Suplementi Pena Shqiptare/ Bedri Çoku: Nxitoni, nxitoni pra…

646
Sigal

Tri ditë me radhë, shoku im i fëmijërisë Elmaz.I.,kërkonte me këmbëngulje të takohej me mua, pasi kishte diçka të rëndësishme për të thënë. Uleshim për të pirë kafe, por kjo i ftohej në fyt. E kishte  nga zori që  të hapte gojën. E kuptoja që halli i tij s’ishte familjar, ndryshe, me siguri do ma kishte treguar qysh ditën e parë. Problemet familjare ia tregonim njëri-tjetrit pa ngurrim, ndaj, nuk e ngucja. Prisja, me qëllim të dilte vetë aty, ku e kishte hallin, pa e detyruar. Ama, ditën e tretë, plasa, e humba durimin. Ngula këmbë : sido që të ishte puna, ne, qysh fëmijë, s’kishim lënë gjë pa ia treguar njëri-tjetrit.
– Ke të drejtë, më tha, por kjo, që po më ndodh, jam i sigurt se edhe ti s’do ishe treguar trim. Me siguri as për kafe s’do të guxoje të vije.
– Po, hë, të shkretën, nxirre! Ke tri ditë që më thërret e s’ thua asgjë. Bombë atomike të kishte qenë, me siguri do ta kishe plasur.
– Bombë thua!..Ç’bombë, o derëbardhë! Po them, është e tmerrshme.

 


E ndërpreu bisedën, duke parë rreth e rrotull, i trembur,  mos e kishte dëgjuar njeri, kur tha, “e tmerrshme” . Kishte të drejtë. Atë kohë njeriu trembej nga vetja pale, nga shoku, miku, a dikush që i afrohej pranë .Trembej edhe nga ajri që thithte, nga toka, nga zogjtë në fluturim. Ishte koha kur në Shqipëri,  në tre vetë, me siguri njëri  ishte spiun. Banonim në lagjen “Liri” të Fierit, tejmase e populluar, me probleme të mprehta sociale, afër  “rotondos”, ku bashkohen tri rrugët, që hyhej e dilej   nga qyteti i bukur. Pikërisht te mëhalla “Vangjel Lule”, siç quhej dikur, ndërsa sot, i thonë, “Sharrë”. Kontrolli i shtetit, si kudo, dhe aty, ishte i rreptë dhe i shpeshtë. Fuksat, një lloj specie e Sigurimit të Shtetit, venin e vinin vërdallë dhe s’linin rrugicë e  lokal, sidomos ku pihej kafe dhe luhej bilardo, pa kontrolluar. Po të pikasnin dikë të shqetësuar apo nervoz, ata, si pa teklif, afroheshin,  për të mësuar arsyen pse ai mund të ishte i shqetësuar: “E kishte me vetveten, apo me regjimin  dhe  qeverinë?!” Prandaj e ndërpreu bisedën shoku im i fëmijërisë. Ata që s’e kanë jetuarr kohën e regjimit komunist, sigurisht e kanë të vështirë të imagjinojnë njeriun fantazmë, të asaj kohe, pse ishte katandisur  i tillë. Qoftë me mikun a shokun e besuar, kudo që të ndodheshe duhej  patjetër  të flisje dhe të shtireshe, me demek i gëzuar,  për fitoren e skuadrës së zemrës, në futboll. Ose, i trishtuar, për një film që kishe parë në kinema. Shoku im filloi të më tregonte arsyen e dëshpërimit, duke u zgërdhirë, me gjasë, i gëzuar, se, prej disa ditësh, në qoshen e rrugës, afër shtëpisë së tij, kishte filluar t’i shfaqej një femër, sa herë ai do të kthehej nga puna. Ajo ishte e dobët, me sy të mavijosur, e lodhur, e trishtuar, që nuki fliste, por vetëm i buzëqeshte…Ky ikte, ikte me nxitim, pa e kthyer kokën prapa. Hynte në shtëpi i nemitur, pa guxuar t’u thoshte gjysmë fjale gruas dhe të birit, njëzetedyvjeçarë, që e prisnin me padurim. U shmangej deri sa hynte shpejt e shpejt në banjë, për të lagur fytyrën e për të marrë veten. Ushqimin e vahktit e hante me pahir, nga brengosja. Mbllaçitej, por mendjen e kishte tek ajo, që, sipas tij, s’i kalonte të njëzetepestat.  Përshtypjen e moshës ia krijonte trupi dhe gjoksi i saj i hepuar, i ngjashëm me atë të një vajze ende në grahmat e fundit të adoleshencës. Ditën e parë s’i pat dhënë rëndësi: “Ishte një femër e zakonshme, që rrinte në punën apo ”zanatin” e vet! Ditën e dytë e kishte marrë si një provokim të rëndomtë femëror. (Edhe atëherë kishte të tilla që përdoreshin nga fukarallëku për një shumë fare të vogël). Ndërsa, ditën e tretë, aha! Kishte filluar të dyshonte. Mos vallë ajo dilte aty dhe e priste qëllimisht, në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë, sa herë ky do të kthehej në shtëpi ?! Mirëpo, ajo s’dukej as e çmendur, as e përdalë. Me një fustan të thjeshtë, e palyer, e pakrehur, ose e krehur me ngut, si një femër që sapo kishte dalë shpejt e shpejtë nga shtëpia. Ia ngulte sytë me një domethënie intriguese, por edhe të fshehtë,  këmbëngulëse për t’i tërhequr vëmendjen. Ndërsa ai ikte i hutuar, i tronditur, si një frikacak. Ç’kërkonte prej tij në sytë e të gjithëve? Ishte lypsare ? E çmendur? Apo kishte ardhur koha edhe për të, si shumë të sërës së vet, të cilët “kontrolloheshin” nga Sigurimi i Shtetit, dhe, ajo, një lodër në duart e tij, kundra meje?
– Po të jetë kështu, siç thua, o byrazer, i thashë, ke të drejtë të jesh kaq i tronditur.
Dhe ia shtrëngova dorën për t’i dhënë zemër, ndërkohë që e vështrova drejt e në sy, me një ndjenjë solidare.

