Suplementi Pena Shqipare/ Irma Kurti: Atë ditë shpresoj të mos jem

193
Sigal

 

 

Një ditë ti s’do të jesh më xheloz,
s’do më pyesësh pse u vonova shumë,
kur të vij rrotull nëpër shtëpi,
s’do më ndjekësh me vështrim, si dikur.

Nuk do të zerë gjumi me emrin tim,
s’do të zgjohesh nga ëndrra për mua,
nuk do të jem më pjesë e jotja,
s’do shqiptosh më fjalën: “Të dua!”.

S’do t’më mbash më brenda teje,
do të grindesh shpesh, oh sa shpesh!
Unë do lodhem, do thyhem, do tretem
e për veten time do t’më vijë keq.

Atë ditë shpresoj të mos jem më,
të paktën do të kete mbetur emri im
dhe ti do t’më sjellësh në mendje
si një copëz ëndrre, si një kujtim.

Je veçse një hije

Ti nuk ze asnjë vend në jetën time,
je veçse një hije.

Por ndonjëherë kur rri e qetë:
“Gjithçka u mbyll e s’të kam prapë”,
ti frikshëm më pushton mendimin
dhe ndiej diçka, ndoshta mall.

Qëndron aty, përballë meje,
s’të iket, me mua do të rrish.
Kërkoj të të shmang, por ti s’lëviz
si një tallje, si një ironi.

Të vështroj, nuk di ç’të them,
duhet të shkosh, e kupton vetë:
Zjarri u fik, është e kotë,
njeri-tjetrin më s’e ndiejmë.

Atëhere po largohem unë
dhe ngrihem, eci kuturu,
larg vendeve që vegimin tënd
m’a sjellin më pranë se kurrë.

Je veçse një hije.