Sa herë më binte radha të shkoja me shërbim në Gjirokastër, ku bënte pjesë dhe “kazaja” e Zagorisë, mësoja një vjershë të re , që “krrente” Kiço Spiri (apo si ai e titullonte veten, “K. Th. Spiri, K.Th. Spiri/ Nga poetët më i miri”) Vjershat e tij, që përhapeshin gojë më gojë, jo vetëm në Zagorien e tij, por edhe më tej akoma, shquheshin për një humor e satirë të veçantë, me vargje të thjeshtë e të kuptueshëm, që kërkonte t’i ngjante Andon Zako Çajupit. Kjo është arsyeja, që ai i drejtohej poetit të Zagorisë:
“Andon Zako, fli i qetë,
se vendin ta zura vetë!”
Tematika e vjershave të tij është e larmishme, duke i ndjekur problemet e kohës me humor e satirë. Kur dikush e qortonte se nuk i „krrente“ vjershat me politikë e nuk shkruante për luftën e klasave“, ai menjëherë recitonte vjershën me dy vargje me plot sarkazëm:
„O kulak, o hundë llastik,
rroftë Bashkimi Sovjetik!“
Hapej fushata e elektrifikimit të vendit. Këtë aksion të madh, K. Th. Spiri e përmblidhte me dy vargje:
“Hidroçentral, sa ma ka ënda,
sikur është Lenini brenda!“
Vazhdonte të trumbetohej sllogani „bujqësia, çështje e të gjithëve“ dhe K. TH. Spiri do t’i përgjigjej:
„Lipsur kapitali.
Lanet dhe dollari.
Të më rrojë kau (bujqësia),
ai më përkrahu!“
Edhe për problemin e madh të emancipimit të gruas, K. Th. Spiri, nuk mund të heshtëte e të rrinte pa “krrerë” një vjershë kuptimplotë, si:
“Gruan e kam pranë,
i shikoj surranë!
Ajo më kënaq,
me atë që ka.
Natyra ia dha!
Thuaja poet, thuaja,
të na rrojë gruaja!”
Problemin e madh të burokracisë, që shfaqej gjithandej, nuk mund ta linte pa dedikuar një vjershë të këndshmë me humor të thekur:
“S’është koha për veprim,
as për gjëra që s’janë thënë,
por tani marrim njoftim,
Domethënë!”
K.Th. Spiri është sevdalli. Dashurinë e do konkete, të prekshme, prandaj do t’i thotë e të kërkojë nga mikja:
“Pse s’më flet, moj firaune?
Jam dhe unë i asaj pune.
Pse s’më fton moj te krevati?
Jam dhe unë i atij zanati!
Gjarpër do të bëhem,
të futem në dhe,
ta kërkoj me duar,
atje ku e ke!”
Vargjet e Kiço Spirit janë të larmishëm, ashtu si janë edhe temat që ai trajton. Ai i këshillon vajzat t’i zgjedhin burrat, duke u dhënë porosi:
“Moj Lutë!
Moj faqebutë!
Të hënsha në supe,
të pifsha në kupë!
Ç’e do Masarë,
zuzarë,
gomarë.?
Po merr Beharë,
atë manarë,
që lufton e bije theror,
jo për lakror,
Po për Arbëror!”
Poeti ishte një fshatar i thjeshtë, por ai nuk e ulte veten t’u kërkonte bashkëfshatarëve , që ishin ngritur në poste të larta qeveritare. Kërkesat do t’ua bënte me humor e satirë bashkë, si:
“Kiço ti e Kiço unë!
Ti ministër, unë kapistër.
Dil Kiço, se kam pak punë!
Katër dhen e katër dhi,
ka poeti në shtëpi.
Dil, të na dalë sikleti,
kërkon djali bursë shteti”
Vjershat e tij përhapeshin gjithandej si trakte. Ato ishin të “hidhura” për kohën, që thureshin. Shpesh poetin e qortonin, e thërrisnin nëpër zyra, e kritikonin rëndë, e dënonin, por ai nuk hiqte dorë nga krijimtaria e tij.
Për herë të fundit, para viteve 90, e kam takuar K.Th. Spirin në fund të “Sheshit të Çerçizit në Gjirokastër. Si u përshëndetëm, e pyeta:
-Ç’thua Kiço, a ke “kryer” ndonjë vjershë të re?
-Nuk më le Komiteti i Partisë të “krrej” vjersha! – më tha me zë të vrarë.
Ky ishte takimi i fundit me të. K. Th. Spiri ka ndërruar jetë, por rrojnë e janë gjallë vjershat e tij. Ato nuk janë shkruar e botuar nëpër libra e gazeta, por janë përhapur gojë më gojë nga do e kanë marrë dhenë. Janë mësuar e mbahen mend përmenç e deklamohen më shumë se ato të botuara në libra.




















