Suplementi Pena Shqiptare/ Skënder Rusi : Dritëro Agollit, Ti tani je një galaktikë më vete

561
Sigal

Gjithmonë poezia dhe letërsia që shkruhet në një vend, dëshmon diçka nga shpirtërorja, emocionalja, intelektualja e atij vendi. Por me padyshim që tregon edhe anën njerëzore të krijuesit që bën letërsi, të shkrimtarit që sjell në vëmendje realitetin, problematikat, të kaluarën që ka qenë dhe të nesërmen që duhet të vijë. Ndaj besoj që në trajtimin e figurës së Dritëro Agollit, ka rëndësi të çmohet veçanërisht ana njerëzore e tij.  Kujtimet rreth poetit dhe njeriut Dritëro besoj janë ashtu siç do ta kishte qejf Dritëroi, nga devollinj, miq, lexues të veprës së tij, të cilët e duan shkrimtarin Dritëro Agolli dhe kanë kujtime të pashlyeshme me njeriun  Dritëro Agolli. Ndjesia ime është që ai nëse do të qe akoma gjallë do të përqendrohej në çdo fytyrë tonën, në çdo tingull tonin, sepse jeta e Dritëro Agollit ishte e lidhur ngushtë pas njerëzve të këtij vendi, të tokës të tij, të Devollit.  Shumëkush që ka pasur rastin ta njohë nga afër Dritëroin, ka mbetur i prekur nga mirësia e tij, nga gatishmëria për të dëgjuar dhe për t’iu afrua të gjitha shqetësimeve dhe problemeve që prisnin zgjidhje prej tij. Besoj kujtimet e shumë devollinjve janë të lidhura edhe me shtëpinë ku jetonte Dritëroi, sepse si krijues dhe shkrimtar i madh, ai ishte nga të paktët ku gjithkush mund t’i shkonte në shtëpi, t’i trokiste në derë dhe kjo t’i hapej sikur të ishte gjëja më e zakonshme e botës.  Tek Dritëroi njerëzit shkonin jo vetëm për të admiruar nga afër krijuesin, jo vetëm për dëgjuar nga zëri i tij si tingëllonin poezitë që recitonte, por mbi të gjitha edhe për të rrëfyer andrallat e tyre, që Dritëroi i dëgjonte dhe kur mundej, bënte ç’mos që t’iu jepte një zgjidhje.

Bëhej fjalë për një lloj pelegrinazhi tek shtëpia e Agollit, ku edhe unë kam qenë pjesë e asaj morie njerëzish që kanë shkuar ta takojnë, jo vetëm të çmallen, por edhe t’i kërkojnë diçka.

Por kujtimi më i fortë që mbaj mend nga vizita në shtëpinë e Agollit, ka qenë lidhja e tij e perëndishme, me bashkëshorten, Sadijen, një grua e mrekullueshme dhe fisnike, që e donte fort të shoqin dhe kjo lidhje mes poetit dhe gruas së tij ishte si një bekim perëndie në këtë botë. Dashuria e Agollit ishte shkreptimë, dritë e quaj unë që nuk e linte asnjëherë botën të dëshpërohej në terr.

Dritëroi dhe Sadija ishin një burrë dhe një grua që e ushqyen jetën me dashuri për njëri-tjetrin, jo një dashuri librash, por një dashuri njerëzore, prej mishi dhe gjaku dhe fjalësh dhe psherëtimash, që u gufonte kraharorin dhe ëndrrat ua bënte sa reale, aq edhe të ngrohta. Kjo lloj dashurie, mendoj unë, është edhe sinjali ku duhet të shohim si shoqëri, për t’iu kundërvënë të keqes dhe harresës, për ta bërë më të mirë dhe më të dashur ditën tonë, jetën tonë, ëndrrat tona.

