Suplementi Pena Shqiptare/ Ali Bregu: Monologu i Maturantit

237
Sigal

 

-Humoristike nga Ali Bregu—

 

Tash kur po vjen fundi, kur po afrojn` provimet:

m’u thartuan trutë nga superstudimet!

 

Nga superstudimet, një shkollë –një jetë.

As hapa, as mbylla te librat një fletë.

 

Edhe kam besimin, ndër shokët i pari,

do t`i mar provimet me medalje ari.

 

Ju lutem dëgjoni, pa u mbajtur rëndë:

përgatitjen time bërë në çdo lëndë:

….

Pa ia prekur kurrë letërsisë fletët,

po mallkoj shkrimtarët, po mallkoj poetët!

Ç`janë e ku s`janë, të rinj e të vjetër,

me vargjet klasikë, vargjet kilometer.

Kë më shkon përbri, kush më del përpara,

iu harroftë emri, mos i mbiftë fara!

Prap nuk mërzitem, të dal` ku të dalë,

çfardo të më bjerë, do broçkullit fjalë.

Sa për historinë, unë që dua paqe,

bashkë kur u ndamë si Milua në faqe.

Putha atë skile dhe e lashë vetëm,

se s`kam dashur luftra,kurrë tërë jetën.

Miss gjeografinë, oh sa ma ka ënda

të flas gjër’ e gjatë për ç`më shkeli këmba!

Për ç`më dëgjoi veshi, për ç`më kap vështrimi,

për malet, lumenjtë me ujë burimi.

Eh matematikën, me qejf e dëshirë

të na nxjerë frikën, e marim me të mirë!

Se për një ushtrim a për një problem

na fut në mendime, na shtie dilemë.

Unë ndaj kësaj bindshëm do fitoj:

në s`mundem përballë, ndryshe do kopjoj.

Krahë e pëllëmbë, larë si në lavazh:

t`i mbush më formula, plot me tatuazh .

Edhe gjithë xhepat e xhekës së vjetër

do t’i mbush me kopje, plot me copa letër.

Kush tha prej fizikës më ka hyrë frika ?!

I marsha të keqen, ah më rëntë pika !

Ku ka më të bukur, e them ashiqare,

me ato formula që s`më hyjnë fare

Por as që më dalin, si prej tokës bima,

se kafkën e kokës e kam krejt pa vrima.

Për biologjinë e lashë anglishten.

Po mësoj përmendësh vetëm latinishten.

Dhe për pakëz fjalë PINUS dhe PINEA:

braktisa i ngrati gjith gjuhët e reja.

Gjithë ato formula, ç`m`i paske me huqe.

moj kimi e dashur, ti moj pispiruqe,

Me ato acide, kripëra e atomë

më dogje moj mike, më sose kufomë!

Ndaj të qëndroj larg, ndruhem moj firare,

se mos më mbarosh,të më zhdukësh fare!

Nëse asnjë libër s`po hap e s`po mbyll,

i maturës sime jam një superyll.

Me ju profesorë, porsi trim i rrallë:

gati jam të ndeshem, troç ballë për ballë.

Juve që më quajtët mua –“Mendjefugë!”,

Do t`ju lë pa punë, do t`ju flak në rrugë!

Me këto mësime, të gjitha për vete,

do marr me patjetër shtatë fakultete.

Shtatë fakultete-shtatë medalje ari,

nga mbipesh` e tyre do prishet kandari.

Dhe tituj shkencorë nga tre për çdo ditë ,

të gjitha me hak, asnjë pa meritë.

Nuk ua mbush syrin për ç`më thotë goja?!

Janë prej vërteti, nuk janë prej gjoja.

Veç përsa ju thashë, ju mos më braktisni,

kur më buzëqeshni, pse s`më duartrokisni?!