Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Portret

238
Sigal

 

Portret

Çdo ditë një grua më shkon pranë
(Në të njëjtën orë gjithmonë),
Një gjysmë qiell majë flokëve mban
Që sigurisht i shkon.

Më kot vështrimin nuk ja ndaj
Ajo flet veç me ajrin,
Nëse ka muaj që t’i ngjaj
Unë mund  të zgjedh janarin.

Prej ëndrrash bore i ka buzët
(Që mund t’i shkrijnë çdo orë),
Profili i saj s’mund të përbuzet
Dhe pse  kaq dimëror.

Me siguri po shkon të puthet
Për këtë s’kam pikë dyshimi,
Këtë ma thonë dy sytë e bukur
Që ndrijnë  nga padurimi.

Prej drojtjes sonë përkund qerpikët
Një kind fustani ndreq,
Mbas saj mesdita mbyll portikët
Ta mbrojë nga syri i keq.

Askush s’e di kush është kjo grua
Që  na ndez si ” masat,”
Nga malli i saj gjithë burrat nguten
Të flejnë më  shpejt  me gratë.

Skulpturë e dalë nga nëntoka

Ende s’më ke thënë, se kush je në të vërtetë
Se ti ske gojë !
Më mjafton syri yt ,që në tokë ul dhe retë
Që unë të të besoj

Buzëqeshje mister që lëviz nëpër kohra
E njëjtë me mëngjesin
S’ka mundur të të vdesë  lagështira dhe lloha
Se magjitë nuk vdesin

Me shekuj të tërë e fshehur nën toko
E di sa ke qarë
E vetme , harruar pa miq e pa shokë
Prej botës e ndarë

Ai që të krijoi , të ka pasur për zemër
Por s’ka mundur ta thotë
Prandaj dhe të gdhendi  me një daltë të ëndërrt
I mbytur në lotë

Më pas të ka lënë ,që të bësh jetën tënde
?Mbretëresh pa kurorë )
Kaq burra të fismë me këtë pamje të çmëndje
Edhe perandorë

Ende smë ke thënë se kush , je në  të vërtetë
S’ta  kërkoj këtë nder
Ti je një bukuri që lëviz nëpër shekuj
Magji dhe mermer !

….

Vdekja e kapitenit

Në çastin e fundit , ai ndjeu  një si mbajtje fryme
Dhe sytë që  po   i visheshin me natë.
Kërcisnin direkët dhe deti shkrofëtinte
Si  kalë  nga udha  e gjatë.

Deshi  të ngrihej ,po këmbet s’po e mbanin
(Atë që me dallgë ish përleshur)
Që me gjoks kishte pritur stuhitë dhe tufanin
Dhe vdekjen kaq herë kish përqeshur.

Përrreth ju mblodhën   miqtë   e vjetër
(Nje tufê pulëbardhash  dhe  nositë
– Më nisni  tha , sa më larg bregut
Të ç’mallem pak  me kaltërsitë.

Kaq kohë mes  mureve te spitalit
Nën erë serumesh dhe lëngim
Unë jam mësuar të puth flladet
Lundrimet janë ilaçi im .

U ndes motorri i anijes
Ai  mbi kuvertë vuri një dorë
Nga pas e ndiqnin sytë e detit
Dhe një tufë valësh si kurorë .

Në çastin e mbramë ai ndjeu se fryma ju mbajt
(Por prapë  ish  i lumtur vërtet )
I kish shpëtuar   lëngimit dhe fundit  në shtrat
Dhe po shkonte , të vdiste në det .

….


Erë

Më duhej këtë çast kjo erë e lehtë
Që erdhi si me porosi
Balonat e kaltra ti ngrejë mbi qytet
Dhe vajzave të bukura , ti prekë ca në gji

Po ndjej dhe unë ca ledhatime
Të buta , sa të vënë në gjumë
Unë gjithmonë kam qenë qejfli i erës
Dhe pse për shiun vdes më shumë

Në breg dalloj ca peshkatarë
Njërin e njoh , është fqinji im
Ky është për ta ogur i mbarë
Ndaj po ngrejnë velat me nxitim

Tërë natën do peshkojnë në det
Ska gjë se trupi do t’ju mardhë
Unë qysh tani po i shoh rrjetat
Të mbushur plot me peshq të bardhë

Më duhej këtë çast kjo erë e lehtë
(Ajo u shfaq kur askush se priste)
Të më ndjek nga pas nëpër qytet
Dhe të më puth si gjimnaziste

….

Këtë fundjjavë !