 


– Ç’farë do të bësh, tani ?,-e pyeta-, si mendon që të shmangësh këtë rreng?
Ai ngriti supet krejt i pambrojtur dhe profan në kësi rastesh. Gati duke qarë, tha :
– Po ti, si do të kishe vepruar në vendin tim?
Të them të drejtën u gjenda i papërgatitur nga kundërpyetja e tij. Meqë më takonte të tregohesha më me zemër, i thashë :
– Sot do të shkojmë bashkë në shtëpinë tënde, nëse ndodh gjë, le të na ndodh të dyve.
– Do të shkojmë të dy?
Pyeti i habitur, ngaqë, siç duket, s’u besoi veshëve.
– Po, po. Pse çuditesh ? A s’kemi lerë për të vdekur njëherë?
E mbërtheva nga krahët për ta shkulur nga vendi. Nuk kundërshtoi. Dorëzuam lekët e kafes dhe u nisëm. Rrugës për në shtëpi më tregoi edhe diçka tjetër. Ai kishte filluar të dyshonte sikur, para disa vitesh, e kishte njohur atë femër, e cila shoqërohej me një djalë të ri e të pashëm, bir i një të burgosuri politik, që vuante prej vitesh në burgjet e tmerrshëm të diktaturës. Kjo ngjarje bëri bujë, atëherë. Por, për çudinë e të gjithëve, çifti i bukur, me “biografi të keqe”, u zhduk po si u shfaq, në mënyrë misterioze. Vajza, në atë kohë, mbahej perri në qytetin e Fierit.
– Po a je i bindur vërtet se është pikërisht ajo?,- e pyeta – se njeriu gabon edhe padashur, vetëm nga dëshira për të larguar një të keqe. Gabon edhe pa qëllim, sidomos kur i afrohet një i panjohur, në dukje i frikshëm, me pamje të  keqe.
– Jam i sigurt që ajo është dhe u mbush me frymë. Se, kur ata u zhdukën nga qyteti, u fol, aty-këtu, nëpër dhëmbë, se ata ishin arratisur nga Shqipëria. Pak u fol, kaq pak, saqë historia e tyre brenda dy-tri ditëve u harrua fare. Unë e kam të fiksuar edhe për një arsye tjetër. Gruaja ime gjente shpesh midis librave të djalit, fotografinë e saj. Ngaqë, siç duket, edhe ai, si të gjithë moshatarët e vet, ëndërronte për një vajzë si ajo.

