Suplementi Pena Shqiptare/ Pajtim Xhelo: Sikur të kthehej djalëria dhe një herë!

30
Sigal

Sikur të kthehej djalëria dhe një herë!

Rendi dielli perëndimit, u zhduk,
dhe rrëmbeu ditën e vogël muzgu gri.
E lodhur, jeta pas mureve u struk,
diku e pasur, gjetkë në varfëri.

E ftohtë ra mbrëmja sonte mbi qytet,
nëpër terr, qiellit hëna qenka fshehur,
vallëzojnë dritat e brishta mbi det,
mezi duken yjet, të largët, të zbehur.

Siç e sheh dhjetor, nuk kam frikë nga ti,
si në korrik po endem gjer n’anëdet,
jo më si në vitet kur isha i ri,
kjo dreq pleqërie vjedhur po më zbret.

Heshtur e bekova sonte djalërinë,
Zotit i thashë të ma kthejë, por…Medet,
fati, ashtu si për gjithë njerëzinë,
e nisi në rrugë pa kthim, në kurbet.

E pyeta Zotin me zërin e shuar:
“Pse stinët i ndërron, pas dimrit sjell pranverë,
pse ne na lë në pleqëri, të harruar,
na i kthe djalërinë edhe një herë.”

Pa më thoni, mos gabova un’ i ziu,
veç doja të ndrroja fatin e caktuar,
pse të mardhin duart ngricat dhe veriu?
Natën ta shpërfill, si në vitet e shkuar.

Bobo, un’i marri, çpo kërkoj kështu?
Prej kohësh më braktisi dhe dashuria,
rrugëtimit tim u harrua diku,
e ftohtë, si dimër qenka pleqëria.

Nat ‘ e gjatë në brengë shpirtin më tret,
më e egër se dimri qenka vetmia,
të shuan çdo zjarr dhe mendimin ta vret,
jetime, e varfër qenka pleqëria.

I harroj vitet kur zgjohem në mëngjes,
dita të rrëmben në shpresën e verbuar,
çapitem më nge dhe jetën përshëndes,
gjer në muzg ndihem pranverë e vonuar.

2. Vetëm stuhia kalëron në Liri

Hapi krahët nata dhe njehësoi,
gjysmëbotën në gjumin e trazuar,
të brishtat gjethe stuhia rrëzoi,
pastaj u fsheh territ mbytur, ankuar.
.
I hapi krahët nata dhe mbuloi,
dhëmbjet, zhgënjimet, jetën e trishtuar,
në ëndrra njerëzit shpresën takojnë,
enden të lirë shpirtrat e lënduar.

Zgjohen dëshirat, pas stuhisë treten,
dyzuar me brengën gjer në agim,
mëkatet e shpirtit në heshtje mbeten,
rrugëve të verbëra, pa ndëshkim.

Një jetë në dritë, një n’errësirë,
te të dyja veç një shpirt endacak,
herë pranverë, herë shkretëtirë,
dot s’e robëron, s’e mban kush në lak.

Sikur ta dinte i gjori njeri,
që është skllav pa pranga, pa zinxhirë,
ditën e mban peng ” gënjeshtra ” Liri,
natën shpresa e verbër n’errësirë.

Një jetë në dritë, tjetra në terr,
agim dhe muzg për të gjorin njeri,
rrugëtim i pafund plot ankth e tmerr,
mundim, zhgënjim, poshtërim, pabesi.

Nata mbledh krahët, tretet pakngapak,
shpresën e braktisi në verbëri,
vrapon pas dritës shpirti endacak,
veç stuhia kalëron në Liri.

3. Joni dhe Adri në meskanal

Mbi kreshta dallgësh ngritur një mal,
dhëmbë për dhëmbë dy trimëri,
Joni dhe Adri në meskanal,
dy të përjetëshme djalëri.

Dy flokëlëshuar kordhëtarë,
mbi kuaj të kaltër kriftëgjatë,
bij Perëndishë trashëgimtarë,
nuk njohin prehje as dit’ as natë.

Mbi kreshtat e bardha zbresin retë,
mes dy kalorësve egërsi,
përleshje trimash të vërtetë,
për një të herëshme dashuri.

Shtëllunga hijesh era përndjek,
dhe muzgu afrohet mbi qytet,
në meskanal hapet një hendek,
dhe tmerri përplas qiell dhe det.

Dy trima që duan një Princeshë,
Vlorën shtojzovalle, lozonjare,
heshtur sheh dhe nis të buzëqeshë,
me dehjen e ëmbël djaloshare.

Mijëra vite në meskanal,
dy djem grinden për një dashuri,
po dallgët lartohen sa një mal,
dhe Vlora qesh me krenari.

Shtëllunga inati mbi dy dete,
shkulmë qetësimi te ky gji,
thurur dy gërsheta të një jete,
Vlora Princeshë në virgjëri.

4. Shiu lag edhe shpirtrat lakuriq

Bie shi qytetit të lagur, të tkurrur,
dhe jeta endet me mbrëmjen nëpër terr.
Rëndojnë hijet mbi një botë të shthurur,
rrotull sillen një ciklon dhe një fluger.

Vret ëndrat një gjëmim, shpresën një rrufe,
në pragje ulur frikë, pasiguri,
muret e vjetër presin ditën e re,
shpirtrat lakuriq rënkojnë…Ç’varfëri!

Kanë ftohtë dhëmbjet, strukur në një skaj,
trimëria kusare në krahun tjetër,
në vuajtje ca pleq, fajtorë pa faj,
kriminelët vila në çdo kilometër.

Shiu bie, lan virtyt edhe mëkat,
shuan zjarret që ka ndezur pabesia,
tretur detit zemërim edhe inat,
njehësuar mirësia, ligësia.

Bie shiu dhe lan gjurmët e hajdutit,
ndrroi gjakun e zi, ëngjëll u bë djalli,
u harrua shkretëtira e çifutit,
për vdekjet makabre e ka marrë malli.

Mbytur në braktisje u lag gjithësia,
në qytetin tim, në një pritje pa fund,
e vogël, e brishtë, si fëmijëria,
nën shi deti, me valët u përkund.
.
Po bie shi edhe mbi vetminë time,
të iki trishtimi nga shpirti po pres,
mendimin e larë nisa në shtegtime,
me natën do grindem deri në mëngjes.