Suplementi Pena Shqiptare/ Bedri Çoku: Kriza për të folur shqip

328
Sigal

 

(A nuk ndodhi kështu me ne,  kur eksperimentuam marksizëm- leninizmin, për dekada të tëra dhe dolëm për faqe të zezë, ndërsa të tjerët mësuan nga pësimi ynë?)

 Nuk besoj të ketë popull tjetër në botë, si ne, shqiptarët, që i drejtohemi njeri-tjetrit: “A merr vesh shqip ti, apo jo?”… ose, “A e kupton shqipen ti, apo jo?”… ose, “Ty ,  po të flas shqip, ore?!” , etj… Besoj, kjo ndodh, me siguri, ngaqë e kemi të vështirë për t’u marr vesh me njeri-tjetrin, edhe kur paraqesim fakte e dokumente të pakundërshtueshme…Vini re:Kemi afër 10 vjet që kemi ngecur në një ngërç – budalla, në të folur shqip, do të thosha, duke sharë e mallkuar majtas e djathtas, si njerëz që nuk e kuptojmë dot gjuhën e prindërve tanë… e cila është, siç thotë poeti, “..Kaq e mirë, kaq me vlerë…”!!! Ndaj, sa herë na ndodh kështu, u mësuam këto tridhjet e kusur vjet që,  menjëherë  thërrasim  njerëzit e huaj që nuk e flasin dot shqipen tonë, për të na sqaruar frazeologjinë e saj,  ose  për të na shpjeguar e zgjidhur kodin e saj. Dhe,  çuditërisht, me ata kuptohemi mirë, apo shumë mirë, nëqoftëse na  i  shpjegojnë “ngërçin” e gjuhës shqipe, siç do të na vinte neve përshtat. Sepse, ndryshe, do ti shpallnim menjëherë të njëanshëm, të paditur, pse jo edhe armiqësorë ndaj aspiratave madhore të shqiptarëve.(!)… Ata flasin me ne anglisht, frëngjisht, holandisht, gjermanisht, serbisht, rusisht, kinezçe… e ku ta di unë ç’ gjuhë të  tjera  ka bota… dhe merremi vesh me ta bukuri… Me shqipen tone,  jo e jo! …. Vetëm kur flasim të huajt, ne hapim veshët  e sytë! Për se ndodh kështu me ne, shqiptarët? Një ditë lexova një shkrim vërtet të sinqertë përsa i përket kontributit të madh që ne shqiptarët kemi dhënë e japim, kur jetojmë në vendet e huaja, në fushat ku aftësitë tona inteligjente, të lindura apo të fituara me zotësi, janë tejmase të vlefshme dhe të shquara për popujt që kanë fatin t’i gëzojnë shërbimet tona… Kurse, këtu, në vendlindjen tonë, ne jemi haram e të padobishëm, dembelë dhe inatçorë me njeri-tjetrin, ose e thënë më troç, i bëjmë vetes dhe vendit tonë keq,  për hesap të të tjerëve. A nuk ndodhi kështu me ne, kur eksperimentuam marksizëm- leninizmin, për dekada të tëra dhe dolëm për faqe të zezë, ndërsa të tjerët mësuan nga pësimi ynë? A nuk ndodhi e njëjta gjë, kur për hesap të të tjerëve, e dogjëm Shqipërinë më 1997 dhe po bëhemi gati t’ia vëmë flakën përsëri,  me përrallën që na e frymëzojnë ata, humbësit e domenit shqiptar, kur shohin e dëgjojnë për ne shqiptarët se, së shpejti do të fitojmë  kandidaturën për në Bashkimin Evropian? Me këtë rast, a nuk kam të drejtë të them se vazhdojmë ende të kemi inate dhe armiqësi me njeri-tjetrin, si dikur, nga mallkimi i trashëguar i “luftës së klasave”, që e eksperimentuam 45 vjet,  nën diktaturën e proletariatit? Pikërisht, ngaqë s’e  dënuam dot  atë kohë dhe ideologjinë e saj, si një të keqe të madhe që na e sollën të tjerët, për interesat e tyre antishqiptare, dhe që, njerëzit tane e praktikuan “krimin dhe terrorin anti-njerezor të përçarjes kombëtare”, me aq zell e shpirtligësi? Gjithashtu, nuk dënuam moralisht dhe fizikisht arsyet dhe njerëzit që e projektuan dhe e zbatuan rebelimin e vitit 1997, pa po vazhdojmë ende ta kërcënojmë njerit – tjetrin me përsëritjen e atij Viti të Zi? …Nuk dënuam moralisht dhe fizikisht njerëzit që u pasuruan e po pasurohen në mënyrë të padrejtë e korruptive  dhe  vuajmë ende nga “kriza morale për të folur  e për t’u mirëkuptuar në gjuhën tonë, shqip”…Sepse,  paraja dhe pushteti ta lidhin e ta zgjidhin gjuhën si të duan e kur të duan, apo jo? Edhe sa kohë  na duhet ne, shqiptarëve,  për të mos e pësuar nga mallkimi dhe trashëgimia e së kaluarës, për të   mësuar gjuhën tonë të mirëkuptimit e të dashurisë, në dëm të ligësive e të prapësive ndërvedi, pa kërkuar ndihmën e “specialistëve” të huaj?