– Po pse s’thua ti që problemi qenka i thjeshtë. Atë e dashuroka djali yt dhe ajo përpiqet të marrë ndihmën tënde.
– Mos u nxito. Nuk është ashtu.  Ku ta gjej të ishte siç thua ti. Por ajo s’ka sy për atë punë. Çne ? Ajo ngjan sikur u ka shpëtuar vorraxhinjëve nga duart. Të shikon ngultas, në mënyrë të habitshme, sikur kërkon të të thotë diçka. Më qetëson fakti se nuk është e egër, as e ligë. Përkundrazi, duket e ëmbël e fisnike. Çuditem, pse më ka gjetur mua, xhanëm? Ç’ kërkon nga unë ? Pak halle  kam në kurriz, më duhet të mbaj edhe të sajat? Ptuu, e martë e mira! Apo s’jetojmë në një kohë të pështirë. Një fjalë goje për qeverinë dhe kalbesh në burg, vithisesh me gjithë familje, me tërë fisin.
Ai mbylli gojën përnjëherë. Sytë ia nguli harkut të rrugës, ku dhjetra hapa më tej gjendej  shtëpia e tij. E pashë, i iku fytyra, goja i mbeti hapur, vetëm për të thithur ajër më shumë.
– Ja ku është ,- më tha me zë të mekur-, E sheh? Po pret, si gjithmonë. Me siguri,më ka parë nga dritarja. S’është as koha kur zakonisht kthehem. E shikon sa këmbëngulëse është? E çmendur! E frikshme!
– Mos u shqetëso. – i thashë qetë-qetë- jemi bashkë. Jemi të dy. Do ta zgjidhim njëherë e mirë këtë punë.
E vura re siluetën e saj, që u shfaq plotësish në krye të harkut të rrugës. U befasova. Ishte siluetë e brishtë, e mbuluar me   një fustan të gjatë, deri te kyçet e këmbëve (veshje e rrallë për kohën dhe vendin ), i ngushtë, në bel, që ia nxirrte dukshëm linjat feminile, tepër elegante, në një trup të tretur. Pata tërheqje të jashtëzakonshme nga ajo siluetë, edhe pse veshja e saj nuk ishte në modën e kohës. Sinqerisht, jo tërheqje mashkullore, më tepër  kureshtje drejt një të panjohure. Jam i sigurt, vetëm dora e Perëndisë e tërheq njeriun ashtu, për t’u sakrifikuar ose për të sakrifikuar. Mund të them se iu afrova me trimërinë e një çunaku, që nuk e çante kokën për shokun e lënë  prapa, edhe pse  ai ishte i  trembur si një çilimi. Së fundi u ndodha përballë saj, si ç’ma kishte përshkruar shoku.Vetëm një gjë s’më kishte thënë. S’kishte dashur a  s’e kishte pikasur : Ajo ishte krenare dhe aspak me vështrim intrigues! Kjo më detyroi, një çast, të ulja kokën me sytë përtokë. Ndryshe fliste paraqitja e saj, ndryshe shprehja e fytyrës. Megjithatë, arrita të mposhtë gjithçka dhe i thashë:
– Më falni! ,- zëri im më gjëmoi në vesh, ngase u përpoqa të përmbaja veten, – ky shoku im thotë se e prisni këtu sa herë kthehet nga puna. Është i shqetësuar. Ju lutem, a mund të na tregoni ç’kërkoni konkretisht prej këtij ? Gjynah! Është familjar. Shikojeni ! Deri më sot nuk ka njeri të thotë gjysmë fjale të keqe për të. Aq më tepër, biografinë e ka shumë të mirë.

– Zotëri, më falni, jeni keqkuptuar. Unë s’kam punë me këtë  njeri.

– Natyrisht, natyrisht, por..

– Atëherë, pse  gjithmonë më pret këtu, sa herë kthehem nga puna ? ,- iu hakërrua i revoltuar shoku im, duke ma ndërprerë bisedën,- pse shikon sikur do ta hash njeriun të gjallë? As të njoh. As më njeh. Pse provokon ?
Ajo buzëqeshi aq ëmbël e miqësisht, në mënyrë tepër të përmbajtur, sa ne u çarmatosëm të dy një çast.

