Suplementi Pena Shqiptare/ Rita Filipi: Spiunia 

…E shkrova me një frymë këtë në ditar dhe fillova ta besoj se kish ndodhur vërtet. Që atë ditë nuk rrija më te dritarja të shihja atë sportistin e bukur. Magjia ishte zhdukur.

Pas një jave filloi furtuna. U hoq fotografia ime nga tabela e nderit. U hoq fotografia e mamit nga këndi i prindërve të dalluar prej fëmijëve të dalluar. Dhe sa u lodhëm bashkë për atë foto! Shkuam tri herë te sheshi, ku heroi kombëtar qëndronte mbi kalë. Sepse foto kur stampohej, nuk na pëlqente. E para nuk i pëlqeu mamit. Tha se kishte dalë me një fytyrë të shtrembëruar. E dyta nuk më pëlqeu mua, pasi i thashë se nuk dukej aq e bukur, sa ç’ishte në të vërtetë. E treta ishte e vërteta…

Sigal

Unë nuk po kuptoja asgjë ç’po ndodhte. Të gjithë në klasë më shihnin shtrembër. Zysh Gita me sy të shqyer. Nuk kisha bërë asgjë të keqe. Isha nxënëse e urtë, e sjellshme dhe aspak grindavece. Mësoja mirë. E thirrën mamin në shkollë e se ç’i thoshin te salla e mësuesve. E shihja fytyrën e saj si ndryshonte ngjyrë, skuqej, zverdhej, nxihej e papritmas u bë e kaltër e kthjellët, kur sytë e saj ndeshën sytë e mi të pafajshëm.

Askush nuk më tha asgjë. As mami. Nuk gjenin fjalë se si të më pyesnin. Sidomos për atë trepikëshin pas fjalës “Dhe…” U vinte turp për atë që kisha bërë unë. Po unë nuk e dija çfarë kisha bërë, madje as nuk e dija se çfarë mund të ndodhte pas një trepikëshi. Më vonë mora vesh se i kishin renditur të gjithë basketbollistët pas stërvitjes për të gjetur atë që i ngjante përshkrimit tim. Po dhe ai që i kish sytë të shkruar, i kishte flokët kaçurrela. Thuhej se do të më përjashtonin nga shkolla. Por nuk e bënë. Nuk më përjashtuan. Por në tabelë të nderit si e dalluar, nuk dola më. As unë. As mami. Por jo se nuk ishim më të dalluara. Për gjëra të turpshme, në fakt, qemë.

Po ç’kishte ndodhur?

Shoqja ime Luli më kishte spiunuar. Mamin e saj që vinte nga klasa punëtore dhe që i kishte duart e arta, e kishte dekoruar me duart e tij Udhëheqësi i Madh. Tani mami i Lulit punonte lart, në Udhëheqje. Nga gjashtë shoqet e mia me të cilat ndanim sekretet në të njëjtin ditar, ishte Luli që spiunoi. Ajo e lexoi shkrimin tim në ditar dhe kishte grisur prej andej vetëm faqen time. Pastaj e çoi atë menjëherë te drejtoresha. Ishte hera e parë që e kuptova ç’do të thoshte me të vërtetë spiune. Po zysh Gita, engjëlli i bukur, me atë fytyrë të ëmbël dhe flatra që i fshihte pas krahëve, më shpëtoi.