Suplementi Pena Shqiptare/ Izet Shehu: Batërdi skifterësh

136

Frika

Sigal

Të kesh frikë nga frika që fle nën lëkurë.

Të kesh frikë nga lajka që të deh pa pirë.

Të kesh frikë nga gjarpëri që përgjon nën gur.

Të kesh frikë rrëkenë që rrjedh në rrëpirë.

Të kesh frikë nga frika që frymon si lepur.

Të kesh frikë nga Hadi, kur ende s’ke vdekur.

Të kesh frikë nga hija që të ndjek nga pas.

Të kesh frikë nga qelbsi që e ndot keq ajrin.

Të kesh frikë nga deti që dallgët përplas.

Të kesh frikë vetminë që marros të marrin.

Të kesh frikë nga frika,

që gjallon mes nesh,

në zgrip të greminës zvarritur si breshkë.

Të kesh frikë nga frika,

të frymosh i mekur,

njëmijë herë më mirë në varrezë i vdekur.

 

Batërdi skifterësh

Skifterët u zhdukën:

u zhdukën dhe u dukën përsëri.

Zogjtë i gjetën skelete,

foletë e shprishura në shi.

Kush s’i pikasi kur u zhdukën dhe u dukën,

hipur mbi baladat pendët duke shkundur.

-Ti rrënove foletë!

– Zogjtë i vrave ti!

Zëra në mesnatë mes pyllit të zi.

Eh, sa shumë skelete,

sa fole të shprishura!

Dëshmitarët e gjallë numërojnë me gishta

batërdi skifterësh,

shpirtëra në eter.

Pse ky qiell me kthetra,

Pse kjo botë e mjerë?

Skifterët u zhdukën:

U zhdukën dhe u dukën përsëri.

Shpirtërat në eter – skeletet në shi.

Pyesim njëri – tjetrin:

Pse s’vrasim skifterë?

Hesht! I mbron ligji, janë shpendë me vlerë.