Natyra e ngrohtë dhe e e dashur e Dritëro Agollit, e ka sjellë lexuesin pranë veprës së tij letrare. Por edhe nëse Agolli do të ishte tjetër njeri, me karakter më të keq apo të ndryshëm, prapëseprapë letërsia e tij do të mbetej e pavdekshme. Krijimtaria e Agollit i ka dhënë lavdi shkrimtarit, dhe gjurmët e tij janë të tilla që koha nuk i shlyen dot duke i hedhur vite përsipër.

Kjo letërsi  e tij është plot humor, plot dashuri, plot tipare njerëzore, është një muundësi që njerëzit të ldihen me nëjri-tjetrin përmes fjalës dhe emocionit. Ne jemi njerëz, që nuk jetojnë që të mbijetojnë, por që të ëndërrojnë, duket sikur është në thelb përpjekja që shumëkush që shkruan do që të arrijë me letërsinë e tij. Dhe Dritëroi thotë:

 

Nëse njeriu nuk ndien as kënaqesi as dhimbje,
Nuk ndien as gaz, as hidhërim, as shpresë…
Njëgjë po jua them me ndershmëri dhe bindje,
Lëreni të vdesë…

Ndoshta asnjë shkrimtar nuk ka qenë i lidhur kaq fort me tokën e tij, sa ai. Por megjithëse është shndërruar në një simbol të Devollit tonë, Dritëroi ka ditur të mishërojë shpirtin, universalen dhe njerëzoren që e gjejmë në çdo trevë të vendit, duke u bërë kështu një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore.  Dritëroi nuk jeton, por në letërsinë e tij gëzohet, jetohet, ka vend për mërzi e trishtim, atë që ka dëshiruar ta thotë, në jetën e tij, Dritëro Agolli e ka thënë në poezi, kjo është mënyra e vetme dhe më e mira për t’i thënë gjërat. Ai shprehej:  “Poezia si çdo art tjetër, duhet t`u flasë zemrave dhe të bëhet e nevojshme si ajri, uji dhe buka”.

E vërtetë, e tillë është poezia jote Poet, ndaj dhe ne kujtojmë dhe lexojmë e vishemi me dritë, në emrin tënd!

 

TRIPTIK PËR DRITËRO AGOLLIN

 

Kur lëngonte poeti

 

Një det skandaloz

E paske mbajtur të fshehur,

Atje, mes mushkërive,

Si mes dy brigjeve me rërë!

Edhe Sadija,

Ë brenda teje ka bredhur,

S’të njohu dot të gjithin,

S’të zbuloi dot të tërë!

 

Një cmenduri e jotja kjo

A ç’të jetë tjetër,

“Të gdhihesh e të ngrysesh”

Me një det brenda vetes!

Ti na thua ne të gjtihëve:

“Kështu e kanë poetët,

Dinë të jetojnë bukur

Edhe brenda vdekjes!”

 

 

Dritërimi yt (Kur Dritëroi festoi 77 vjetorin e lindjes)

 

Ke 77 vjet që ti dritëron,

Me një flakëz që digjet,

Por s’di të shuhet!

Ke 77 vjet që ti ke bërë gjithmonë,

Jo atë që mundesh

Por atë që duhet!

 

Ke 77 vjet që vec ec e nuk sos,

Për të arritur atje, ku vetëm ti e di!

Kur vdekja të vjen afër

Ti i thua: “Mos!

Më mirë se të zihemi

A s’bëjmë dashuri?!”

 

Ke 77 vjet që veç ikën, veç ikën,

Për të arritur atje

Ku arrijnë vetëm pak!

Ku ke ngirtur një emër

Që s’ia ka më frikën,

As borës që nxin

As ferrit që zbardh!

 

Kërkoj Dritëronë

 

Ti tani je një galaktikë më vete,

Ke diellin tënd, yjet, gjithçka!

Rreth planetëve të tu

Digjen meteorë

E lëvizin kometa të mëdha!

 

Në këtë galaktikë mund të hysh,

Mjafton që të duash,

Mund të bëhesh banor i saj

Përgjtihmonë!

S’ke nevojë për vizë,

Mjafton që të thuash:

Kërkoj Dritëronë…