Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë!
Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë.
Kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë; e po mirë!
Dhe prapë jemi puthur ashtu si për lamtumirë.
Kemi gënjyer njeri-tjetrin, kemi bërtitur s’të dua,
kemi pështyrë mbi proverbin që qënkeshim mish e thua.
Kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë.
Kemi thënë njëmijë herë; u mbush kupa dhe pikë.
Pastaj jemi përqafuar; “e po unë isha në gjumë. “
Jam futur në mishin tënd siç futet në shkretëtirë një lumë.
Jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,
na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.
Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë.
Kemi ndarë dyshekun me vijë, (ah, vijë e florinjtë),
po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë
Me dredhi ballkanike që as O.K.B-ëja s’ka parë.
Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë.
Po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar;
mos pushofsh kurrë, moj luftë dhe qofsh e bekuar!
Nuk di ç’të bëj tani me ty?
Nuk di ç’të bëj tani me ty,
kur ndarja po pllakos me nge,
gjer dje më ishe ujë në sy,
tani një cifël qelqi je…!
Si në një koma me kordon
e me serume dhembshurie,
të dy e shohim tek firon,
kandil-i kësaj dashurie.
Nuk di ç’të bëj tani me ty;
ta shpall a jo, këtë mandat?!
Apo?!… Të të mbaj akoma…
siç mbajnë meitin për një natë?!
Se të shpalla, ja,…të vdekur,
s’kam një vend të të varros.
Ti do mpiksesh si pikë gjaku
në trutë e mi si një trombozë.
Të humbur?! S’ka kuptim aspak,
se jeta do kaloj- kërkim,
më thuani, qysh t’i vë kapak,
tabutit m’u në trurin tim…
S’e di pastaj se si do gdhijë,
një mëngjez sërish prej burri,
kafen në vetmi ta pish
sikur pi gllënjka vajguri.
T’i ketë prapë ky qytet
ato rrugë e ato bare,
ku je hije, mor i shkretë,
sikur hyn e del në varre.
Nuk di ç’të bëj tani me ty,
kur ndarja po pllakos me nge,
kam frikë mos ngelem me një sy
dhe shpirti më mban era dhé…!