Fillim shtatori, ca zogj në fluturim,
butë rrahën krahët dhe ndalën shtegtimin,
pendëthinjur si re të bardha n’agim,
zbritën në qytet bashkë me përmallimin.
Pesëdhjetepesë vite rrugëtim,
ja ku u kthyen zogjtë te pem’ e vjetër,
nis lëkund er’ e vjeshtës me mallëngjim,
gjethet, si të priste princër dhe mbretër.
Përse po shkund nektarin kjo vjeshtë ar,
mbi pendët e zbardhura nga rrug’ e gjatë,
kaq vite mbi supe mallin mërgimtar,
s’e lodhi koha që ecte dit’ e natë?
Dhe erdhën shtegtarët nga jeta e vjetër,
ashtu, të brishtë, u ulën me kujdes,
nuk ishin më bilbilat e jetës tjetër,
që zgjonin qytetin herët, në mëngjes.
Nuk ishin më ata kaprojtë lodrarë,
që zbrisnin mbi shkëmb e gurë çdo agim,
që sytë i lanin me vesën e parë,
kur Afërdita tretej në rrugëtim.
I shihni tek afrohen si valë deti,
nën dritëzën e mugëtirës argjënd?
Tingujt e një valsi , që në shpirt u mbeti,
” Danubi blu ” po përhapet në çdo kënd.
Mos ju duken si pulëbardhat e shpresës,
që zgjohen të parat bregut çdo mëngjes?
Mos janë kalorës mbi kreshtat e besës,
ky qytet thotë nën zë: ” Ju përshëndes! ”
Lindën ëngjëj në një kohë të vështirë,
ndenjën këmbëkryq në pragje varfërie,
mbetën yje drite edhe n’errësirë,
zjarre të pashuar atdhedashurie.
Brez i bekuar, si bli në lulëzim,
trëndelinë në lirishtë të praruar,
mbetën diell purpurant në perëndim,
erdhën si pragmuzg në një vjeshtë syshkruar.
Në syt’ e tyre brengë dhe krenari,
sa vite supeve u kanë rënduar!
Veç në shpirt një univers me dashuri
këndon e vallëzon, ujvar’ e kulluar.
Sot rrugëtimi i ktheu në rini,
në moshën rebele dhe të pagjykuar,
si tetëmbëdhjetvjeçarë përsëri…
Ëngjëj të bardhë, në kohë të trazuar.
Ua kushtoj gjithë shokëve dhe miqve të mi çamë.
Çamëri, vdekje pa varre.
Prag më prag endet një qyqe, nuk ulet të vajtojë,
breg më breg po bredh veriu, nëpër mure ulërin,
lart, nga qiell’ i zbardhylët, gjak dhe helm nis të pikojë,
turren retë si të marra, pabesia oshëtin.
Nëpër rrugë sillet vdekja, rrëmben drapër e kosor,
djelmë , vasha, burra trima, gra, fëmijë, plaka, pleq,
shtëpi pa gardhe, të vdekur pa varre në çdo oborr,
ulërin dhëmbja nëpër dritare, Zotit i ardhtë keq!
Ja një korb që po vjen rrotull, er’ e gjakut e ka ndjellë,
vjen e ulet dhe një skifter, pak më tej, mbi një muranë,
një qenush me zë të ngjirur (Mos hakmarrja e ka sjellë?)
i leh korbit dhe e ndjek, tek i zoti nis e qan.
Mbi çatitë ngrihen flakët, shpirti çam po hesht në zjarre,
një flamur veç kish shpëtuar, varur te një qiparis,
për çudi dhe një shqiponjë, u soll rrotull nëpër varre,
mblodhi krahët, pak qëndroi, tej Pargës u arratis.
Ra mbrëmja mbi brigje, mbi Jon, mbi martiren Çamëri,
dimër ish, po ajrin mbi det e ngrohën mijëra zjarre.
Në terr nata e gjatë, pa fund, vajtoi, mbajti zi,
zëra njerëzorë nuk kish…Vdekje e heshtur, pa varre.
Pikojnë gjethet e ullirit dhëmbje tretur në vesë,
u lodh durimi në një pritje të gjatë, deri sot,
n’udhëkryq na ka çuar rrugëtimi, pa asnjë shpresë,
martires Çamëri nuk i doli asnjeri për zot.
Enden erërat e hakmarrjes, mbi vejushën Çamëri,
nuk ka trim a princ të kaltër, t’i vendosi një kurorë,
të vesh fustanin e bardhë, ta harrojë atë zi,
moj manxuran e borzilok, trëndafile në dëborë.




















