shyqyr që të kemi

Goxha shakatar!

 

Goxha shakatar

Të dytë s’ka bota

Dhe fjalët e tjera

Janë fare të kota!

 

Dhe fjalët e tjera

Janë fare të kota

Ty s’ta marrin dot

Njëqind Don Ki Shota!

 

Njëqind Don Kishotë

As dhe njëqind Zylo,

Ndaj për qejfin tënd

Këndo, o bilbilo!