Këtë fund javë ,do ti marr të gjitha me vete
Çantën me rroba dhe përgjumjen e shtëpisë
Do lëviz pa çarë kokë , pa parë se nga vete
Si një rast të bukur , për t’iu larguar mërzisë

Në bregun e një lumi,  do ndaloj disa orë
Të flas me peshqit , me rrjedhën dhe valët
Ka pak rëndësi se asnjë nga ta s’ njoh
(Një udhëtari si unë , i lejohen fjalët )

Në drekë do të ngjis këtë mal  , këtu
përballë
Nga larg ai  i ngjan një dinosauri të vërtetë
Ndofta edhe mund të ketë qenë një i tillë , kohë më parë
Por është ngurtësuar , kur ka ndërruar jetë

Më pas nuk di ç’drejtim.të nis
Rruga është rrugë dhe nuk i dihet
Mund të takoj ndonje borëbardhë, që kërkon ndonjë princ
Dhe ajo vetëm s’mund të lihet !

Këtë fund javë  , unë do ti marr të gjitha me vete
Këpucët për rrugë , ushqim dhe fantazi
Me një varkë të bardhë , do kaloj katër dete
Të zbuloj brenda vetes , kontinente të rinj

….

Heshtja

Gjithnjë e më shumë po më trembin gjërat e heshtura
Kjo lule dhe kjo urë  përmbi lumë
Unë isha mësuar të  flisja me to me gjeste
Po kjo stinë i ka ndryshuar  shumë

Ju kaloj pranë dhe se ngrejnë kokën
(Ato vdisnin të flisnin me mua vjet )
Ndofta i ka trullosur kjo vapë e poshtër
Nga ky korrik ç’farë dreqin s’pret )
.

Ose  mund ti kem zhgënjyer me bisedat e mia Kur ju flisja per poezinë me orë
Sot   per të  shumë rrallë flasin dhe njerëzit
Jo më këta që s’janë   frymorë

Në është kështu bëjnë mirë qe s’flasin
Unë s’dua  të bezdis askënd
Nëse në jetë gjërat nuk    ngjasin
Eshtë mirë ti fshish nga mendtë

Gjithnjë e më tepër  po më trembin gjërat e heshtura
Ndaj brenda gjoksit  ndjej një hon
Unë i kuptoj lulet që s’flasin
Por  heshtja     jotja  më tmerron !

….

Makina pushtetarësh

Makina  të rënda pushtetarësh.
Që ecin  rrugëve me gjëmime
Të zeza, të bardha me forma gjithfarësh
Dyfish  me të shtrenjta se shtepia ime

Në to ca burra si skifterë
Nga bodigardët të rrethuar
Po shkojnë të hanë një sillë të “lehtë”
Kjo ditë ka qenë shumë e ngarkuar

Sapo mbaruan një ankand
Për një rrugicë që kurre s’do shtrohet
Për një spital dhe një pallat
Që pret tërmetin të rrëzohet

Teksa shikohen  në pasqyra
Qëndrojnë një çast të turbulluar
Ju është trashur qafa dhe fytyra
Dhe në trup kilet i’u janë shtuar

Dikush nga ta se njeh më veten
Dhe barqet sa nuk ju pëlcasin
Në to gjen copëza nga atdheu
Që ata çdo ditë nga pak e vrasin

I kanë harruar miqtë e vjetër
Tani kanë ndihmës dhe sekretare
Ju duket vetja se janë mbretër
Të tjerët krimba ,  pa vlerë fare

Makina të zeza pushtetarësh
Që ecin rrugëve me gjëmime
Të rënda , të shpejta  , me forma gjithfarësh
Dhjetëfish më të shtrenjtë se jeta ime

…..

Ti !

Ti dole  mbrëmë me të sërish
Dhe si gjithmonë u puthët gjatë
Une vetë s’të pashë,  por të pa një pishë
Dhe asaj  si rri goja ” rehat”

S’kish njerëz shumë aty për rreth
Nga shiu që binte mbi qytet
Ai ndjeu nje çast në trup ca dridhje
Sepse pranë teje s’është e lehtë

Megjithatë kjo s’ zgjati shumë
(Vështrimi yt ish ftesë pa fjalë )
Ai zu të ti prek  flokët me buzë
Dhe të afroi në gji ngadalë

U drodh një bli   atje më tutje
Dhe zu gjithë qejf që tju filmojë
Ndonëse kish  parë me qindra puthje
E juaja s’di pse  i shijoi

Ju  natyrisht se kishit mendjen
(Kush e ka mendjen atë moment )
Dy trupa ndezur gjer në çmendje
Që digjnin veten  me gjithë mend

Ndërkohë dhe shiu gati kish
reshtur
Që ju të ndiheshit më mirë
Qyteti s’dukej më i mvrejtur
Dhe rrugët ndrinin si pasqyrë

Ti u puthe  me të sërish
(Çdo puthje është aromë qe deh)
Ta kam zili atë burrë ta dish
Dhe pse dot xhelozinë  se fsheh.