– Unë zotërinj – tha me dashamirësi, duke na parë të dyve me vemendje e përunjësisht ,- nuk ndodhem këtu për të provokuar të tjerët. Jam e sigurtë se zotëria më ka keqkuptuar. Nëse keni dëshirë të më njihni e të mësoni arsyen pse ndodhem këtu, urdhëroni në banesën time. Do të ishte në nderin tuaj dhe për kënaqësinë time, natyrisht, që duke pirë kafe, ne mund ta njohim njeri-tjetrin më mirë. Ma do mendja se, mbasandaj, do të kishim konsideratë  tjetër për njëri-tjetrin/ Urdhëroni !
Mbetëm të shokuar. Fjala “zotërinj” u duk e çuditshme dhe e huaj për veshët tanë, po aq dhe tendencioze. Gati e tmerrshme. Pasi ideologjia e kohës na thoshte se fjala “zotëri” ishte MIKROBORGJEZE. Megjithatë, ajo fjalë na pëlqeu, na përkëdheli në shpirt. M’u duk sikur me atë fjalë ajo na vlerësoi më tepër, nga ç’na takonte. Vërtet, sa mirë u ndjeva kur më quajti, “zotëri”.  M’u duk vetja me origjinë perëndie. Ndryshe nga fjala “shok”, sikur të merrte dikush nga turma dhe s’ishe, as më shumë e as më pak, nga të tjerët. Ajo e kuptoi pavendosmërinë tonë për t’iu përgjigjur ftesës dhe ndërhyri po me aq lezet e edukatë :
– Më vjen keq, zotërinj, kur mendoj se do të tregoheni të pasjellshëm, duke refuzuar ftesën e një zonjusheje, që  siç e shikoni, ka dalë në rrugë e pret me orë e ditë të tëra, për të shkëmbyer dy fjalë, vetëm dy fjalë, me ndonjë shqiptar të vërtetë. Po, po ! Duhet të kuptoni arsyen pse unë kam nevojë të bisedoj me burra të vërtetë, nëse mendohet ka ende të tillë në Shqipërinë tonë të mjerë.
Ndoshta donte të fliste më gjatë, por nuk mundi, ngaqë, me siguri iu firua zëri, nga mushkëritë e mpakura. Aq e lodhur dhe e sfilitur duhet të ishte. Megjithatë, arriti të buzëqeshte me sytë gati në të perënduar, duke tundur kokën si në faj. Kërkoi të falur që ndodhej në atë gjendje të rënduar shpirtërore e fizike. Por, të them të drejtën, unë ende s’kisha vendosur për t’iu përgjigjur ftesës së saj. Së pari, ngaqë u ndjeva i cingërisur në sedrën e burrit, kur tha “burra të vërtetë”, së dyti, kur shtoi “..në Shqipërinë tonë të mjerë”. A s’ishin fjalë këto, që të fyenin e të ngatërronin politikisht? Ç’ishte kjo vajzë kurajoze, që s’ia bënte syri terr, edhe pse ne mund të mos ishim “burra”, siç dëshironte ajo ? Që mund ta denonconim për të larguar nga vetja belanë e, në këtë rast, të merrnim ndonjë përkrahje të mirë nga qeveria? Për mua, fjalët dhe veprimet e saj ishin thikë me dy presje, serioze e të rrezikshme. Shoku im kishte pasur të drejtë në parandjenjën e tij që ajo mund të ishte “bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit ”. Prandaj  nuk do të merrja guximin për të pirë kafe në shtëpinë e saj, nëse s’do të ndodhte pikërisht ajo, që s’e prisja të ndodhte kurrë nga shoku im. Nga sedra a budallallëku, ai ia këputi preras, kur tha :

– Posi, hajde, motra ! Shumë mirë, le ta njohim njeri-tjetrin. Bile, ku të duash ti e pimë kafen – dhe u kthye nga unë gjithë kapadaillëk-, Ec, more. – më bërtiti – Nga anët tona i thonë llafit: “Burri nuk mbytet në një filxhan kafeje !”
Vetëm tunda kokën dhe shkova pas tyre, rëndë-rëndë.

* * *

Ajo banonte në katin e dytë, në një pallat dykatësh, ndërtuar në vitet `60, sipas stilit rus, ngrehinë me apartamente të ngushtë, dhoma e banja të vogla. Kuptohet, për të strehuar sa më shumë proletarë. Banesa e saj ishte me mobilie që përdornin zakonisht njerëzit e shtresës në kufirin e varfërisë. Na tërhoqën vëmendjen dy portretet e varur në mur në dhomën e pritjes : Ai i Skënderbeut në njërën anë dhe i Ëillsonit, Presidentit të Sh.B.A.- në vitet `20, në anën tjetër. Na bëri përshtypje, ngaqë ishim mësuar të shikonim në shtëpitë e shqiptarëve vetëm portretet e diktatorit e të udhëheqësve të partisë komuniste. Ndryshe, po të zëvendësoheshin me njerëzit e dashur dhe të vdekur  të familjes, ky veprim konsiderohej me tendenca armiqësore dhe banorët në atë shtëpi  shndërroheshin kontingjent i mundshëm për t’u regjistruar në anën tjetër të barrikadës, si armiq. Kjo ishte me zarar. Por, nejse. Nuk e dhamë veten. Pamë njëri-tjetrin në sy dhe aq. M’u duk sikur bashkëbisedova me shokun kur thashë :
– Vetëm banoni këtu, apo..
– Jo, jo. Nuk banoj vetëm – u përgjigj zëri nga dhoma tjetër, ku ndodhej  ajo- banoj me mamanë. E kam këtu. Por është e sëmurë. Nuk lëviz dot. E ruaj natë e ditë. Dhe doli prej andej.
– Po babai ?
Ajo na ftoi të uleshim duke buzëqeshur, si për t’iu shmangur pyetjes së paduruar të shokut tim. Na shtrëngoi duart përzemërsisht me të vetat, të vogla e të bukura dhe s’e largoi buzëqeshjen nga buzët, deri sa u ulëm nëpër poltronat e vegjël. Kundërshtoi të uleshim në divanin e madh, pasi, siç tha, nuk e përdornin, qyshkur. Poltronat ishin nga ata që prodhonte me shumicë zdrukthtaria e qytetit, për familjet e punëtorëve të thjeshtë. Na pyeti si e pinim kafen, por e refuzuam : “sapo e kishim pirë ”. Ajo iku, u zhduk përsëri në dhomën tjetër dhe u kthye, sa hap e mbyll sytë. Solli dy albume të mëdhenj me fotografi.
– Ju lutem, shikoni këta sa t’iu përgatis diçka për të pirë!
Iku fluturimthi në dhomën, ku mendohej se ishte mamaja e sëmurë. Ne filluam të shfletonim albumet. Kaluam goxha kohë duke i parë. Mbaroi secili të vetin, por ajo s’erdhi. Dyshuam. Pamë njeri-tjetrin. Gjithsesi, ishim të detyruar të prisnim. Shkëmbyem albumet. Në çdo faqe gjenim atë së bashku me një djalë shumë simpatik, herë përdore, herë përqafuar, herë në këmbë, herë shtrirë. Një çift i bukur, i dashuruar marrëzisht. Ajo u shfaq pa pritur me një tabaka para duarve, krejt ndryshe nga ç’ishte e veshur pak më parë. E stolisur si një nuse. Fustani i bardhë, i gjatë, i zvarritej nga prapa, pa vello, me buzë të kuqe dhe qerpikët e nxirë. I shndriste fytyra. Vërtet një mrekulli. U shastisëm. Unë gati klitha nga habia, por s’e lëshova veten, ngaqë më nduku shoku poshtë këmbëve. Pastaj, ajo s’na la kohë të shprehnim çudinë e të pyesnim përse ishte veshur në atë mënyrë. Na afroi përnjëherë gotat në tabaka.
– Urdhëroni! –  tha – Mos u çudisni që më shikoni veshur kështu. Unë sot martohem. Ju të dy, fatmirësisht, do të jeni dëshmitarët e mi të nderuar. Ju zgjodhi Perëndia me dëshirën time. Ju lutem, merrni gotat dhe më uroni ! Mamaja është e pafuqishme, s’mund të vijë për të trokitur gotat me ne. Urdhëroni!
Sapo mora gotën, desha të flisja, të pyesja, por ajo vendosi përnjëherë tabakanë në tavolinë, ngriti gotën e saj drejt nesh dhe vazhdoi:
– Këtë shëndet do ta pimë për të dashurin tim,  që kalbet në një gropë, kushedi ku, në malin e Gramozit.

Uli kokën për të fshehur lotët.
– Këtë tjetrën, për të ardhmen tuaj, që ta gëzoni sa më shpejt !
Tringëllijti gotën me tonat dhe e kaloi me eks lëngun e verdhë në gotën e saj.
– Faleminderit që  ndodheni në këtë çast të paharruar të jetës time ! – tha me sytë që i shkëlqenin nga një gëzim i egër- E gëzofshi  lirinë, që po afrohet !
Asaj i ra gota nga dora.
-Por, ama, ta dini, atë s’do t’jua dhurojë njeri, as do të vijë nga qielli. Duhet  ta fitoni vetë. Nxitoni, nxitoni, pra, ç’prisni ! Unë po largohem. Me falni. Po iki nga kjo jetë. Rroftë Liria! Nuk jam e zonja më të vazhdoj. Ai më pret. E dua shumë. Më lodhi diktatura. Në burg mësova të vërtetën. Hapni sytë! Midis nesh po rritet njeriu i ri, antinjeriu,  s’e ka njohur njerëzimi deri më sot. Hapni sytë, o njerëz, o shqiptarë! La..mtu..mirëëë ëk ëk ëk…ë…
Vaisi kokën djathtas dhe ra në dysheme, si një lule e këputur nga rrënjët. Vdiq e helmuar.
Në dhomën tjetër, unë e shoku im, u tmerruam kur gjetëm edhe nënën e saj të vdekur.

1985